E shtunë, 21 Qershor 2014
Adem Demaçi mendon se Evropa i ka toleruar së tepërmi politikat serbe, prandaj sot prodhohen lajme si ato mbi Lumin Ibër. Ai thotë se vendosja e barrikadës mbi Urën e Ibrit është vazhdim i politikave serbe, të cilat, sipas tij, nuk janë të interesuara të krijojnë një klimë të paqes dhe qetësimit të situatës në Kosovë.
Menjëherë pas largimit të barrikadës që simbolizonte ndarjen e qytetit të Mitrovicës, qytetarët serbë nga Veriu për dy ditë me radhë kanë punuar në ngritjen e një pengese tjetër, e quajtur si “Parku i Paqes”.
Demaçi mendon se kjo është koha e fundit kur Evropa duhet ta kuptojë se me çfarë ka punë dhe me kë ka punë.
“Kjo më së pari tregon hipokrizinë e politikës serbe. Kjo tregon se politika serbe nuk është e sinqertë aspak. Kjo tregon, gjithashtu, edhe një gabim trashanik që po e bën kjo nëna jonë e madhe, Evropa, me këto lëshimet e pafundme që po i bëhen Serbisë. Ata janë lazdruar dhe po luajnë majtap edhe me Evropën, edhe me Amerikën, edhe me krejt Botën”.
“Sigurisht që kjo ka për të krijuar, dhe ka krijuar, tensione tek shqiptarët, por edhe tek serbët, të cilët gjithashtu janë lodhur më me këto politika rreth Kosovës, si ata të Serbisë, si këta tjerët në Kosovë”.
“Në Beograd, edhe këtu në Kosovë, janë krijuar klikat çetnike të cilat nuk janë të interesuar për zgjidhje dhe qetësim definitiv të situatës në Kosovë”.
Demaçi mendon se ngjarjet e fundit që po ndodhin në Mitrovicë do të duhej ta ndërgjegjësonin bashkësinë ndërkombëtare.
Thotë se Evropa duhet ta dijë me kë ka punë.
“Kjo është një tërheqje e një vërejtjeje të madhe që duhet të dinë se me çfarë dhe me kë kanë punë. Ne kemi punë vazhdimisht me çetnikët të cilët janë mësuar që vetëm t’u bëhen lëshime”.
“Edhe Evropa po bindet më në fund për do fjalë tonat, që ua kemi tërhequr vërejtjen disa herë, që po investoni në vend të gabuar, po investoni dhe po u bëni lëshime atyre të cilët kurrë njëherë nuk kanë qenë për paqe, për bashkëpunim dhe për qetësi këtu në Ballkan”.
“Gabimin fillestar këtu e ka pasur Franca. Ishte ajo që në pikë të ditës lejoi që shqiptarët të përziheshin nga trojet e tyre. Së pari herë në histori, që nga koha e otomanëve e deri sot, u krijua një pjesë e Kosovës ku paska njëfarë shumice serbe”.
Demaçi, duke folur tutje shprehet se zhvillimet e fundit në Mitrovicë, me barrikadat që po tensionojnë situatën atje, do të jenë një mësim për Evropën.
“Kam shpresë të madhe se kjo që po ndodh tek ura, të jetë një mësim i qartë për këta që janë në krye të Evropës sot.”
“Le ta shohin që e paskan bërë llogarinë gabimisht, sikur që ndodhi me Rusinë. Ndryshe, po kështu edhe kjo që bëri Serbia ose çetnikët, që janë të interesuar të rrinë në pushtet dhe të bëjnë pengesa, po shihet që është një mesazh i qartë për ata të Evropës. Është mesazh i qartë që me serbët nuk ka lëshime, nuk ka shpresa të rreme se me ta mund të merremi vesh”.
“Me ta duhet të bisedohet ndryshe dhe të veprohet ndryshe.”
“Është koha e fundit ta kuptojnë se faktorizimi i shqiptarëve është shpëtimi dhe krijimi i shtyllës kryesore të rëndësishme për një paqe të qëndrueshme dhe të fortë këtu në këtë Ballkanin Perëndimor”.
“Ka ardhur koha që këtë ta kuptojë Evropa dhe unë po besoj kjo është koha e fundit dhe ky është krimi i fundit i çetnikëve të Beogradit të cilët bënë gabim trashanik që e bënë këtë punë, që nuk u përmbajtën marrëveshjeve që i nënshkruan në Bruksel”.
“Ata po e vazhdojnë edhe më tutje në politikën e tyre hegjemoniste dhe padrejtësive ndaj shqiptarëve”.
“Evropa duhet t’ua njohë shqiptarëve te drejtat që u takojnë dhe t’u jepet mundësia shqiptarëve që të jenë të zotët e vetvetes, në mënyrë që mund të jemi kështjellë e sigurisë dhe e mundësisë së krijimit të një klime, ashtu siç është në frymën e Evropës”, ka deklaruar Adem Demaçi./Politiko.net/