E premte, 22 Qershor 2018
Kupa e Botës në Rusi mund të cilësohet që tani, edhe pse shumë herët, si Botërori i surprizave të pakëndshme për “të mëdhenjtë” e futbollit botëror.
Teksa pritej të triumfonin e jo vetëm, por të nxirrnin në pah edhe vlerat e superyjeve të tyre, ekipet më në zë të arenës botërore nuk po arrijnë të dalin në lojën e tyre e të shënojnë shumë.
Brazili tentoi, por më kot ndaj Kosta Rikës, që për pak sa nuk i ndali në një barazim pa gola, po të mos ishte për Coutinhon që gjeti rrugën e golit në minutën e parë shtesë të ndeshjes, ndërsa Neymar do të përfitonte nga “shpartallimi” i miqve amerikano-qendrorë për të shënuar edhe të dytin në minutën e 97.
Fantazisti i Barcelonës shpëtoi kështu ekipin e “Sambës” nga befasia, ndërsa “mister 222 milionshi” i PSG-së shpërtheu në lotë nga gëzimi.
Tani Brazili ngjitet në kuotën e 4 pikëve, në pritje të superpërballjes së mbrëmjes mes Serbisë dhe Zvicrës, me ballkanasit që kanë 3 pikë dhe zviceranët vetëm një, duke lënë në fund Kosta Rikën me zero pikë.
Etiketa: Botërori 2018, brazil, Kosta Rika, Kupa e Botës, Russia 2018