E enjte, 21 Nëntor 2013
Prishtinë, 21 nëntor – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka raportuar dje para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.Kryetari i këtij Komisioni Albin Kurti i ka shtruar shumë pyetje shefit të diplomacisë së Kosovës. Ja pyetjet e tij që arrtën në postën tonë elektronike:
1. Sa i përket tabelave buxhetore të paraqitura nga ju në letrën e dt. 24 korrik 2013, ju lus ta informoni Komisionin në lidhje me:
a. Pasqyrën financiare (Profit & Loss Financial Statement-Expanded Version), ku tregohen shpenzimet për çdo njësi të faturuar dhe shpenzim detajor, sa i përket linjave buxhetore “Mallra dhe Shpenzime” dhe “Subvencione dhe Transfere” për Zyrën e Ministrit (për vitin 2012 dhe muajt e deri më sotëm të 2013);
b. Pasqyrën financiare (Profit & Loss Financial Statement-Expanded Version), ku tregohen shpenzimet për çdo njësi të faturuar dhe shpenzim detajor, sa i përket linjave buxhetore “Mallra dhe Shpenzime” dhe “Shpenzime Kapitale” për Ambasadat (për vitet 2011, 2012 dhe muajt e deri më sotëm të 2013);
c. Në kuadër të pasqyrës së detajuar financiare, ju lus gjithashtu na specifikoni shpenzimet për njësi të faturuar/shpenzuar për Kodin 011200 (Pagesa për punë jashtë orarit, shtesat dhe stimulimet).
2. Sa i përket anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në letrën tuaj dërguar Komisionit ju thoni që keni bashkangjitur edhe një ‘plan veprimi’ për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në dokumentet e dërguara nuk ekziston asnjë ‘plan veprimi’ i tillë, dhe për më tepër, në të nuk shihet asnjë qasje strategjike sa i përket mënyrës dhe veprimeve që duhet ndërmarrë për të anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës. Prandaj, ju lus të na tregoni nëse keni në dispozicion një ‘plan veprimi’ për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe nëse po, ju lus të na jepni përgjigje edhe për pyetjet e mëposhtme:
a. Cilët janë kategoritë e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që sipas një analize specifike apo komunikimi me ta, ju mendoni që do të votonin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës?
b. Çfarë masash keni marrë dhe do të merrni ju për t’i bindur ata që të ndryshojnë qëndrimin ndaj anëtarësimit të Kosovës?
c. Cilat veprime lobuese janë ndërmarrë deri më tani për të bindur anëtarët e Asamblesë Parlamentare që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës?
d. Çfarë janë pengesat që mbesin në këtë drejtim?
3. Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council – RCC), ju lus të na përgjigjeni në pyetjet e mëposhtme:
a. Nëse anëtarësimi në RCC ka qenë i garantuar nga ana e BE-së pas Marrëveshjes për Pjesëmarrje në Forumet Rajonale (Marrëveshja e ‘Footnote’), pse atëherë keni pranuar që RCC të bëj ndryshime në Statutin e saj, duke e akomoduar/anëtarësuar Kosovën vetëm pasi që u hoq fjala ‘anëtarësim’ dhe u zëvendësua me fjalën ‘pjesëmarrje’ në Statut? A keni kërkuar përgjegjësi për këtë nga ana e garantuesit të Marrëveshjes në fjalë? Nëse jo, a keni parasysh që ky ndryshim statutar e ka zbehur anëtarësimin e Kosovës në RCC?
b. Ju lus të na shpjegoni se si është e mundur që Marrëveshja për Pjesëmarrje në Forumet Rajonale në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse e nënshkruar nën garancionin e BE-së, sërish nuk po e bën të mundur anëtarësimin e Kosovës në organizatat derivative të RCC-së, si: Business Advisory Council (BAC), Energy Community Secretariat (ECS), SEE Trade Union Forum, Secretariat of the SEE Police Cooperation Convention (SEE-PCC), CEFTA, etj?
c. A do të thotë kjo që Marrëveshja në fjalë nuk po gjen zbatim, dhe Kosova sërish nuk po arrin të marrë pjesë në forumet rajonale, garancioni për anëtarësimin në të cilat është dhënë nga BE, nën kushtin që Kosova ta pranonte Marrëveshjen për Pjesëmarrje në Forumet Rajonale? Çfarë qëndrimi zyrtar keni ndaj Marrëveshjes në fjalë, nëse ajo po shkelet nga Serbia në mënyrë të hapur?
4. Sa i përket procesit të rekrutimit të stafit civil diplomatik në dy vitet e fundit në MPJ, ju lus na jepni përgjigje për pyetjet e mëposhtme:
a. Sa është numri i zyrtarëve civil diplomatik të pranuar në Shërbimin e Jashtëm të Kosovës në dy vitet e fundit?
b. Mbi çfarë kritere janë pranuar ata? Ju lus të na jepni listën me emra, pozitë dhe gradë diplomatike në të cilën ata gjenden për momentin, dhe rekordin e tyre të dy viteve të fundit?
c. Ju lus të na jepni në disponim vendimet për pranim, vlerësim, dhe krahasim në mes të kandidatëve konkurrentë dhe atyre të pranuar, për tërë rekrutimet e bëra në stafin diplomatik civil në dy vitet e fundit?
d. A e keni ndjekur me përgjegjësi zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në rastet e propozimeve të dhëna për emërimin e ambasadorëve të Republikës së Kosovës?
5. Ju keni thënë se jeni duke bërë një studim i cili shpjegon qëllimin, rrugët, metodat dhe strategjitë sa i takon anëtarësimit të Kosovës në OKB. A e keni kryer këtë studim?
6. Në takimin e fundit kemi kërkuar që ta dërgoni një listë të përditësuar për secilën ambasadë të Kosovës në mënyrë që ta na njoftoni për gjendjen faktike ekzistuese. Nuk na e keni sjellë.
7. Pse nuk e përditësoni webfaqen e MPJ-së? Aty ende figurojnë vetëm 96 shtete që e kanë njohur Kosovën.
8. Hoxhaj ende nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për njohjet nga Uganda dhe Nigeria. Në takimin e fundit ka thënë se: “Nigeria dhe Uganda janë në procedurë të verifikimit”. A ka përfunduar procedura e verifikimit? Pse këto dy shtete gjenden ende në listën e vendeve që e kanë njohur Kosovën?
9. Sa i përket Akademisë Diplomatike, buxheti për vitin 2014 është më i lartë por a do të mjaftojë ky buxhet për arritjen e qëllimeve të Akademisë (përgatitja profesionale e anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, hulumtime dhe publikime shkencore, organizime të konferencave në fushën e politikës ndërkombëtare, zhvillimin e bibliotekës së Akademisë)?
10. Te Ministria e punëve të jashtme ka një rritje në paga dhe mëditje për 32,2%, ndërsa në mallra dhe shërbime një rritje prej 9,5%, ndërkohë qe numri i të punësuarve mbetet i njëjtë?!
11. A është e vërtetë se në shumicën e departamenteve politike janë zyrtare me kontratë/akt-emërim dhe në të njëjtën kohë janë edhe me pozita u.d Drejtor të Departamenteve? Me ligj nuk parashihet të jetë me shumë se 3 muaj. A janë plot shtatë raste të tilla?
• Ylber Kryeziu është zyrtar për marrëdhënie dypalëshe dhe organizata ndërkombëtare, njëherazi u.d Drejtor në Departamentin për Organizata Ndërkombëtare, dhe këtë qysh nga muaji prill e që me ligj nuk parashihet të jetë më shumë se 3 muaj.
• Albinot Bimbashi, zyrtar për Komision Evropian dhe BE, njëherazi u.d Drejtor i Departamentit për Evropë dhe BE, po ashtu që nga muaji prill 2013.
• Xhelal Shaqiri, zyrtar për politika konsullore, njëherazi u.d Drejtor në Departamentin për Çështje Konsullore, edhe ky po ashtu që nga muaji maj 2013.
• Albert Prenkaj, Drejtor i Akademisë Diplomatike me vendim ndërsa është të njëjtën kohe edhe u.d Drejtor I Përgjithshëm ne Ministrinë e Punëve të Jashtme.
• Mirjeta Behluli, Drejtoreshe për Administrate dhe Financa, njëherazi u.d Sekretare e Përgjithshme qe nga gushti. Si mund te praktikohet dhe te funksionoje në të njëjtë kohe duke lënë pozita ne një ngërç në tërë institucionin?
• Çështja tjetër dhe me tronditëse është që dy këshilltarët e juaj Heroina Telaku dhe Lulzim Pllana, kane qenë këshilltar, dhe nga pozita e këshilltarëve kane kaluar zyrtar ne Departamentet politike, si dhe ne te njëjtën kohe janë edhe u.d Drejtor te Departamentit për Politika dhe Strategji si dhe Heroina në Departamentin për Çështje të Politikave.
• Zana Rudi nga pozicioni si këshilltare e juaj tani ka lëvizur në Panama pa kaluar në Komisionin për gradime.
• A është e vërtetë se shumica e stafit tuaj kanë nga dy pozita të njëjta në të njëjtin Departament, duke mos pasur harmonizim me procedurat që duhen ndjekur? A është e vërtetë që shumica e stafit diplomatik/konsullor janë ankuar dhe kanë kërkuar nga ju që t’i sistemoni sipas procedurave ligjore por ju nuk e keni përfillur këtë si Ministri/Institucion?
• A është e vërtetë se Blerim Vela ka qenë për 1 javë shef i kabinetit tuaj me vendim dhe për një javë e ka lëshuar punën? Cila është arsyeja? A mendoni se Pëllumb Kallaba që tani është shef Kabineti e në të njëjtën kohë e ka edhe prindin e tij Ambasador te Republikës së Kosovës në Bullgari, është e drejtë?
12. A është e vërtetë se po keqpërdoret buxheti me procedurat e postës DHL nga misionet tona diplomatike duke i shfrytëzuar ato për interesa personale? (Gjermania ne këtë rast i ka dërguar vërejtje konsullatës së shtetit tonë)
13. Cila është gjendja në Ambasadën e Kosovës në Tiranë ku mungon ambasadori tash e shumë kohë?
Pyetjet për z. Hoxhaj për rastin “Kallaba”
14. A keni marrë një letër nga Gjergj Vicishta për shkeljet e Ambasadorit Shpend Kallaba? A do t’i merrni parasysh dëshmitë e dhëna nga shoferi Vicishta?
15. Letra e Vicishtës ka arritur me 12 gusht 2013 dhe janë bërë mbi 3 muaj. Ai flet për keqpërdorimin e mjeteve dhe shfrytëzimin e pasurisë shtetërore nga z. Kallaba dhe familja e tij për nevoja personale. A mund të na tregoni se a keni ndërmarrë ndonjë hap rreth këtij rasti? A ka filluar Komisioni Disiplinor të shqyrtoj rastin e Shpend Kallaba?
16. A janë shqyrtuar shkaqet e aksidentit që kishte ndodhur në Maqedoni me 3 maj 2013? A ka qenë ambasadori në detyrë në momentin kur ka ndodhur aksidenti?
Rastet e skandaleve ku ka qenë e përfshirë Ministria e Punëve të Jashtme
17. Përveç me rastin Kallaba, çfarë ka ndodhur me rastet Hamiti e Musliu?
18. Ku ka mbërritur komisioni hetues dhe a janë shqiptuar masat për këto raste?
19. A jeni ne dijeni se disa ambasadore dhe anëtarë të stafit diplomatik kane marrë pjesë në fushatën e PDK? Si e komentoni ju këtë? (është raportuar se ne fushate ka qene Skënder Xhakaliu, ambasador ne Berlin, dhe Korab Mushkolaj, konsull ne New York )
Refugjatët në Francë
20. Sa është numri i refugjateve nga Kosova në Francë të cilët, siç është raportuar edhe nga mediet vendore e edhe ndërkombëtare, jetojnë nën ura e madje edhe në rrugë.
21. Çfarë informata keni mbi mirëqenien e tyre?
22. Cilat masa i keni ndërmarrë ju si ministër i jashtëm për këtë rast?
Demarkacioni me Malin e Zi
23. Në dy momente te ndryshme, në maj dhe korrik, keni deklaruar se demarkacioni me Malin e Zi do të përfundoj në shtator të këtij viti. A ka mbaruar ky proces? Nëse jo, përse dhe deri ku keni arritur?
Marrëveshja për konsullatat e përbashkëta me Shqipërinë
24. Çfarë hapa konkret keni ndërmarrë deri me tani për zbatimin e kësaj marrëveshje?
25. Ku ka stagnuar procesi?
Në lidhjen e mëposhtme mund të dëgjoni përgjigjet e plota dhënë nga Ministri për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj.
[youtube MlHNAGsaPmo]
Etiketa: Albin Kurti, Enver Hoxhaj, Kosovë