E shtunë, 7 Dhjetor 2013
Dy dështimet e autoriteteve të Kosovës, nga përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me hulumtime dhe analiza, konsiderohen të jenë edukimi dhe punësimi. Institucionet kosovare, sipas tyre, në të gjitha strategjitë apo planet e veprimit këto dy çështje i ka trajtuar ndaras dhe rrjedhimisht ka bërë që në Kosovë të ketë studentë me diplomë e të papunësuar.
Udhëheqësi i Institutit për Studime të Avancuara “GAP”, Agron Demi theskon për Radion Evropa e Lirë, se në të gjitha grupet ndërministrore që kanë të bëjnë më zhvillimin ekonomik nuk është përfshirë asnjëherë Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, si komponent e rëndësishme e punësimit dhe zhvillimit ekonomik.
“Madje edhe strategjitë qeveritare dhe planet e veprimit nuk kanë ndonjë ndërlidhje mes punësimit dhe arsimit të lartë, dhe kjo është një prej defekteve kryesore, për shkak se ne vazhdojmë të prodhojmë kuadro, që më shumë njohin çështjet praktike, dhe në pamundësi që të ushtrojnë profesionin e tyre mbesin të papunë me diploma, dhe nuk i përshtaten nevojave të tregut, në kohen kur po jetojmë”, vlerëson Demi.
Aty ku Kosova do të duhej të gjeneronte zhvillim ekonomik, vlerëson Demi, është energjia, por siç shprehet ai, në Kosovë nuk ka kuadro të përgatitura të cilat do ët mundin të merrnin në dorë këtë sektorë.
Në bazë të hulumtimeve të bëra nga përfaqësues të komunitete të biznesit është evidentuar se tregu i punës shpeshherë kërkon profesione që në Kosovë ka mungesë të njerëzve profesionistë.
Sipas hulumtimeve, tregu i punës në Kosovë kërkon më së shumti profesione në sektorin e ndërtimtarisë të ulët dhe të lartë si dhe në hoteleri. Për këto profesione vë në pah hulumtimi, punohen nga persona të pakualifikuar.
Një mungesë e profesionalistëve, sipas Demit, është edhe në sektorin e teknologjisë informative. Në këtë sektor, sipas tij, ende ka numër të vogël në krahasim me nevojat.
“Në gjithnjë themi se Kosova është e përshtatshme për shërbime të teknologjisë së informimit, por edhe shkathtësitë në këtë fushë janë në nivelin bazik dhe nuk janë premtuese për një treg të punës në këtë sektorë. Ajo çka do të duhej të bënte Qeveria e Kosovës është që në strategjinë e ardhshme të punësimit, që është duke u përgatitur të përfshijë edhe arsimin e lartë si një prej komponentëve të rëndësishme në mënyrë që të identifikojë ato lëmi, ato kuadro të cilat do të duhej të stimuloheshin”, shton Demi.
Përfaqësues të bizneseve vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet arsimore që në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bëhet edhe përzgjedhja e profileve në sistemin e shkollimit të lartë.
Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thekson se ka mungesë të shumë profesioneve që i kërkon tregu i punës, ndërsa ato punë vazhdojnë t’i kryejnë persona të pakualifikuar.
“Vendet e rajonit kanë bërë shumë në fushën e tekstilit si sektor që ka pasur sukses ka pastaj profesionet që lidhen me sektorin e përpunimit të ushqimit, sektori i metaleve që Kosova ka një traditë ,mirëpo këta njerëz kanë nevojë që t’i marrin certifikimit e reja që janë të njohura ndërkombëtarisht”, thotë Rukiqi.
Ndryshe, papunësia te të rinjtë konsiderohet një problem mjaft i theksuar në Kosovë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15- 24 vjeç.
Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim. /REL/
Etiketa: Dështimet, Kosovë, Qeveria