Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Dëshirë apo realitet, hyrja e Kosovës në TAP…?

Prizren Post | 16:24 - 19.08.2013

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Lidhja e Kosovës në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), do të sjell përftime të shumta për shtetin e ri, lidhje e cila do të bëjë të mundur për herë të parë që përkrah qymyrit dhe naftës të përdoret gazi si një burim të energjisë në Kosovë, kanë theksuar për Telegrafin politikanë dhe njohës të ekonomisë.
Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj shprehet se lidhja e Kosovës në gazsjellësin Trans-Adriatik duhet të shihet në kontekst të qasjes së Kosovës në një burim të ri të energjisë dhe në kontekstin e liberalizimit të tregut të gazit në rajon.

Sipas tij, kërkesat për energji në të ardhmen do të jenë të larta, duke shtuar se ky projekt do të gjenerojë miliona investime në sektorin energjetik të Kosovës.

“Projekti TAP do të jetë një punëdhënës i rëndësishëm në Kosovë në vitet e ardhshme. Do të ofrojë mundësinë për familjet kosovare të përdorin gazin krahas energjisë elektrike, çka do të thotë në praktikë çmime me të lira të energjisë për qytetarët tanë”, tha ai për Telegrafin.

Ministri i Punëve të Jashtme, ka deklaruar se nga konteksti rajonal kyçja e Kosovës në TAP është shumë e rëndësishme.

“Siç e dini aktualisht rajoni varët shumë nga gazi rus, dhe Gazprom është ofruesi i vetëm i gazit në rajon. Me hyrjen e TAP-it në tregun rajonal të gazit, tregu liberalizohet, qe ka një ndikim shumë të rëndësishëm politik në pavarësinë e sektorit energjetik të rajonit”, shprehet ai për Telegrafin.

Ai ka vlerësuar se Kosova së bashku me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që synojnë për t\’u kyçur me TAP do të kenë qasje në një gazsjellës të mbështetur nga Bashkimi Evropian BE, duke shtuar se BE-ja dhe aleatët e Kosovës kanë punuar me vite që të ketë gazsjellës të pavarur nga furnizuesit e gazit në Evropë, gjë të cilën tash po e ofron projekti TAP.

Sipas tij, ky projekt e bënë të pamundur që ndonjë ofrues i gazit të bëhet dominues i tregut, siç është parë në vitet e kaluara në Evropën Lindore.

“Pozicioni gjeopolitik i Kosovës dhe i rajonit vetëm sa forcohet nga qasja në një gazsjellës Evropian si TAP përderisa jemi në rrugën e integrimit evropian”, ka shtuar Hoxhaj.

Unë jam personalisht i përkushtuar që Kosova të kyçët me gazsjellësin TAP. Ne si MPJ do të punojmë maksimalisht për të përgatitur të gjitha dokumentet e nevojshme së bashku me të gjitha institucionet relevante në vend, ndërsa në të njëjtën kohë do të lobojmë tek partnerët tanë për të fituar qasje në TAP. Një sfidë është se Kosova nuk ka infrastrukturën e distribucionit të gazit, ndërsa ne kemi nevojë për të informuar qytetarët tanë në lidhje me përfitimet e kyçjes në gaz.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi ka theksuar se përfshirja në TAP do t’i krijonte Kosovës mundësi që gazin ta shfrytëzoj si burim energjetik – si duke prodhuar energji, por njëkohësisht duke përdorur atë për amvisëri, industri, apo për ngrohjen e qyteteve.

“Kjo e bënë atraktiv këtë burim pikërisht për shkak të kostos më të ulët, por edhe që nuk e rrezikon ambientin”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, ka shumë pengesa që Kosova të përfshihet në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik TAP.

“Së pari, ende nuk është e qartë mundësia se ku do të kyçet Kosova në TAP, meqenëse gypi kryesorë është larg prej saj – në Vlorë. Pastaj pengesë tjetër është kostoja e projektit, mundësia e sigurimit të parave dhe kalkulimet për ndikimin e gazit në bilancin tregtarë të Kosovës, meqenëse, siç dihet gazi importohet krejtësisht”, ka theksuar ai.

Rexhepi ka deklaruar se sa i përket bilancit tregtar, nuk beson se do të jetë problem, pasi futja e gazit si lëndë energjetike në amvisëri dhe industri sipas tij, do të ndikoj në uljen e shpenzimit të energjisë elektrike, apo së paku, shfrytëzimin e saj racional, duke shtuar se kjo do të thotë se importi i gazit mund të mbulohet me eksportin e energjisë elektrike. /Telegrafi/


Bëni një koment