E hënë, 30 Qershor 2014
Jemi në vitin 2014, saktësisht 100 vite pas vitit 1914, kur në atë kohë në saje të shkurtpamësisë politike, mungesës së këshillave nga futurologët politik, sensit jo të duhur diplomatik, përzierjes së ushtrisë në udhëheqjen politike të shtetit, diplomacia apo më mirë të themi politika udhëheqëse e atëhershme osmane ka bërë gabim fatal dhe të pafalshëm i cili i ka kushtuar me zhbërjen e shtetit osman, respektivisht shkatërrimin e Perandorisë Osmane.
Në atë kohë tre pashallarët e atëhershëm turk, Enver pasha, Talat pasha dhe Xhemal pasha, zbatues të programit qeveritar të partisë së atëhershme Ittihat ve Terakk, saktësisht të politikës së ashtuquajtur xhonturke(turqit e rinj), gjatë periudhë qeveritare 1913-1918, sollën një vendim katastrofal, atë të inkuadrimit të Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, në krah të Perandorisë Gjermane dhe Perandorisë Austro-Hungareze, kundrejt Britanisë së Madhe, Francës dhe Perandorisë Ruse. Ky vendim katastrofal dhe aspak i nevojshëm në atë kohë, bëri që Perandoria Osmane të inkuadrohet në një luftë gjakatare , dhe atë në dy frontet, në atë perëndimore dhe atë lindore. Vetëm në betejën e Çanakales janë vrarë rreth 250.000 ushtarë dhe vullnetar osman, e me qindra mijëra tjerë janë plagosur, ndërsa në betejën e Sarikamishit nga acari dhe dimri i madh janë ngrirë rreth 100.000 ushtarë osman. Pasojat e Luftës së Parë Botërore qenë shkatërrimtare për Perandorinë Osmane, ashtu që në vitin 1918 gati e tërë Perandoria Osmane qe e pushtuar, dhe si pasojë e saj, pas shpërthimit të kryengritjes turke në vitin 1919, në vitin 1923 u shkatërrua në tërësi Perandoria Osmane pas 623 vite ekzistimi dhe në gërmadhat e saj lindi Republika e Turqisë, me territor vetëm në pjesën e Anadollisë aty ku edhe zëri fill krijimi i Perandorisë Osmane në vitin 1299.
Për fat të mirë, në Luftën e Dytë Botërore, në saje të pjekurisë politike dhe sensit diplomatik të ish kryeministrit të atëhershëm turk, Ismet Ineni, e mbajti gjatë gjithë kohës Turqinë si vend neutral dhe asnjanës, dhe nuk u rreshtua në krah të asnjërit bllok të atëhershëm, dhe se gjatë gjithë kohës arriti ta ruaj Turqinë nga përfshirja e saj në Luftën e Dytë Botërore, përkundër gabimit strategjik të përfshirjes së Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, rezultat i kësaj mençurie dhe largpamësie politike ishte edhe mbijetesa e Republikës së Turqisë në kufijtë e saj të vitit 1923.
Tani në vitin 2014, diplomacia apo politika e jashtme turke, e udhëhequr nga tre kreatorët e politikës turke, Rexhep Erdogan, Abdullah Gyl dhe Ahmet Davutogllu, të partisë së AKP-së së tanishme në pushtet që nga viti 2002, kanë bërë gabime në politikën e jashtme turke, në një apo formë tjetër të mundshme të veprimit të saj politik diplomatik ndaj shteteve fqinje të saj. Diplomacia e tanishme turke (me kreatorin e saj Ahmet Davutogllu), sipas mendimit tim, përveç tjerash ka bërë tri gabime politike të veçanta kundrejt diplomacisë ekzistuese aktuale rajonale në Lindjen a Afërt.
Gabimi i parë, ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoglu, me filozofinë e tij politike, i mbështetur edhe nga kryeministri aktual Rexhep Erdogan, lansoi idenë e një rikthimi të epokës së “neosmanizmit”, apo më mirë të themi “neoturcizmit”, pasi që do të ishte më adekuat termi, “neosmanizmi” nënkupton diamatralisht të kundërtën e asaj çka nënkuptojmë me qasjen e “neoturcizmit”. Në një fjalim në Kajseri, qytet në Turqi, në vitin 2012 ka deklaruar: ” do të rikthemi në kufijtë e vitit 1911, të gjitha vendet e humbura do t’i rikthejmë, pa ne në rajon, as gjethja nuk do të mund të lëviz”. Edhe kryeministri turk Rexhep Erdogan e pa veten “ si lider i botës islame, dhe se vendet e Ballkanit, Kavkazit, Lindjes së Afërt e të Afrikës Veriore prapë do të jenë pjesë e një epoke të “neoosmanizmit” të ri”. Por këto klithje të tyre, në suazat e tanishme të ekzistimit dhe fuqisë të faktorëve kyç politik vendimmarrës ndërkombëtar, mund të jenë vetëm ëndrra dhe larg çdo realiteti të tanishëm politik. Pikësëpari, duke marr parasysh historinë e fundit 100 vjeçare, pikërisht vetëm për 5 vjet të ekzistimit të politikës së re xhonturke( turqit e rinj), 1908-1913, e udhëhequr nga partia Ittihat ve Terakk, bëri që kjo politikë e re nacionaliste turke e mishëruar me xhonturqit, hodhi poshtë tërësisht politikën miqësore dhe universale të qytetërimit osman islam 500 vjeçar, dhe se bashkështetasit e tyre osman të atëhershëm më besnik që ishin, arabët, kurdët dhe shqiptarët, i ktheu në armiqtë, dhe nga politika e re nacionaliste turke, arabët, kurdët dhe shqiptarët përjetuan vetëm shkatërrimin, poshtërimin, degradimin tej mase që e hodhi në baltë miqësinë dhe universalizmin osman islam pesëshekullor, dhe në fund i lënë të pushtuar në kthetrat e armiqve të ndryshëm pushtues dhe kolonialist. Pikërisht qenë arabët, të parët që e kundërshtuan këtë tezë të re politike”neoturke”, në rend të parë Arabia Saudite, Egjipti, Siria, si dhe shtetet tjera arabe. Arabët duke qenë se janë 300 milion dhe posedojnë pasuri të madhe nëntokësore, të naftës dhe gazit, nuk duan as të mendojnë e lere më të jenë pjesë e kësaj politike të re aventureske të proklamuar turke. Njashtu edhe Irani nuk e sheh këtë iniciativë me dashamirësi, pasi që si e tillë Persia gjatë gjithë ekzistimit të Perandorisë Osmane nuk ka qenë fare pjesë e ish Perandorisë Osmane, por shtet dhe mbretëri ne vete që ka ekzistuar shekuj me radhë. Për shtetet e Ballkanit, ish pjesë të Rumelisë së dikurshme të Perandorisë Osmane, as që mund të flitet, pasi që ato si të tilla, disa janë veç pjesë e Bashkimit Evropian, e disa të tjerë punojnë dhe veprojnë që në një të ardhme më të afërt të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe Bosnjën, Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë.
Gabimi i dytë, pas fillimit të pranverës arabe, dhe suksesit të arritur në rrëzimin e diktaturave arabe në Tunizi dhe Egjipt, ku Turqia e përkrahu dhe nëpërmjet Vëllezërve Mysliman u përpoq që të vendos një sistem qeveritar demokratik të vet si mostër e udhëheqjes politike, e cila si e tillë u pranua nga Vëllezërit Mysliman në Tunizi dhe Egjipt. Në vend se të vazhdojë me këtë politikë edhe në Siri me diktatorin Bashar Asadin, me të cilin kishin një marrëdhënie të shkëlqyer dhe i cili ishte i gatshëm të vazhdojë me reformat e iniciuara nga diplomacia turke, duke e zbatuar si model qeverisjen turke, dhe këto t’i zbatoj gradualisht me kohë, por nuk ishte e mundshme që të kryej këtë reformë të iniciuar për tre muaj siç kërkohej nga Rexheb Erdogani, edhe pse vet Erdogani që është në pushtet 12 vite, akoma nuk ka mundur në tërësi të përfundoj reformat e vet politike dhe kushtetuese. Por, dështimi i politikës turke qëndron në faktin se ra në kurth të Arabisë Saudite, e cila pas grushshtetit ushtarak të kryer në Egjipt kundër presidentit Muhamed Mursit të zgjedhur në mënyrë demokratike, jo vetëm që e përgëzoi por Arabia Saudite edhe e mbështeti puçin ushtarak të kryer nga gjenerali Sisi duke ja ofruar ndihmë prej 20 miliard dollar së bashku me shtetet aleate të pasura arabe. Përkundër kësaj, Erdogani dhe Davutogllu, të cilët e mbështetën dhe e përkrahën Vëllezërit Mysliman dhe Muhamed Mursin, në vend se të distancohen nga kjo politikë e jashtme saudite, ata së bashku hyjnë në valle me dinastinë sauditite për rrëzimin e regjimit të Bashar Assadit, si mbështetës më të madh të opozitës dhe grupeve kryengritëse siriane që tentojnë me luftë të rrëzojnë Bashar Assadin. Edhe pse i pat thënë Erdoganit gjersa i kishin raportet e shkëlqyera në mes vete, Bashar Assadi: ” Jam i gatshëm të jem krahina apo rajoni i 82 i Turqisë, por vetëm një kusht e kam, që të mos i prishi marrëdhëniet me Iranin”. Por kjo hasi në kundërshtim të Erdoganit, pasi që politika e tij e jashtme ishte në koordinim me aleatët e tij, që ta largojë Sirinë drejtpërsëdrejti nga ndikimi i Iranit dhe në mënyrë indirekte të Rusisë, dhe afrimit të saj në sferën e ndikimit të Perëndimit, dhe se me këtë Erdogani deshti të prononcoj veten edhe si lider i ri i cili mund të realizojë politikën e vet edhe mbi botën arabe. Kryediplomati turk shpesh pat thënë në fillim të konfliktit sirian se “Assadi i ka të numëruara ditët në pushtet, dhe se pas tre muaj ai do të jetë i rrëzuar nga pushteti”. Por jo tre muaj, por po bahet tre vite e gjysmë që kryetari Bashar Assadi akoma po qëndron në pushtet. Shtrohet pyetja se ku qëndron problemi i qëndrimit të Bashar Asadit në pushtet në krahasim me liderin libian të ekzekutuar Muamer Gadafin. Përgjigjja është, se atë e mbështet pjesa më e madhe e popullatës, ka një ushtri të përgatitur dhe të armatosur mirë me gjeneralët besnik ndaj tij, e ka një pakt të nënshkruar me Iranin në vitin 2006 për një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak, i ka raportet të mira me Rusinë, në saje të marrëveshjes për shfrytëzimin e bazës së vetme mesdhetare të Rusisë në Tartus të Sirisë. Kjo haptazi u dëshmua, kur në shtator të vitit 2013 presidenti amerikan Obama qe i gatshëm të intervenojë kundër Bashar Assadit, presidenti Putin publikisht deklaroi “se Rusia do të mbrojë Sirinë”, pas së cilës u zmbraps administrata amerikane dhe u arrit marrëveshja në mes tyre për eliminimin e armëve kimike të regjimit të Bashar Assadit. Për çudi edhe pas kësaj zmbrapsje amerikane, të vetmit që këmbëngulnin edhe më tej për intervenimin ushtarak të SHBA-ve dhe aleatëve të tyre kundër regjimit të Bashar Assadit, pikërisht ishin Turqia dhe Arabia Saudite, që në fakt është një politikë shkurtpamëse si e tillë në aktualitetin e balancit politik të faktorëve kryesor kyç vendimmarrës në arenën ndërkombëtare. Pikërisht gjatë këtyre ditëve e kemi edhe deklaratën e presidentit amerikan Obama dhënë kanalit televiziv CBS:” Nuk ka asnjë grup nga opozita siriane në Siri e cila është në gjendje për të mposhtur regjimin e Assadit”, nga kjo deklaratë e dhënë tani shihej se çdo gjë është e qartë.
Gabimi i tretë, i diplomacisë turke, ishte se në Kurecik të Malatjasë u vendosën pajisjet më të sofistikuara të radarëve, fill pas kësaj edhe Rusia e modernizoi me pajisje të reja sofistike bazën mesdhetare të saj në Tartus të Sirisë. Se çfarë pajisje i ka vendosur Rusia aty, akoma nuk dihet. Për të testuar se çfarë pajisje gjenden aty, Turqia e ngriti në ajër një aeroplan luftarak në hapësirën ajrore të Iskenderumit, i cili fill pas kësaj kohe u rrëzua aeroplani luftarak. Ekspertët ushtarak konstatuan se: ” aeroplani nuk u rrëzua nga një raketë e shkrepur, por nga nxehtësia e madhe e temperaturës së raketës”. Ky veprim i këtillë shkaktoi një dozë të madhe habie edhe tek SHBA-të. A do të vazhdojë edhe më tutje diplomacia turke, saktësisht politika e saj e jashtme të bëjë gabime të tilla, tani edhe në rastin e Irakut, do të shihet në ditët dhe muajt në vijim. Por një është e sigurt se politika e proklamuar e diplomacisë turke nga kreatori i saj Ahmet Davutogllu: ” zero armiqësi me fqinjët e përafërt të Turqisë” ka dështuar dhe është shndërruar në: “ maksimum armiqësi me shtetet fqinje të përafërt të saj”
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.