E mërkurë, 10 Shtator 2014
Prishtinë – Marrëveshja mbi parimet e nënshkruar në mes LAN-it dhe VV-së, ka tetë pika, ku thuhet se do të jetë pjesë e programit qeverisës.
Më poshtë marrëveshja e nënshkruar mes bllokut AKK-LDK-NISMA dhe Vetëvendosjes:
1. Të përqendrohen me prioritet në çështjet e zhvillimit ekonomik të vendit, rritjen e punësimit dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, reformat substanciale në arsim dhe në shëndetësi, në forcimin e shtetit ligjor në luftën kundër krimit të organizuar.
2. Të ndërmerren reforma institucionale, me qëllim të demokratizimit të vendit dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve.
3. Të punojnë drejtë perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës dhe përmbushjen e standardeve për anëtarësim në BE dhe në NATO, si dhe për intensifikimin e dialogut me Komisionin e BE-së dhe institucionet e tjera të BE-së për obligimet e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit dhe të anëtarësimit të plotë në BE.
4. Të vendoset dialogu i hapur demokratik me pakicën serbe në Kosovë, për integrimin e plotë të tyre, si qytetarë të barabartë të Kosovës, nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
5. Të angazhohen për një dialog cilësor, parimor, të përgatitur mirë, të orientuar dhe të fokusuar në çështjet me interes për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit dhe respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe të integritetit territorial. Të ndërtohen dhe të shfrytëzohen mekanizma të përshtatshëm parlamentarë (në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Punës së Kuvendit sipas nenit 71) dhe qeveritarë për vlerësimin e rezultateve të dialogut. Çështjet që do të dialogohen dhe korniza e dialogut të vendosen me pajtueshmërinë e secilës palë nënshkruese të kësaj “Marrëveshjeje mbiParimet” dhe të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dialogu është përgjegjësi e Qeverisë dhe Qeveria do të emërojë drejtuesin për procesin e dialogut nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe do të krijojë hapësirë për përfshirje të opozitës në proces.
6. Të punojnë për zbatimin e detyrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat I ka marrë Republika e Kosovës dhe të cilat dëshmohet se janë në përputhje me subjektivitetin e Republikës së Kosovës dhe nuk e cenojnë e as nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të drejtat e njeriut. Për të dëshmuar këtë do të shfrytëzohen mekanizmat e Komisionit të Venedikut dhe mekanizma të tjerë.
7. Të ndërtojnë mekanizma të përshtatshëm parlamentarë (në përputhje me dispozitat përkatëse të Rregullores së Punës së Kuvendit sipas nenit 71) dhe qeveritarë për vlerësimin e procesit të privatizimit, duke marrë parasysh interesin qytetar dhe shtetëror, si dhe reformimin thelbësor të qeverisjes korporatave të kompanive publike qendrore dhe lokale, ndërkaq vendimet për të ardhmen e tyre do të mirren me pajtueshmërinë e secilës palë nënshkruese të kësaj “Marrëveshjeje mbi Parimet” dhe do të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, do të investohet në rritjen e vlerës së Trepçës (së cilës do t’i dedikohet një ligj i veçantë) si dhe të KEK-ut dhe PTK-së.
8. Kjo “Marrëveshje mbi Parimet” do të jetë pjesë e Programit qeverisës./RTK/
Etiketa: AAK, Kosovë, LDK, NISMA, Vetëvendosje