E martë, 15 Dhjetor 2020
Bajdenin, Blinkenin dhe Ballkanin nuk i lidhë vetëm shkronja e parë, por shumë histori të përbashkëta, që nga koha e Presidentit Klinton. Si do të reflektohet kjo në politikën e jashtme amerikane ndaj rajonit?
Pas tërheqjes së Obamës nga Ballkani, e pas komunikimit në distancë me Ballkanin nga Tramp, duket se Bajden, do i rikthejë SHBA-të në rajonin, ku tashmë ateruan Rusia dhe Kina.
Konform premtimeve elektorale, multilateralizmi i Bajdenit, pritet të zëvendësojë unilateralizmin e Trampit. Euro-Atlantizmi i të parit, do e ri-vendos Ballkanin në Evropë, nga “ç’vendosja” e përkohshme në Lindjen e Mesme nga ky i dyti. Në vend të normalizimit asimetrik të BE-së (2011-2019) dhe normalizimit ekonomik të Trampit (2019-2020), Bajden besohet të inaugurojë një proces serioz: SHBA-BE për mbylljen e paqes së fundit të pa-përfunduar në Ballkan.
Pritet që Bajden, ti trajtojë marrëdhëniet: Kosovë- Serbi si çështje sigurie, në vend të trajtimit nga Tramp si çështje tregtie. Sepse, dy shtetet nuk janë në armiqësi – shkaku i tregtisë, por shkaku i pushtimit serb të Kosovës. Fundja, tregtia nuk qe casus belli as në vitin 1998, e as pas lufte. Mallrat serbe hynin lirshëm në Kosovë, derisa Qeveria Haradinaj nuk aplikoi taksën, e Qeveria Kurti nuk vendosi reciprocitetin, që u hoq nga Qeveria Hoti, si kusht për uljen në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator 2020.
Tregtia e lirë dhe jo njohja ndër-shtetërore ishte kryefjala e zotimeve unilaterale në Uashington. Mirëpo, vështirë që ato, do e obligojnë juridikisht Bajdenin, sepse nuk ishin as traktat ndërkombëtar, (që kërkon ratifikim në Kongres) e as “Presidential Executive Order” i Trampit (që duhet zbatuar nga pasardhësi i tij).
Në vend të “paqes ekonomike” të Trampit, “pas luftërave 400 vjeçare”; Bajdeni me gjasë do të ofrojë paqen politike midis Kosovës e Serbisë, me marrëveshje finale dhe njohje reciproke. Derisa Tramp pranoi kërkesën e Vuqiqit për heqjen e njohjes reciproke nga teksti i atyre zotimeve, pritet që Bajden do e detyrojë Vuqiqin ta njeh Kosovën në një traktat paqe.
Nëse nën presidencën e Trampit, Serbia kishte nënshkruar, siç thoshte presidenti serb: “marrëveshjen më të mirë me SHBA-të në 140 vitet e fundit”; nën presidencën e Bajdenit, Beogradi sipas të gjitha gjasave, do nënshkruaj marrëveshjen e vetme të qëndrueshme: njohjen ndër-shtetërore. Pa këtë, Beogradi nuk mund të shpresojë BE-në, siç i rekomanduan Bajdenit Engell dhe Ollbrajt gjatë dëshmisë së fundit në Kongresin Amerikan.
Pra, Vuqiqi më nuk do të mund të luajë në letrën: “edhe me BE-në edhe me Rusinë”, aq më pak të mbajë pozitën “neutrale” ndaj NATO-s, e me armatosje ruse. Pas zbutjes së NATO-s karshi forcimit të Rusisë gjatë Obamës; e pas ekskomunikimit të NATO-s dhe afrimit me Rusinë gjatë Trampit; Bajden do e ri-forcoj NATO-n, përballë Rusisë.
“Hard Power” i Bajdenit, do e zëvendësojë “Soft Power” të Obamës dhe “Tweet Power” të Trampit. Bajden, pritet ta rikthejë diplomacinë e mbështetur me forcë, pas cilësimit të Rusisë si kundërshtare e sidomos pas vlerësimit të saj nga NATO si kërcënimin kyq deri më 2030.
Si idhtar i intervenimit ushtarak në Kosovë, Bajden vështirë se do të tërhiqet nga ajo që e kishte thënë në vitin 1999: “Millosheviqin duhet nxjerrë para drejtësisë, sikur Gjermaninë e Japoninë pas Luftës së Dytë Botërore, për t’i ja çjerr maskën e viktimizimit“.
Ri-viktimizimin e Serbisë, ndërkaq gati se nuk u bëri Grenell, me premtimin për rindërtimin e ndërtesës së gjeneral-shtabit të ushtrisë serbe, të rrënuar nga bombardimet e NATO-s, ditën kur ai në Beograd, hapte zyren e DFC, që ri-ktheu Serbinë në qendër gravituese të rajonit. Ky i dërguar i Trampit për dialogun Kosovë-Serbi, ishte ideatori kryesor edhe i moratoriumit për aplikim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke e detyruar Republikën e Kosovës që të abstenonte nga anëtarësimet multilaterale!
Dallimi pra është i qartë. Sidomos me nominimin e Antoni Blinken, në krye të Departamentit të Shtetit, post ky i shpresuar nga Grenell. Blinken, pritet të zëvendësojë Majk Pompeon, i cili nuk u duk fare në Shtëpinë e Bardhë, ditën e nënshkrimeve unilaterale me 4 shtator. Si diplomat i Presidentit Klinton, Blinken e konsideronte interventimin e NATO-s, të domosdoshëm dhe të suksesshëm, kur në vitin 2017 do të deklaronte se “luftuam 78 ditë për Kosovën”. Ndërkaq, në vitin 2015, qartë kërkonte që “Kosova të pranohet në UNESCO si anëtare fuqiplotë”.
Sa për krahasim, Grenell, ishte kundërshtar i këtyre “simbolikave” dhe i kthimit në të kaluarën. Nëse mund ti besohet fjalëve se emisare e Bajdenit për këtë dialog do të jetë Madlin Ollbrajt, ky do të ishte edhe një dallim tjetër thelbësor.
Konturat e një politikë të re të jashtme për Ballkanin po qartësohen dhe ndryshimet janë të pritshme.
Dallimi ka emër: Bajden!
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Blerim Reka