Çmenduria dhe Kinematografia


E hënë, 21 Shtator 2015

Fehmi MEHMETI

Arti, gjithmonë ka qenë ai që ka shfaqur realitetin në mënyrën më të mirë të mundshme.  Aty nuk ka pasur frikë, aty është shfaqur bota e zhveshur nga çdo ‘pëlhurë’, që e ka bërë njeriun të jetojë i shtypur dhe larg realitetit; është vizion i brendshëm, i vënë në lëvizje nga pësimi dhe përjetimi, siç do thoshte Picasso: ‘’ajo është bijë e pikëllimit dhe e dhembjes’’.

Arti(sti) sheh atë që nuk mund ta shohë  shkenca(-ëtari); sikurse që një i ‘çmendur’ sheh atë që nuk mund ta shohë i mençuri.
Përmes  shkences dhe filozofisë bëhët i mundshëm shpjegimi i gjërave-fenomenëve, ndërsa përmes artit dhe fesë kuptimi i tyre.
Nëse s’ka të vërtetë religjioze, s’ka as të vërtetë artistike, thoshte A. Izetbegoviç.
Në kinematografi, shpeshherë përmes të çmendurit, thuhen gjërat  me normale të mundshme, që në këtë botë ‘normale’ janë çmenduri; dhe vetëm një ‘i çmendur’ ka forcen për t’i thënë ato.

Në vështrimin kritik te filmave: ‘’Equus’’ te S. Lumet dhe ‘’Revolutionary Road’’ te S. Mendes, do të shohim realitetin e pasqyrar nëpërmjet ‘çmendurisë’.
Në këtë vështrim, do të ndalem me theks të veçantë te: barazia, liria
-në raportet e individit me publiken dhe shoqërinë
dhe te dashuria e pasioni.

Liria dhe barazia janë në disporporcion të zhdrejtë me njera tjetren, sa më shumë që të zgjerohët njera tjetra fillon të humbet. Aty ku ka liri absolute nuk mund të këtë barazi, sikurse që as aty ku ka barazi absolute nuk mund të këtë liri. Po mos të kishte liri nuk do të mund të kishte as moral.
Në këtë kontekst shoqëria-publikja simbolizonë(dhe ka simbolizuar) ligjin, ndërsa ligji barazinë (pa dashur te thellohëm në atë se çfarë barazie është\ka qenë), dhe gjithë kjo barazi është e barabartë me qytetin. Qyteti është vendi ku është manifestuar  ky  homogjenizim.

Aty ku ka diversitet ka  dhe liri, fshati është simbol i këtij diversiteti. Jo rastësisht kur njeriu  kërkon të largohet nga të gjitha, pra të jetë i lirë(në kuptimin e përafërt të lirisë absolute), ik për në fshat.
Në këtë kontekst e kundërta e shoqërorës-publikës është natyra dhe individi; fshati në këtë rast përfaqëson këtë të dytën. Fshati, aty ku njeriu nuk është thjesht një numer(e cila ndodh me qytetin), por është subjekt në vete.
Ikja nga qyteti, sado te jetë jofunksionale, është reaksion i pastër njerëzor, në qoftë se secili njeri në një farë mase është poet.
Dhe në pamundësi për  të ikur në fshat\natyrë, njeriu ik për të vetvetja e tij; aty gjenë lirinë e kërkuar(me poshtë kur do të flasim mbi dashurinë dhe pasionin, do të flitet më gjerë rreth kësaj dhe lidhjën me martesën).
Ky sistem që e ka shtyer njeriun në këtë çmenduri, i cili është ndërtuar mbi bazën e ‘Kontratave Shoqërore(Contract Social), kritikohet dhe kërkohet te dilet nga kornizat e tij, që ngjasojnë me gjembat e telave te murëve të burgit.
Por, a thua ikja për tek vetevetja(te liria) mund të jetë e lehtë….

Tek  Equus, shohim impenjimin e një të riu të ‘çmendur’ për dashurinë, me një pasion aq të madhë sa që e bënë të xhelozoj dhe burrin e martuar, që është psikiatëri i këtij të riu.
Në këtë film hasim në kritikë ndaj jetësimit të dashurisë nga njerëzit e periudhës moderne dhe postmoderne.
Të duash dhe të dashurosh, dy gjera që sado qe na duken të njëjta, ato në realitet nuk janë të tilla.
Në periudhën postmoderne, njeriu nuk rrezikon të dashuroj me pasion, sepse të dashurosh ka një kosto, të dashurosh do të thotë të mos bëshë llogari, sepse në dashuri nuk ka interes.
Ka dhe një pjesë nga ata që duan pakëz nga dashuria, pakëz nga interesi; pra të dyja në një. Por në mometin që do të humbet balanca, njera nga këto te dyja do të ‘triumfoj’.

Njeriu postmodern, çdo gjë bënë mbi normen e interesit, duke vlersuar-llogaritur  me racionalizëm përfshirë dhe dashurinë. Pasioni në këtë rast është debitor ndërsa racionaliteti kreditor. Duke parë çdo gjë më normen e interesit, sigurisht që askush nuk do të rrezikonte që të ishte debitori në këtë mes.
Të dashurosh do të thotë të sakrifikosh; për të bërë sakrificë duhet virtytshmëri dhe jo trimeri. Të dashurosh do të thotë të japesh gjithçka nga vetja jote, pa pritur që reaksioni do jetë i njëjtë; të dashurosh do të thotë të mos e llogaritësh koston e vuajtjës, që mund ta kesh në fund.

Tani dua të bëjë një ndërlidhje në mes të kësaj dhe martesës te filmi  ‘’Revolutionary Road’’.
Martesa  është sikur shoqëria, martesa është institucioni ku individi heq dorë nga liria. Kjo është një nga arsyet se përse martesa dështon në kohën moderne.
Martesa është njesia e parë e shoqërisë ku njeriu ndjenë barazinë (vazhdimësi e pjesës më lart rreth lirisë dhe barazisë); pra, në martesë krijohet nje temel që për të funksionuar, i duhet njeriut të sakrifikojë duke hequr dorë nga liria dhe diversiteti.

Andaj  në këtë filmi i çmenduri  ju drejtohet çiftit me këto fjale: ‘’.. këtë zbrazëti çdo kush e heton, ama ta hetosh dëshpërimin në këtë zbrazëti kërkon trimeri….’’( për të qenë më e kuptushme kjo duhet shikuar filmi në terësi).
Interesant është fakti që këtë nuk mund ta shoh i mençuri por e sheh i çmenduri.
Këtu i çmenduri përfaqëson diversitetin, të qenurit i lirë (lirinë), te qenurit i pavarur nga arsyeja pra përfaqëson imagjinaten; liria është imagjinata këtu, ajo që e mbanë njeriun të lirë edhe në robëri.

Mendja-logjika është bota e domosdoshmërisë; pra nuk mund të thuash se 2 herë 2 është e barabartë me 5, as ah sikur 2 herë 2 të bëshin 4 sepse 2 herë 2 duhet të jetë e barabartë me 4.
Te pjesa ku i çmenduri ju drejtohet çiftit, matematikës(këtu me anë të matematikës thumbohet teknologjia) i bëhet një theks i veçantë jo rastësisht; sepse është ajo që ia kishte marrur ndjenjat dhe e kishte bërë që jetën ta jetojë si një makinë.
Këto shkaktojnë tension në mes të barazisë dhe lirisë, e cila prodhon tensione në mes të ligjit-kushtetutës, shoqërisë dhe individit.

Në epokën tonë nuk kemi më heronjë, sepse tashmë sakrifica ka mbetur vetëm një fjalë në fjalor asgjë më shumë. Pa sakrificë nuk mund të këtë heroizma.
Të sakrifikosh do të thotë ta bëshë vetën kurban për një ideal, kjo është dicka jo shumë e kuptueshme për periudhën tonë.
Sot mendja është një fushë  ku gjithçka kalkulohet mbi bazen e interesit. Prandaj mendja dhe shkenca nuk mund të na ndihmojnë në këtë gjë.

Heidegger mendimin e ndanë në dy pjesë:
-Interpretues\shpjegues dhe
-Kalkulues.
Të menduarit kalkulues, është matematika. Pra, është ai mendim që  ka zhvilluar teknologjinë(dhe e ka zbuluar atë).
Kalkulatori nuk mund t’i perceptojë ndejnjat, sot është teknologjia ajo që po e determinon shkencen, mund edhe të themi që është një hap para saj.
Siç thotë dhe K. Schmitt:  edhe pse duket që teknologjia është e paanshme, në të vërtetë që nga shek.XVI të gjitha përplasjet në mes të ideologjive politike janë bërë duke u thirrur në emër të  progresit teknologjik.
Prandaj ai thotë se, progresi teknologjik është opium për shoqërinë, dhe koha vetëm se e ka vërtetuar atë.

Teknologjia më shumë se mik është bërë armik i njerëzorës; është ajo që po determinon shkencen, dhe sikur caku i teknologjisë është bërë pushteti mbi natyrën përmes shkencës.
Ndërkaq arti është krijim i vazhdushëm i vetes, ku caku i saj është pushteti mbi veten përmes edukimit.


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Të fundit