Dëbora izolon Verilindjen, temperaturat do të bien deri në -17◦


E shtunë, 16 Janar 2016

Kukës – Përkeqësimi i kushteve të motit dhe rikthimi i reshjeve ka shkaktuar probleme këtë fundjavë në disa zona të vendit. Në Pukë, Tropojë, Kukës dhe Korçë trashësia e borës ka kaluar 10 cm, ndërsa pjesa tjetër e vendit përballet me reshje shiu.

Në Rrugën e Kombit, pikërisht në Skuraj, janë regjistruar rrëshqitje dherash. Kjo e ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e Ushtrisë. Njëzet kamionë të Ushtrisë shkuan dje në vendin ku është dëmtuar rruga, për të shkarkuar gurë, në mënyrë që të shmanget shembja e rrugës. Në Krujë dhe Lezhë është rikthyer frika e përmbytjeve.

Për të shmangur situata të tilla, në HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit është reduktuar shkarkimi i ujërave. Reshjet e botës kanë krijuar probleme në juglindje të vendit. Situata paraqitet më e vështirë në Qafë-Plloçë dhe në aksin Pogradec-Qafë Thanë. Në segmentet Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Pogradec-Qafë-Plloçë, Podgorie-Liqenas-Doganë e Goricës, lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë.

Në qarkun e Kukësit dhe në Dibër, trashësia e dëborës shkon nga 10 centimetra në zonat e banuara, deri në 40 centimetra në zonat e larta. Autoriteti Rrugor shqiptar njofton se ka reshje dëbore në aksin tuneli Thorre-Kalimash-Morinë, që është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në Elbasan, stuhi dëbore përfshinë zona të thella malore duke arritur trashësinë deri në 30 cm. Madje në disa fshatra trashësia kaloi mbi 50 cm. Nën “pushtetin” e dëborës ndodhen fshatrat e njësive administrative Stravaj, Stëblevë, Sopot, Polis, Rrajcë në Librazhd, Skëndërbegas, Lenie, Poroçan, Funar në Elbasan.

Denoncime të shumta mbërrinin përmes rrjetit social Facebook, ku raportohej se 8 fshatra janë bllokuar në komunën Zall-Bastar, si pasojë e rrëshqitjeve nga reshjet e dendura të shiut. Dëbora pritet të zbardhë sot një pjesë të konsiderueshme të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin, ndërsa do të kemi rënie drastike temperaturash deri në disa gradë nën zero. Të mërkurën do të shënojnë temperaturat më të ulëta, nga -15 deri në -17 gradë në zonat malore, ndërsa ato maksimale deri në -5 gradë./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit