Cilët lider botërorë nuk e takuan Thaçin e Jahjagen?


E diel, 29 Dhjetor 2013

Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, kurrë nuk e takuan homologët e tij anglez e italianë, as presidentët e Francës dhe Italisë. E njëjta vlen edhe për presidenten e vendit, Atifete Jahjaga.

Gjatë këtij viti, por edhe gjatë gjithë mandatit të tij, kryeministri i Kosovës nuk ka arritur ta takohu homologun e tij David Cameron, pavarësisht se ky i fundit ka tri vite që e udhëheq qeverinë britanike.

Kreu i ekzekutivit kosovarë nuk është takuar as me homologun e tij italian, Enrico Leta, as me presidentët francezë e italianë, përkatësit Francois Hollande dhe Giorgio Napolitano. Madje Thaçi nuk mbahet mend të ketë zhvilluar vizita zyrtare në Zvicër, aty ku ka jetuar e studiuar disa vjet gjatë viteve të 90-ta.

Analistë kanë thënë që mos takimet e kryeministrit në këto vende lidhen me shkallën e lartë të korrupsionit në vend dhe me raportin e Dick Marty.

“Nuk duhet të fokusohemi në takime sa për ‘sy e faqe’, sepse zotëri Thaçi vazhdimisht po shkon në SHBA, ndërsa Kosova vazhdimisht po dobësohet, e kjo duhet të ndryshohet. Pastaj duhet të shikohet se mos ndoshta liderët evropianë nuk po takohen me ata kosovarë për shkak të dyshimit të përfshirjes se kryeministrit në korrupsion, apo mungesën e legjitimitetit të presidentes Jahjaga”, ka thënë analisti Shpend Kursani, për Zëri.

“Është e rëndësishme që e tërë shoqëria të merren me shkaktarin e keq të Kosovës, nuk mjaftojnë vetëm takimet, por duhet të pranohet që të ndryshohet imazhi i Kosovës si shtet ku lulëzon korrupsioni, të kërkohet që të kryhen hetimet në lidhje me raportin e Dick Marty-t. Me një fjalë duhet të punohet që të ndryshohen rrethanat që po i japin imazh të keq vendit”, ka thënë nga ana tjetër analisti i KIPRED, Ardian Arifi.

Etiketa: , ,
Të fundit