E martë, 6 Dhjetor 2022
TIRANË – Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen me homologët e tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, më 6 dhjetor.
Takimi është i rëndësishëm për një arsye të madhe: kjo është hera e parë që një samit i madh mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet jashtë bllokut evropian.
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Bruksel kanë thënë se ekzistojnë dy synime për këtë samit: mbajtja e një fronti të bashkuar dhe shmangia e devijimeve.
Kjo pasi në 12 muajt e fundit janë regjistruar disa precedentë të këqij në këtë drejtim.
Samiti i fundit, i mbajtur në Bërdo të Sllovenisë, në vjeshtën e vitit 2021, është dominuar nga mospajtimet nëse deklarata finale duhet të përfshijë fjalën “zgjerim”, pasi disa vende anëtare të BE-së kanë dyshuar atëbotë në idenë e zgjerimit të klubit.
Megjithatë, ajo atmosferë as nuk krahasohet me situatën e krijuar në një takim jozyrtar që është mbajtur mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel më 23 qershor.
Ndonëse takimi i fundit është konsideruar historik pasi Ukraina dhe Moldavia kanë fituar statusin e vendeve kandidate për anëtarësim, Bosnja e Hercegovina nuk ka fituar status të tillë.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë arritur të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak të çështjeve të pazgjidhura mes Shkupit dhe Sofjes.
Ka indikacione që samiti në Tiranë do të shkojë pak më mirë.
Së pari, takimi do të mbahet vetëm gjysmë dite, çka nënkupton më pak kohë për mospajtime.
Së dyti, draft-dokumenti që ka parë Radio Evropa e Lirë , në të cilin kanë punuar 27 vendet anëtare në javët e fundit, është optimist dhe jo shumë kritik për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, vendet skeptike sikurse Franca dhe Holanda kanë nisur të përkrahin idenë që anëtarësimi i shteteve joanëtare në bllok nuk është ide edhe aq e keqe./REL
Etiketa: Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Shqipëri