Çmimet e naftës në Kosovë, sipas “dëshirës”


E diel, 18 Gusht 2013

Prishtinë, 18 gusht – Viteve të fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i kompanive të derivateve të naftës.

Kompanitë që kanë kapital më të madh, apo siç njihen në vend, kompanitë e mëdha, derivatet e naftës i importojnë nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Evropës, ndërsa ato më të vogla furnizohen nga kompanitë e mëdha. Por, megjithatë çmimet e derivateve të naftës mbesin të ndryshme, varësisht nga pompa, lokacioni apo edhe rajoni. Edhe pse thuhet se çmimet përcaktohen nga bursat ndërkombëtare, kur atje ka rënie, një gjë e tillë nuk vërehet në Kosovë, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe qytetarët.

Eksperti i ekonomisë, Flamur Keqa, thotë se kjo nuk është dukuri e re në tregun e Kosovës. Rënia e çmimit të naftës në bursat botërore nuk reflektohet në Kosovë. Ai këtë fenomen e quan paradoks të llojit të vet.

“Unë e kuptoj se ndonjë herë kompanitë, që merren me import të naftës, në depot e tyre kanë sasi të caktuar të naftës me çmimin, të cilin e kanë blerë më herët. Por, megjithatë çmimi botëror i naftës duhet të reflektojë në uljen apo ngritjen e çmimit edhe në tregun e Kosovës. Realisht, shfrytëzohen edhe këto mundësi shpesh nga bizneset që tentojnë të përfitojnë në këtë mënyrë”, shprehet Keqa.

Në anën tjetër, përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, theksojnë se faktorët që ndikojnë në formimin e çmimit janë: bursa ndërkombëtare, taksat që aplikon shteti dhe kursi i dollarit.

Nazmi Bytyçi, udhëheqës i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizjet në bursën ndërkombëtare, vërehen edhe në tregun kosovar, pasi, shpjegon ai, operatorët janë të interesuar që të fitojnë më tepër konsumatorë.

“Jo, kjo nuk qëndron, sepse rënia e bursës botërore vërehet edhe në Kosovë. Me rastin që çmimi është liberal, konkurrenca e bën të veten. Kompanitë kanë dëshirë që të shesin sasi më të mëdha dhe luajnë më çmime”, thotë Bytyçi.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike më herët kanë ngritur dyshimet se përfaqësues të operatorëve kanë marrëveshje të pashkruara në mënyrë që t’i mbajnë çmimet e larta.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në vitin 2011 ka hulumtuar kompanitë e mëdha për këtë çështje, por, sipas tyre, nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi.

Megjithatë, Flamur Keqa, thekson se mundësitë për fiksim të çmimeve nuk përjashtohen.

“Mundësitë nuk përjashtohen asnjëherë. Megjithatë, unë mendoj se ekziston Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës, autoritet i cili kryekëput duhet të merret me këto çështje. Kështu që, nëse ka marrëveshje të shkruara dhe të pashkruara, duhet që t’i identifikojnë këto parregullsi dhe, normalisht të ndërmarrin masa ndaj atyre që veprojnë në kundërshtim me kërkesat ligjore”, thekson Keqa për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, në tregun e kosovar një litër naftë kushton 1.23 euro, ndërkaq një litër benzinë kushton 1.24 euro, por këto çmime ndryshojnë varësisht nga pikat e shitjes. koha