Çollaku: Nuk ekziston asnjë arsye teknike për shtyrjen e liberalizimit të vizave


E hënë, 7 Dhjetor 2015

Prishtinë – Mundësia e prolongimit të vendimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, është e papranueshme për udhëheqësin e këtij procesi njëherësh ministër i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Ai ka vlerësuar se Komisioni Evropian, nuk ka asnjë arsye të vetme teknike për të shtyrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Bashkimi Evropian, duhet ta thotë hapur nëse ka mungesë të vullnetit politik për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë ai, i pyetur nëse ka pengesa për ta çuar përpara këtë proces.
Për ndryshe ai vlerëson se Komisioni Evropian, do të duhej t’i vlerësonte hapat dhe reformat që ka ndërmarrë Kosova në përmbushjen e kritereve të përcaktuara për liberalizim të vizave dhe t’i rekomandoj Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Një gjë e tillë ka thënë se lidhet me një vendim meritor për të cilin Kosova ka punuar me vite të tëra dhe se nuk ka të bëjë me mëshirë apo dhuratë të cilën është duke e pritur nga BE-ja.
“Është thjeshtë një proces me shumë obligime të cilat janë përmbushur me seriozitetin më të madh dhe rrjedhimisht presim përfundimin e tij bazuar në rrjedhën e punës sonë të shkëlqyer në këtë drejtim”, ka thënë Çollaku.

Por nëse nuk ndodh kështu, atëherë ai vlerëson se ky proces do ta humbas kuptimin.
“Konsideroj se sa më e largët që të jetë perspektiva evropiane për qytetarët tanë aq më i madh dhe më i fortë do të jetë interesimi për të gjetur alternativa që thyejnë këtë izolim”, ka shtuar ai.
Po ashtu ai ka ripërsëritur faktin që Kosova ka përmbushur dyfishin e kritereve në këtë proces krahasuar me vendet e rajonit. /KP/

Etiketa: , ,
Të fundit