Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Çiklizmi ta zgjat jetën

Prizren Post | 18:59 - 04.09.2013

Amsterdam, 4 shtator – Çiklizmi profesionist ka reputacion të keq për vdekjet e parakohshme, që vijnë nga përplasjet tragjike në rrugë ose nga performanca e stimuluar nga substancat e rrezikshme.

Mirëpo, studimi i ri i bërë me pjesëmarrësit francezë në “Tour de France” ka konstatuar se çiklistët profesionistë jetojnë më shumë se meshkujt e tjerë të paktën për gjashtë vjet. Po ashtu të rrallë janë çiklistët që vdesin nga problemet kardiovaskulare, bazuar në këtë hulumtim.

Ekipi i udhëhequr nga Eloi Marijon nga Qendra Kardiovaskulare e Parisit ka ekzaminuar të 786 garuesit francezë që kanë marrë pjesë në “Tour de France” prej vitit 1947 deri në vitin 2012, të cilët të paktën një herë kanë përfunduar këtë garë. Rezultati tregon se vetëm 208 prej 786 çiklistëve kanë ndërruar jetë, që do të thotë se vdekshmëria është 41% më e ulët sesa te pjesa tjetër e meshkujve francezë.

“Ne duhet t’i inkurajojmë njerëzit që të merren me sport apo në këtë rast me çiklizëm”, ka thënë mjeku Xavier Jouven, i cili ka bërë analizat e këtij hulumtimi.

Po ashtu çiklistët, të cilët janë krahasuar edhe me maratonistët për tri javë, janë më pak të rrezikuar nga sulmet në zemër, të paktën për 33 për qind.

Çiklistët francezë që morën pjesë në këtë hulumtim, të paktën dy herë kanë arritur ta përfundojnë garën. Mosha e tyre mesatare kur kanë debutuar në “Tour de France” ishte 25 vjeç.

“Mesazhi është shumë i qartë. Madje edhe niveli i intensitetit të përfshirë në ‘Tour de France’ nuk do ta shkurtojë jetën e çiklistëve apo pjesëmarrësve tjetër”, tha kardiologu amerikan Alfred Bove. “Ushtrimet dhe vendosmëria për t’u marrë me çiklizëm do të jenë vendimtare për lënien e duhanit. Çiklizmi është i shëndetshëm në të gjitha aspektet”.

Në studim thuhet se çiklistët profesionistë pasi të pensionohen rrallë e hiç shndërrohen në konsumues të duhanit.


Etiketa:
Arivisti Company