E enjte, 17 Dhjetor 2020
Në programin “Rudina” në Tv Klan këtë pasdite ka qenë e ftuar nutricionistja Albana Daka. Ajo ka prezantuar një dietë shumë të njohur, e cila konsiston në largimin e kilogramëve të shtuar pas periudhës së festave. Bëhet fjalë për “Dietën Mesdhetare”, e cila është shpallur si dieta e vitit që lamë pas dhe konsiderohet nga ekspertët si zgjedhja më e shëndetshme për të rënë në peshë.
“Është quajtur mesdhetare sepse bazohet mbi shportën mesdhetare të Mesdheut. Që prej vitit 1993 është quajtur si dieta, por unë nuk do ta thoja dieta, por do ta thoja stili i jetesës më i shëndetshëm për organizimin. Mbi këtë dietë apo regjim ushqimor janë bërë studime të shumta dhe është vendosur se është një rregjim ushqimor realisht shumë i shëndetshëm. Kjo sepse është një dietë e pasur me vitamina, me minerale, antioksidantë dhe fibra”.
Për të tretin vit radhazi, “Dieta Mesdhetare” e pasur në yndyrna të shëndetshme, peshk, drithëra dhe e varfër në ushqime të procesuara dhe mish të kuq, u shpall si dieta më e mirë në botë nga US News & World Report.
“Rekomandohet të mbahet 2 deri në 3 muaj sepse është një regjim me kalorazh normal. Ne nuk ulim kaloritë, por është regjim normal pa mish të kuq dhe ushqime të procesuara, mbishtuar dhe aktivitetin fizik, që mundësisht gjatë kësaj kohe, kur ne duam të bëjmë dhe një rënie në peshë të jetë i përditshëm, por edhe 3-4 herë në javë është i mjaftueshëm”.
Sekreti i “Dietës Mesdhetare” qëndron te freskia e ushqimeve, që duhet të jenë bio dhe të sezonit. “Dieta Mesdhetare” lejon në sasi të vogla mishin dhe ëmbëlsirat dhe shoqërohet gjithnjë me aktivitet fizik. Vaji i ullirit është një ndër sekretet e kësaj diete. Ai duhet të jetë ekstra i virgjër, sepse yndyrat e ngopura janë në përqindje të vogël, krahasuar me vajin e zakonshëm të ullirit.
Përfitimet e “Dietës Mesdhetare” konsistojnë në forcimin e shëndetit të zemrës, mbron organizmin nga kanceri, parandalon mbipeshën dhe diabetin./tvklan.al
Etiketa: dieta