E martë, 21 Prill 2015
Mitrovicë – Veriu i Kosovës i banuar me serbë ka qenë nën vëzhgimin e pjesëtarëve të organizatës paramilitare Mbrojtja Civile, edhe të hënën.
Kurrkush nuk i ka penguar në aktivitetin rutinë ilegal. Kësisoj, ata vëzhgojnë pothuajse të gjitha hyrje-daljet e secilit individ dhe automjet që kalon në drejtimin jug-veri dhe anasjelltas.
Marrëveshja e arritur në fund të marsit midis Kosovës e Serbisë, e ndërmjetësuar nga Brukseli, pos tjerash, parasheh që tri pikat vëzhguese të Mbrojtjes Civile në rrugën midis Mitrovicës dhe Jarinjës, të largohen nga rruga deri më 20 prill, derisa pika e vëzhgimit që ndodhet në pjesën veriore të urës kryesore në Mitrovicë t’i dorëzohet Policisë po ashtu deri më 20 prill. Procesi, sipas kësaj marrëveshjeje, monitorohet dhe verifikohet nga Policia dhe EULEX-i.
“Secila mundësi e vëzhgimit, përfshirë pajisjet teknike dhe qendrën e situatave, do të largohet dhe/ose do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës deri më 20 prilli të vitit 2015”, thuhet në këtë marrëveshje. /koha/
Etiketa: Mitrovicë