E shtunë, 24 Janar 2026

A jeni ndjerë ndonjëherë sikur ju dhe partneri juaj jeni mendërisht në harmoni, deri në atë pikë sa të kujtoni ose harroni të njëjtat gjëra? Në fakt, kjo nuk është vetëm një përshtypje. Një studim i botuar në revistën “Psychological Science”, zbuloi se kur çiftet kujtojnë një ngjarje, ata sinkronizojnë aktivitetin e trurit edhe nëse përvoja nuk është ndarë bashkërisht, duke harruar kështu të njëjtat detaje.
Ky fenomen, sugjeron se kujtesa nuk është thjesht një arkiv personal, por një sistem dinamik dhe i përbashkët i formuar nga lidhjet shoqërore.
Studimi përqendrohet në një dukuri të njohur në psikologji: dëgjuesit kanë tendencë të harrojnë të njëjtin informacion si folësit. Studiuesit donin të kuptonin nëse kjo formë e “harresës ngjitëse” ishte më e fortë midis partnerëve romantikë sesa midis të huajve.
Për këtë qëllim, ata kryen dy eksperimente: i pari përfshiu 19 çifte romantike, ndërsa i dyti 20 çifte romantike dhe 18 çifte të huajsh. Në të dyja rastet, pjesëmarrësit fillimisht mësuan disa informata; më pas, në secilin çift, njëri person i tregoi kujtimet dhe tjetri e dëgjoi.
Rezultatet treguan një ndryshim të qartë midis partnerëve dhe të huajve. Te çiftet romantike, harresa “ngjitëse” ishte shumë e theksuar, pasi dëgjuesit harronin detajet që nuk përmendeshin nga narratori. Ndërkohë, te të huajt ky efekt nuk ishte i dukshëm, në kundërshtim me çfarë kishin sugjeruar studimet e mëparshme.
Për të kuptuar nëse harresa ngjitëse kishte një bazë biologjike, studiuesit analizuan aktivitetin nervor. Ata zbuluan se truri i partnerëve koordinohej: sinjalet në korteksin paraballor anësor të dëgjuesit sinkronizoheshin me ato të rrëfyesit. Ky sinkronizim ishte shumë më i fortë te çiftet sesa te të huajt. Sa më e fortë të ishte lidhja nervore midis partnerëve, aq më e madhe ishte harresa e përbashkët.
Gjetjet sugjerojnë se kujtesa nuk është një proces thjesht individual. Përmes sinkronizimit të aktivitetit të trurit, partnerët ndërtojnë një “realitet të përbashkët”. Hapi i radhës është të kuptojmë nëse efekte të ngjashme vërehen edhe midis miqve apo familjarëve, dhe nëse sinkronizimi forcohet kur bëhet fjalë për kujtime emocionale./tesheshi/
Burimi: tesheshi
