Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar


E shtunë, 30 Maj 2026
Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar
Kanë kaluar pothuajse pesë vjet që kur talebanët ndaluan vajzat mbi moshën 12-vjeçare të shkojnë në shkollë, ndërsa janë dhënë arsye të ndryshme për të shpjeguar pse ndalimi vazhdon ende. Pesë vjet gjatë të cilave vajza si Alia janë rritur pa arsimimin që dëshironin dhe kishin nevojë. Vite në të cilat rruga drejt një karriere është mbyllur pothuajse plotësisht, duke ua ngushtuar mundësitë, derisa miliona vajza në Afganistan kanë mbetur vetëm me një zgjedhje: martesën.

Alia, emri i së cilës është ndryshuar për sigurinë e saj, ka udhëtuar qindra kilometra nga fshati i saj drejt Kabulit për t’i shpëtuar martesës.

Udhëtimi me taksi vitin e kaluar, së bashku me kushërirën e saj femër, të mbuluara nga koka te këmbët, ku vetëm sytë u dukeshin, siç e kërkojnë rregullat, ishte diçka e jashtëzakonshme dhe e rrezikshme në Afganistan, ku në çdo moment mund të ndaloheshin nga inspektorët talebanë që zbatojnë rregullat që ua ndalojnë grave të udhëtojnë në distanca të gjata pa një të afërm mashkull shoqërues.

Por Alia, e cila është 19 vjeçe, dhe kushërira e saj nuk u ndaluan në asnjë postbllok taleban dhe arritën në kryeqytet.

“I shpika familjes sime një justifikim duke thënë se po vija këtu për të takuar miqtë dhe ish-shoqet e klasës. Por kjo nuk është e vërtetë. Ato nuk janë këtu. Arsyeja e vërtetë është se nëse do të qëndroja në Daykundi, do të më detyronin të martohesha”.

Në vend të kësaj, ajo mbërriti në Kabul me një plan: u regjistrua në një kurs të gjuhës angleze.

Këto kurse private afatshkurtra, të disponueshme vetëm për ata që mund t’i përballojnë financiarisht, së bashku me medresetë që fokusohen në edukimin fetar, janë të vetmet mundësi që vajzat të mësojnë pas shkollës fillore në Afganistan. Por asnjëra nuk mund të zëvendësojë arsimin formal.

Kanë kaluar pothuajse pesë vjet që kur talebanët ndaluan vajzat mbi moshën 12-vjeçare të shkojnë në shkollë, ndërsa janë dhënë arsye të ndryshme për të shpjeguar pse ndalimi vazhdon ende.

Pesë vjet gjatë të cilave vajza si Alia janë rritur pa arsimimin që dëshironin dhe kishin nevojë. Vite në të cilat rruga drejt një karriere është mbyllur pothuajse plotësisht, duke ua ngushtuar mundësitë, derisa miliona vajza në Afganistan kanë mbetur vetëm me një zgjedhje: martesën.

Rezistenca – e vështirë

Historia e Alias është e pazakontë, jo vetëm për trimërinë e saj. Ajo vjen gjithashtu nga një familje që ka mundësi financiare për të ndjekur ato pak mundësi që ekzistojnë për gratë e reja, një gjë e rrallë në një vend ku tre në katër njerëz nuk mund të përmbushin nevojat bazë, sipas Kombeve të Bashkuara.

Nuk është se familja e Alias nuk dëshiron që ajo të studiojë, ata janë pajtuar që ajo të qëndronte në Kabul dhe ende po financojnë kursin e saj të anglishtes, por edhe ata janë të kufizuar nga realiteti i jetës në Afganistan.

“Para ndalimit, prindërit e mi më inkurajonin me pasion të shkoja në shkollë. Më thoshin se patjetër mund ta arrija ëndrrën time për t’u bërë pilote. Por tani thonë se mënyra më e mirë për mua është të martohem sepse nuk mund të shkoj në shkollë, në universitet, madje as të punoj”, shpjegon ajo.

Alia ka marrë propozime për martesë. Ajo ka frikë se mund të detyrohet të pranojë një prej tyre dhe ka frikë se familja ku do të martohet mund të mos i japë lirinë që i japin prindërit e saj.

“Disa familje mund të jenë shumë kufizuese. Është e mundur të më thonë t’i harroj ëndrrat e mia. Nuk ndihem aspak mirë me këtë”.

Por vendosmëria e saj është e hekurt.

“Nëse familja ime nuk më detyron të martohem, do të pres. Do të rezistoj deri në frymën time të fundit”, thotë ajo. Por rezistenca për një kohë të gjatë është e vështirë.

Ndërkohë, në një shtëpi të vogël dhe të zhveshur në perëndim të Kabulit, takojmë Shamën.

“Nëse talebanët nuk do ta kishin marrë pushtetin, tani pothuajse do ta kisha përfunduar shkollën. Do të isha afër ëndrrës sime për t’u bërë mjeke. Kjo ishte ajo që doja”, thotë Shama.

Në vend të kësaj, katër vjet më parë, në moshën 18-vjeçare, ajo u shty nga nëna e saj të martohej.

Tani është nënë e një foshnje dhe e një fëmije të vogël, të dyja vajza.

Emrat e saj dhe të familjes janë ndryshuar për sigurinë e tyre.

Nëna e saj, Kamila, e cila punonte si pastruese për t’i dërguar vajzat në shkollë pasi burri i saj vdiq gjashtë vjet më parë, ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër. Ajo kishte frikë se vajza e saj, një grua e re në moshë për martesë, do të tërhiqte vëmendje negative dhe do të përballej me vështirësi nëse mbetej beqare.

“Kisha frikë se ata (ushtarët e qeverisë talebane) do të më pyesnin pse nuk po e martoja”, tregon Kamila.

“Doja që ajo të arsimohej, të punonte dhe të kontribuonte në shoqëri. Unë jam analfabete, prandaj jam si një person i verbër. Por doja që vajzat e mia të mësonin. Ajo (Shama) kishte aq shumë ëndrra. Por ato nuk u realizuan”, shpjegon ajo më tej.

Ndjenja e burgosjes 

Ndalimi i arsimit nga qeveria talebane tashmë ka pasur një ndikim të pakthyeshëm në jetën e panumërt të grave dhe vajzave. Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse ndalimi vazhdon deri në vitin 2030, “më shumë se dy milionë vajza do të jenë privuar nga arsimi përtej shkollës fillore, në një vend që tashmë ka një nga nivelet më të ulëta të aftësisë së shkrim-leximit mes grave në botë”.

“Të kesh burrë nuk është ëndrra e vetme që ka një grua. Ajo duhet të qëndrojë fillimisht mbi këmbët e veta, të bëhet e pavarur dhe pastaj mund të martohet dhe të krijojë familje. Por unë hyra në këtë jetë të re pa asnjërën prej këtyre. Ëndrrat e mia mbetën të parealizuara”, thotë Shama.

Para marrjes së pushtetit nga talebanët, Shama kishte refuzuar shumë propozime martese.

“I refuzova sepse arsimi ishte më i rëndësishëm për mua se çdo gjë tjetër. Ajo që doja për veten time nuk ishte ajo që ata (burrat e mundshëm) donin për mua”, thotë ajo.

Tani ajo thotë se është vazhdimisht nën stres dhe ndihet e tronditur edhe kur shikon filma ku personazhet femra paraqiten duke punuar ose studiuar.

Burri i saj e trajton mirë, por dhimbja që nuk pati mundësinë të realizonte potencialin e saj nuk i largohet kurrë.

“Është vërtet shumë e vështirë për mua. Ndihem sikur jam e burgosur në shtëpinë time. Jetoj vetëm për fëmijët e mi”, thotë ajo.

Motra e saj 18-vjeçare, Nora, tani ka frikë se edhe ajo do të përballet me të njëjtin fat.

“Jam shumë e re për t’u martuar. Dua të vazhdoj arsimimin tim. Është si të jesh në burg. Kam frikë të dal jashtë për shkak të qeverisë, ndërsa në shtëpi nëna më thotë se duhet të martohem”, thotë Nora, e cila shpesh ëndërron të rikthehet në shkollë.

Por ajo nuk beson se do të kthehet ndonjëherë në shkollë nën qeverinë talebane.

“Qeveria talebane ka thënë se shkollat janë të mbyllura për vajzat deri në një njoftim tjetër. Por kanë kaluar katër vjet e gjysmë tani. Ne kemi pritur atë mesazh çdo ditë”, shprehet ajo.

Që nga viti 2021, përgjigjja e qeverisë talebane ndaj pyetjes se kur do të rihapen shkollat për vajzat, ka kaluar nga një arsye te tjetra, duke përfunduar tani në shmangie dhe heshtje.

Në shtator 2021, në intervistën e parë të BBC-së me një zëdhënëstaleban pasi morën pushtetin, ai ka thënë se shkollat për vajzat do të hapeshin, duke shtuar se po “punonin për të përmirësuar situatën e sigurisë”.

Një vit më vonë, përgjigjja ishte se “dijetarët fetarë kanë shqetësime për sigurinë e vajzave gjatë udhëtimit për në shkollë dhe kthimit prej saj”, por se po punonin për zgjidhjen e problemit.

Në vitin 2024, një zyrtar tjetër i qeverisë talebane, Hamdullah Fitrat, tha se “Ne jemi në pritje të vendimit të udhëheqësisë”.

Këtë muaj, korrespondentja e BBC-së për Azinë Juglindore dhe Afganistanin, Yogita Limaye, e cila intervistoi shumë vajza në Afganistan lidhur me dëshirën e tyre për shkollim, takoi sërish Fitratin, i cili nuk donte të fotografohej me një grua apo të ulej përballë saj. Ajo e kishte pyetur si mund të vazhdojnë ta justifikojnë ndalimin e arsimit të mesëm dhe universitar për gratë.

Ai ishte përgjigjur  duke theksuar se “rreth shtatë milionë djem dhe pesë milionë vajza aktualisht po studiojnë”.

“Kufizimi i arsimit përtej klasës së gjashtë është një çështje e veçantë”, ka thënë ai, duke e drejtuar mediumin te ministria e Arsimit.

Kur Limaye kishte insistuar më tej, duke thënë se gratë dhe vajzat në Afganistan thonin se nuk besojnë se arsimi do të hapet ndonjëherë nën qeverinë talebane, përgjigjja e tij ishte sërish që mediumi t’i drejtohej Ministrisë së Arsimit.

Mirëpo ministria e Arsimit nuk është përgjigjur në pyetjet e BBC-së.

Ka ndarje brenda qeverisë talebane për çështjen e arsimit të grave, por udhëheqësi suprem vetëm sa e ka ashpërsuar qëndrimin e tij gjatë viteve.

Gratë dhe vajzat e kujtojnë ditën kur shkollat u mbyllën për to sikur të kishte ndodhur dje.

“Gjithçka që bëra ishte të qaja dhe të dënesja gjithë ditën dhe natën”, kujton Alia.

“Nuk munda të flija për një javë. Ndihesha sikur ecja si një trup i pajetë. Kur shoh burra të moshës sime që kanë diplomuar dhe po shkojnë në universitet, ndihem shumë keq, ndihem sikur po digjem në ferr”, shton ajo.

Gratë përballen edhe me shumë kufizime të tjera të vendosura nga udhëheqësi suprem taleban, të zbatuara rreptësisht në disa vende, ndërsa diku tjetër ka pak më shumë liri.
Por këto urdhra ngjallin frikë te njerëzit. Ndikimi kolektiv i zbatimit nga qeveria dhe, në disa raste, i vetëkufizimeve që imponojnë njerëzit mbi veten, ka bërë që gratë pothuajse të mungojnë nga jeta publike.

Duke mbrojtur qeverinë e tij, Fitrat thotë: “Ne kemi lëshuar mijëra leje për gratë që të drejtojnë biznese, gjë që është një hap pozitiv”.

Ai gjithashtu pretendoi se ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit dhe policia morale e qeverisë talebane, ka zgjidhur më shumë se “2,000 raste ku grave u ishte mohuar pjesa e tyre e trashëgimisë” dhe se “2,500 gra që po detyroheshin të martoheshin ose ishin nën moshë janë ndihmuar”.

Por javën e kaluar, qeveria talebane ka kthyer në ligje, rregulla që nënkuptojnë miratim ligjor të martesave të fëmijëve dhe ku heshtja e një vajze të mitur mund të interpretohet si pëlqim për martesë.
Mirëpo provat në terren sugjerojnë të kundërtën: se përhapja e martesave të detyruara dhe nën moshë po rritet sepse vajzat janë të ndaluara të studiojnë.

Mes grave dhe vajzave me të cilat BBC-ja ka folur ekziston ndjesia se një nga format më të rënda të diskriminimit të institucionalizuar nuk po shkakton më aq tronditje apo zemërim. Ato ndihen të braktisura nga bota.

“Nëse nuk do të ishim harruar, atëherë me siguri diçka do të ishte bërë deri tani”, thotë Alia.
“Shpesh mendoj: pse kemi lindur në Afganistan?”, thotë Nora.

Ndërkaq nëna e saj, Kamila, ka një mesazh për nënat në mbarë botën: Në një botë ku vajzat tuaja lejohen të studiojnë dhe të punojnë, lërini ta bëjnë. Lërini të bëhen të pavarura!.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit