Coronavirusi po zgjerohet, të infektuar ka nga të gjitha kontinentet


E enjte, 27 Shkurt 2020

BOTË – Coronavirusi është zgjeruar në 40 vende të botës, kurse të infektuar ka në të gjitha kontinentet përveç në Antarktik.

Një grua që punon si shofer të një autobusi turistik në Osaka për herë të dytë ka dalë pozitive në testet e coronavirusit, gjë që është rasti i parë që po ndodh në Japoni.

Ajo ka rezultuar pozitive me coronavirus të premten, pasi kishte ndjerë dhimbje në fyt dhe gjoks, shkruan Reuters, transmeton Telegrafi.

Për herë të parë ajo kishte rezultuar pozitive në janar, ku pas hospitalizimit kishte marrë veten dhe ishte liruar nga spitali.

Në anën tjetër ministri japonez i Shëndetësisë, ka thënë se është pacientja e parë që pasi është shëruar nga coronavirusi ka rezultuar të jetë pozitive për herë të dytë.

Edhe pse një rast i tillë po ndodh për herë të parë në Japoni, raste të ngjashme ishin regjistruar në Kinë.

Ndërkaq Estonia ka regjistruar rastin e parë me coronavirus, kurse burri i infektuar ishte kthyer nga Irani. Bëhet fjalë për burrin që vazhdimisht viziton Estoninë, por që nuk është shtetas i këtij vendi.

“Sipas informatave të reja, ai është shtetas i Iranit”, ka deklaruar Tanel Kik, ministri estonez gjatë një paraqitje në televizionin publik, duke pranuar se i infektuari kishte mbërritur në Estoni të premten mbrëma me një autobus që po udhëtonte nga Riga.

E presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se rreziku nga coronavirusi në SHBA mbetet shumë i vogël. Ai shtoi se SHBA-të janë të gatshme të bëjnë gjithçka nëse ky virus zgjerohet.

Trump gjithashtu pranoi se do të jetë i kënaqur me çfarëdo ndihme financiare që e miraton Kongresi në luftën kundër coronavirusit.

Etiketa: , ,
Të fundit