Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së dhe MFSK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prizren Post | 17:44 - 08.05.2014

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshja ka për qëllim krijimin e kushteve themelore dhe procedurave tjera, për të lehtësuar ofrimin reciprok të mbështetjes logjistike, furnizimeve, dhe shërbimeve të tjera, kryesisht gjatë ushtrimeve të kombinuara, trajnimeve, dërgimit-dislokimit të trupave, transportit detar, si dhe operacioneve.

Gjithashtu ka të bëjë edhe në rastet e tjera të bashkëpunimit, si në rrethana të paparashikuara ose urgjencave, në të cilat njëra prej palëve mund të ketë nevojë për mbështetje logjistike, furnizime, dhe shërbime.

Këtë marrëveshje e kanë nënshkruar ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), Agim Çeku dhe zëvendës Ambasadorja e SHBA-ve, në Republikën e Kosovës, Jennifer Bachus.

Gjatë takimit, të dy palët janë pajtuar që të vazhdojnë bashkëpunimin përmes kësaj marrëveshje për furnizim dhe shërbime të ndërsjella.

Mbështetja logjistike, furnizimi dhe ofrimi i shërbimeve, sipas kësaj marrëveshje, do të bëhet në përputhje me rregullat ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Marrëveshja ka përcaktuar kushtet në bazë të cilave, të dyja palët do t’i realizojnë të drejtat dhe do t’i përmbushin detyrimet-obligimet e tyre, ku secila palë do të bëjë përpjekjet e saj, në përputhje me prioritetet kombëtare, për të përmbushur kërkesat e palës tjetër. /Telegrafi/


Etiketa:
Arivisti Company