Dega e PD-së në Vushtrri organizoi aktivitet për dhurim të gjakut


E premte, 21 Mars 2014

Partia e Drejtësisë, dega në Vushtrri, ka ndërmarr të premten një aksion për dhurim të gjakut në fshatin Stanovc. Thirrjes për dhurim të gjakut i janë bashkuar dhjetëra banorë të këtij fshati, duke treguar solidaritet dhe ndjenjën e humanizmit për të gjithë ata që kanë nevojë për këtë produkt medicinal mjaftë të rëndësishëm për jetën e njeriut.

Ndër të parët që erdhën për të kryer këtë gjest human ishte edhe i moshuari Ejup Klinaku, i cili tha se një gjë të tillë e bënë çdo vjet.
“Populli ynë ka nevojë të madhe për t’ju ndihmuar. Ka fëmijë, pleq, të rinj që janë të sëmur. Mendoj se ky aktivitet është i qëlluar dhe kishim apeluar që të gjithë të bëjnë një gjë të tillë, se ka edhe shpërblim te Zoti”, ka pohuar ai.

Kryetari i Partisë së Drejtësisë në Vushtrri, që njëherësh është edhe drejtor i Shëndetësisë në këtë komunë, Abdullah Klinaku, ka bërë të ditur se ky është aktiviteti i dytë që kjo parti e ndërmerr për grumbullimin e gjakut në këtë fshat.

“Është aktiviteti i dytë që e organizojmë për dhurimin e gjakut. Ky organizim i sotit është në fshatin Stanovc, në bashkëpunim me banorët e këtij fshati, në bashkëpunim të ngushtë edhe me nëndegën e PD-së këtu, me të vetmin qëllim që të dëshmojmë ndjenjat më të mira humanitare”, ka pohuar ai.

Fadil Mahmuti, menaxher në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, këtë aksion për dhurim të gjakut të organizuar nga Partia e Drejtësisë, e ka vlerësuar si shumë të qëlluar, pasi që konsideron se nevojat për gjak janë të mëdha.
Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që të mos hezitojnë, por t’i përgjigjen kërkesave të tyre për dhurim të gjakut.

“Është një aksion shumë i qëlluar dhe do të ishte mirë që këtë shembull ta ndjekin edhe në qendra të tjera. Kjo ekip e jona është e vetmja në vend që merret me grumbullimin e gjakut, ku i vizitojmë shkollat fillore të mesme dhe xhamitë në mbarë Kosovën”, ka thënë ai.

Mahmuti, me këtë rast ka bërë të ditur se vetëm për nevojat e QKUK-së brenda 24 orëve, nevojiten 150 doza gjaku.