Çka e bën Kosovën vend të papërshtatshëm për thithje investimesh?


E hënë, 13 Janar 2014

Prishtinë, 13 janar – Sasia e energjisë nga burimet e ripërtërishme në konsumin përfundimtar bruto deri më 2020 për Kosovën si nënshkruese e Traktatit të energjisë duhet të jetë 25%. Por, sipas zyrtarëve të Institutit të Poltikave Zhvillimore, vendi ynë nuk është i orientuar fare nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.

KTV-ja raporton se kjo e bën Kosovën vend të papërshtatshëm për thithjen e investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë së ripërtëritshme. Në studimin e prezantuar janë përfshirë edhe një sërë rekomandimesh për institucionet kryesore të vendit, të cilat janë konsideruar të domosdoshme për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Tarifat e energjisë solare dhe energjisë gjeotermale nuk janë të përcaktuara ende, ndërkaq ato për energjinë nga uji janë 63.3 euro për megavat, nga era 85 dhe nga biomasa 71.3 euro. Kosova aplikon tarifa me kohëzgjatjen më të ulët të tarifave nxitëse në rajon dhe me vende të BE-së, ngase tarifat nxitëse në Kosovë janë të përcaktuara vetëm për 10 vjet. Kohëzgjatja e kontratave vlerësohet të jetë shumë e vogël dhe nuk u garanton investitorëve se kostoja e investimit të tyre do të mbështetet mjaftueshëm nga institucionet e shtetit.