E diel, 17 Gusht 2014
Veprimtari i shquar, Adem Demaci ka komentuar lidhur me zhvillimet e fundit që e lidhin vendin tonë me terrorizëm, dhe arrestimet që janë bërë për këtë.
Demaçi në një prononcim, fajëson policinë e vendit që nuk ka bërë me kohë arrestimet, dhe tani të mos arrestohet numër kaq i madh i qytetarëve.
“Këto arrestime janë ajo çka është dashtë të jetë me kohë e mos me u arrestuar 40 vetë, por me i arrestuar 3-4. Njerëzit kriminel nuk po e shohin që këtu shteti është i organizuar dhe efikas dhe është i gatshëm çdo kujt atë që e meriton”, tha Demaçi.
Për të pika më e dobët e shoqërisë sonë mbetet policia, pasi sipas tij “prej asaj kohë që u vodhën ari brenda policisë, e nuk u morr vesh se çfarë u bë”.
Lidhur me imazhin që këto arrestime i japin Kosovës, Demaçi tha se kjo nuk i jep imazh të keq vendit por strukturave të sigurisë.
“Këtu nuk është puna e imazhit të Kosovës por e imazhit të policisë dhe shërbimeve tona të sigurisë. Mos e bëni viktimë Kosovën pa kurrfarë faji. Qytetarët e shkretë të Kosovës për këtë nuk kanë faj”, tha ai.
Madje, Demaçi i ka fajësuar edhe gazetarët për raportimin për këtë imazh, duke thënë se “po mundohen me largu fajin atje ku është e me gjuajt dika tjetër”.
Etiketa: Adem Demaçi, Arrestimet, Kosovë