E diel, 31 Maj 2026

Turneun ballkanik e nis të hënën në Bosnje e Hercegovinë dhe e përfundon të enjten në Mal të Zi. Diku në mes të këtij rrugëtimi, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të ndalet edhe në Kosovë. Vizita e tij në Prishtinë është paraparë për të mërkurën, më 3 qershor, kur ai do të takohet me presidenten në detyrë, kryeministrin në detyrë, si dhe me liderët e partive opozitare.
Vizita e dytë e Costas në rajon brenda 18 muajve nga marrja e postit në krye të institucionit më të lartë politik të Bashkimit Evropian synon të konfirmojë momentumin e ri në procesin e zgjerimit të BE-së.
Në prag të nisjes së turneut, Costa ka deklaruar se vizita e tij përcjell një sinjal të qartë: angazhimi i Bashkimit Evropian ndaj rajonit është real, ashtu si edhe perspektiva e zgjerimit. Ai ka theksuar se ekziston një momentum i ri në këtë proces dhe se vendet e rajonit duhet të tregojnë rezultate konkrete, raporton RTK.
Ky momentum i ri në procesin e zgjerimit shihet më së miri në rastin e Malit të Zi, i cili konsiderohet kandidati më i mundshëm për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian, madje para përfundimit të kësaj dekade.
Antonio Costa do ta përfundojë turneun ballkanik në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë edhe në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që mbahet në Tivat më 5 qershor. Samiti pritet të trajtojë perspektivën e zgjerimit për vendet e rajonit dhe reformat e nevojshme në procesin integrues.
Kosova, si i vetmi shtet i rajonit pa status kandidati, do të përfaqësohet në këtë samit nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
