Dita e fitores në Bedër dhe rëndësia e saj!


E diel, 10 Maj 2020

Pas shpërnguljes së Muhammedit a.s. dhe muslimanëve nga Meka në Medinë, në vitin 622 pas lindjes së Isait a.s. filloi epoka e madhe e formimit të bashkësisë së parë muslimane.

Islami kishte depërtuar thellë në ndjenjat e njerëzve, ai ishte bërë pjesë e pandashme e jetës së tyre. Muslimanët, bashkësia e parë islame, plotësisht i ishin përkushtuar fesë islame dhe ishin të gatshëm të jetonin vetëm për të.

Qëllimi i jetës së Ensarëve dhe Muhaxhirëve ishte që qenien e tyre ta shndërronin në qenie islame. Të gjithë urdhrat e All-llahut zbatoheshin plotësisht dhe pa kundërshtim. Edhe njerëzit, kohë më parë, plot vese e të meta, filluan të ndërrojnë kah e mira. Krahas punës për bashkësinë islame, ata edukonin edhe veten e tyre sipas normave që u shpalleshin nga All-llahu xh.sh. Mundoheshin që edhe vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tyre ti edukonin sipas këtyre parimeve.

Feja në Një të Vetmin Zot, e shpallur botërisht:

“S’ka Zot tjetër përveç All-llahut” i përshkonte të gjitha këto ngjarje dhe lëvizje të bashkësisë së parë islame. Të besuarit në Një të Vetmin Zot, me tërë qenien, shpirtin dhe vepra, ishte bazë e ekzistencës së muslimanëve.

Bashkësia islame nuk u gjend vetëm brenda mureve të Medinës, ajo nuk u ndal para pluhurit të shkretëtirës. Si lumë i cili rritet dhe shtrihet jashtë shtratit edhe bashkësia islame filloi të shtrihet në shkretëtirë.

Fjala islame shkonte prej gojës në gojë, prej zemrës në zemër, prej shpirtit në shpirt. Fjalët e dashura dhe të kërkuara nga çdo njeri: “es selamu alejkum” (paqa dhe shpëtimi qoftë me ju) dhe fjalët: “vëlla e motër” barteshin nëpërmjet karvanëve, nëpër oaze dhe çadrat e shkretëtirës.

Islami njerëzve u ofroi në vend të urrejtjes-dashurinë, në vend të skllavërisë-vëllazërinë, në vend të diferencimit klasor-solidaritetin e plotë, e mbi të gjitha Islami ofroi prehjen, shpresën, paqen dhe kuptimin e jetës. Ishte e qartë, se këto ide s’kishin pengesa, arritjet e tyre s’kishin kufi, ato shtoheshin si tallaz i papërmbajtshëm.

Kishte filluar të vendosej sundimi i All-llahut në Tokë. Ishte formuar bashkësia e parë islame. Në qendër të të gjitha ngjarjeve, me vullnetin e All-llahut, qëndronte i dërguari i Tij i fundit, njeriu i zakonshëm, robi i All-llahut, biri i njerëzve të zakonshëm, Abdullahut dhe Amines së ndershme, Muhammedi a.s.

Modest, i qetë, jo egoist, trim, i patrembur, fisnik, shndriste me fuqinë e shpirtit e veprës dhe fuqinë e fjalës së tij.

Fuqia e Islamit rritej në mënyrë të papërmbajtur dhe të pandalshme.

Mushrikët(idhujtarët) në Mekë brengoseshin gjithnjë e më shumë. Pronarët e skllevërve, tiranët mendjemëdhenj, të pasurit dhe despotët dridheshin përpara madhështisë së kësaj ideje, e cila shndriste Medinën. Ata çdo ditë humbnin çka. Kishin kuptuar se nëse nuk rezistonin kundër përhapjes së Islamit, së shpejti muslimanët do të gjendeshin para Mekës, e atëherë pushteti i tyre do të zhdukej së bashku me idhujt që ata adhuronin. Prandaj, ata kishin vendosur që ta pengonin Islamin dhe ta shkatërronin bashkësinë e parë islame.

Për të siguruar të mira materiale për marshim ushtarak, ata dërguan në Siri një karvan të madh me në krye të parin e Mekës, Ebu Sufjanin, me përcjelljen e 40-50 të armatosurve. Shpresonin në fitim të madh, i cili do t’ua lehtësonte fitoren. Lajmet e para mbi karvanin Muhammedi a.s. i mori nga xhaxhai i tij Abasi, që kishte mbetur në Mekë dhe s’ishte shpërngulur në Medine. Ai ishte tregtar dhe bankar i njohur, dhe si i tillë gëzonte prestigj të madh. Shumë herë e njoftonte Muhammedin a.s. me shkrim mbi gjendjen e Mekës, pas shkuarjes së muslimanëve në Medinë.

Në fshehtësinë më të madhe u formua ushtria marshuese islame, e cila numëronte 314 luftëtarë, 70 deve dhe 2 kalorës. Armët dhe pajisjet e këtij grupi të vogël ishin shumë të pakta. Mirëpo entuziazmi për luftë ishte i jashtëzakonshëm. Zemrat e tyre nuk e njihnin frikën. Askush nuk donte të mungonte në këtë betejë.

Ushtria islame e disiplinuar dhe në qetësi u nis në drejtim të Mekës, për në Bedër, që t’ia priste rrugën karvanit, që ishte nisur me shpejtësi nga Siria për në Mekë. Ishte muaji Ramazan. Gjatë ditës, dielli digjte shumë, temperatura ishte shumë e lartë.

Në mënyrë që ushtria të lëvizte pa u diktuar, Muhammedi a.s. urdhëron që të gjitha zilet që i kishin devetë në qafë, të hiqen. Gjatë kësaj kohe, karvani i mushrikëve me kujdes ecte në drejtim të Bedrit. Aty zakonisht karvanët furnizoheshin me ushqim dhe pushonin. Kjo zonë pjesërisht ishte nën ndikimin e muslimanëve dhe Ebu Sufjani i frikësuar pyet mbi mundësinë e ecjes së mëtejshme. Karvani lëvizte ditën, kurse natën pushonte. Një mëngjes herët arriti në Bedër.

Lajmi mbi marshimin e ushtrisë islame në Mekë, shkaktoi panik të vërtetë. Të gjithë frikësoheshin për pasurinë dhe namin e tyre.

Humbja e karvanit do të kishte pasoja të papara për ekzistimin dhe ndikimin e mushrikëve në Mekë dhe në rrethinat e saj, madje dhe në rrethinën e fiseve arabe. E tërë Mekka ishte ngritur, e alarmuar dhe e frikësuar. Tubonin armët, pajisjet…. E gjithë paria e Mekës ishte nisur për në Bedër, përveç Ebu Lehebit të cilin e ndërroi El As bin Hisham, borxhliu i tij.

E tërë Mekka ishte ngritur kundër Islamit. Aradha marshuese numëronte rreth 950 luftëtarë, 700 deve dhe 100 kalorës. Krahas kësaj kishin pajisje të mira, helmeta, këmisha prej hekuri dhe armë të ndryshme. Superioriteti i tyre në njerëz dhe armatime ndaj muslimanëve ishte shumë më i madh. Ishin nisur në drejtim të Bedrit, në përcjellje të një numri të madh karvanësh me fishkëllima dhe këngë që këndoheshin nga femrat.

Vëzhguesit e ushtrisë muslimane e kishin informuar Muhammedin a.s. mbi ushtrinë idhujtare e cila ishte nisur nga Meka për në Bedër. Muslimanët ende nuk e dinin numrin e saktë të armikut, por ishin të sigurtë se ata janë shumë. I Dërguari i All-llahut, menjëherë me pranimin e këtij lajmi, fton këshillin e as’habëve që të merren vesh se çfarë të bëjnë më tej.

Ishte shtruat pyetja: A të vazhdohej ndjekja e karvanit, duke u tërhequr në drejtim të Medinës, apo t’i dilnin në pritë dhe të luftonin kundër ushtrisë jobesimtare e cila ishte duke ardhur. Vendosmërisht u pranua zgjidhja e vështirë dhe heroike:

“Edhe pse jemi shumë më të dobët, do të pranojmë luftë me mushrikët, me ndihmën e All-llahut.”
Hazreti Ebu Bekri, gjatë konsultimit në të folurit e tij i shpreh përkrahjen dhe lojalitetin e tij të plotë Muhammedit a.s. Hazreti Umeri po ashtu, pastaj ngrihet El Mikdadi dhe thotë: “O i Dërguari iAll-llahut, shko rrugës që të ka treguar All-llahu. Ne do të ecim me ty. Ne s’do të themi siç i thanë Beni Israilët, Musait a.s,: ‘Shko ti dhe Zoti yt dhe lufto, kurse ne këtu qo të qëndrojmë’, por do të themi: Lufto me ndihmën e Zotit dhe ne do të luftojmë së bashku me ty!”

Muhammedi a.s. me lot në sy e falënderon atë e i drejtohet Ensarëve:

“Më këshilloni o njerëz!” Atëherë ngitet Sad bin Muadh dhe thotë: “Ne e besojmë pejgamberinë tënde, të shprehim lojalitet, dëshmojmë se është e vërtetë ajo që na ke sjellë nga All-llahu xh. sh. Ta kemi dhënë fjalën dhe të kemi premtuar se do të dëgjojmë dhe do të ndjekim … Shko atje ku dëshiron dhe ne do të jemi me ty. Për All-llahun, nëse kërkon që ta kalojmë detin, ne do ta kalojmë dhe do të zhytemi së bashku me ty. Asnjëri s’do të mbetet. Ne nuk i frikësohemi përleshjes me armikun. Ne kemi përvojë dhe jemi fatlumë në luftë. Na ço përpara në luftë me ndihmën e All-llahut!”

I Dërguari i All-llahut i ngazëlluar, e falënderoi Sadin dhe pastaj iu drejtua të tjerëve: “Shkojmë përpara me trimëri. All-llahu më ka premtuar njërën nga të dyjat (humbjen e ushtrisë së mushrikëve ose marrjen e karvanit A.S.).”

Ushtria islame pastaj u drejtua nga Xhafrani, nëpërmjet kalimit të quajtur Asafir, dhe duke shkuar pranë vendit El Dabba do të ndalej në afërsi të Bedrit. Aty do të priste ardhjen e ushtrisë mushrike.

Dy përgjues muslimanë duke lëvizur në afërsi të Bedrit, robërojnë dy ujëmbartës mushrikë të cilët pranojnë se i përkasin ushtrisë së Mekës. Meqë nuk e dinin numrin e mushrikëve, Muhammedi a.s. i pyet se sa deve i thernin në ditë për ushtrinë. Ata thonë se numri i tyre sillej rreth 9-10. Kështu i dërguari i All-llahut kupton se numri i mushrikëve sillej ndërmjet 900-1000. Nga këta ujëmbartës kupton se të gjitha fiset e Mekës ishin ngitur në luftë kundër muslimanëve. Gjatë kësaj kohe karvani i Ebu Sufjanit ishte larguar nga Bedri, në një vend të sigurtë, ku s’kishte më rrezik nga muslimanët. Ebu Sufjani e lajmëroi ushtrinë mushrike se ajo mund të tërhiqej për në Mekë, sepse karvani s’kishte më nevojë për mbrojtje.

Mirëpo këtë sugjerim e refuzoi Ebu Xhehli me qëllim që ushtria mushrike të qëndronte tri ditë ku do të festonte me pije dhe këngë shpëtimin e karvanit. Me qëndrimin e tyre në Bedër dëshironin të tregonin fuqinë e tyre ushtarake.

Gjatë kësaj kohe ushtria islame me kujdes vazhdonte lëvizjen, sepse së shpejti pritej ballafaqimi, dhe kur arrin te burimi i Bedrit, i dërguari i All-llahut, urdhëron që ushtria të ndalet. Njëri nga muxhahidinët muslimanë, El Hubab bin El Mundhir e pyet Muhammedin a.s. për atë vend, se a e kishte caktuar All-llahu për ushtrinë apo ishte veprim taktik. E kur Muhammedi a.s. i përgjigjet se s’ishte as njëra e as tjetra, El Hubabi propozon që të shkohet sa më afër armikut, të merren të gjitha burimet, të mbyllen ato e më parë të ndërtohet çisterna me ujë, kështu që armiku s’do të kishte ujë, kurse ushtria islame do të kishte me bollëk. Në këtë kohë arrin ushtria mushrike dhe zë pozicionet përballë muslimanëve. I ngulën çadrat, filluan të thernin deve, të pinë raki, të këndojnë, të bëjnë orgji me muzikë dhe ti bien daulleve. Festonin sikur fitorja të ishte e sigurtë ndaj muslimanëve. S’mund të besonin se ky grup i vogël muslimanësh i papërgatitur dhe i armatosur dobët mund ti bënte ndonjë dëm.

Natën në prag të luftës bie një shi i fortë, i cili e freskoi tokën dhe ajrin, edhe luftetarët muslimanë të rraskapitur nga rruga e gjatë, u pastruan. Për shkak të shiut, toka e shkrifët u ngjesh dhe u forcua në vendin ku qëndronte ushtria muslimane, gjë që në mënyrë të konsiderueshme ua lehtësoi lëvizjen.

Gjatë gjithë natës në ushtrinë muslimane dëgjohej leximi i Kur’anit. Yjet gradualisht shuheshin. Kishte filluar të agojë dita e shtatëmbëdhjetë (17) e Ramazanit, viti i dytë sipas Hixhretit. Ishte ditë e premte. Datë e cila me shkronja të ndritura mbeti e shënuar në historinë islame. Herët në mëngjes muslimanët e falën namazin e sabahut dhe u përgatitën për luftë. Fjalët e Zotit përhapeshin me dritën, dhe frymëzonin zemrat dhe gjokset e muslimanëve. Besimi i thellë në All-llah i trimëronte muxhahidinët, i bënte krenarë dhe fatlum. Ata e dinin se ishin ushtarët e parë të ushtrisë islame, të cilët me gjakun dhe jetën e tyre do të qëndronin në mbrojtjen e islamit. Dielli kishte filluar të lindë dhe të ngrihej mbi kodër dhe falë pozitës së mirë të muslimanëve dielli ia verbonte sytë ushtrisë mushrike.

Në Arabi, atëherë ishte traditë, që para betejës të dalin në dyluftim më të fortët e ushtrisë kundërshtare. Nga ushtria myslimane u paraqitën tre ensarë, mirëpo Utbeja nuk i pranoi duke kërkuar tre nga më të mirët e muslimanëve. Atëherë i dërguari i All-llahut thërret:
“Dil, ti Ubejde, Hamza dhe Ali!”

Utbeja i pranoi këta luftëtarë. Ubejdi i cili ishte më i moshuar, qëndroi përballë Utbes, Hamza përballë Shuajbit, kurse Aliu përballë El Velidit.

Pas një luftë të shkurtër me shpatë, Hamza e mbyt Shuajbin, kurse Aliu El Velidin. Ubejde dhe Utbe këmbyen goditjet dhe që të dy u plagosen. Atëherë Hamza dhe Aliu i drejtojnë shpatat e tyre nga Utbe duke e lënë të vdekur. Vëllaun musliman të plagosur rëndë ata të dy e bartën tek muslimanët dhe Muhammedi a.s… Këmba e tij ishte prerë dhe rridhte gjak. Ubejdi më vonë ndërroi jetë në duart e muxhahidinëve.

Para fillimit të betejës, i dërguari i All-llahut i drejton rreshtat e luftëtarëve muslimanë dhe i këshillon muxhahidinët që të jenë të qëndrueshëm dhe durimtarë gjatë betejës, të mos gjuajnë me shigjeta derisa të mos afrohet armiku, e kur të afrohet të gjuajnë me gurë, pastaj me shtiza dhe më pas të luftojnë me shpatë dhe thika.

Çdo luftëtar musliman patjetër duhet të tubonte para vetes një grumbull gurësh për luftë. Kjo qe shumë e qëlluar, sepse muslimanët në fillim ishin në mbrojtje, kurse armiku s’mund të barte me vete më shumë se një apo dy gurë. Pastaj u thotë:

“All-llahu u ka obliguar që të silleni mirë me çdo gjë, e kur duhet të mbytni-mbytni në mënyrën më të mirë (d.m.th. duke mos masakruar).”

S’kishte frikë… Para kësaj Muhammedi a.s. tërë natën e kishte kaluar në namaz, duke e lutur All-llahun xh.sh. për fitoren e kësaj ushtrie të vogël të muslimanëve.

Në anën e mushrikëve kishte filluar lëvizja. Ishte ngritur pluhuri, dëgjohej vringëllima e armëve dhe trokitja e këmbëve, hingëllima e deveve dhe e kuajve. Radhët e mushrikëve afroheshin.

Muri musliman i muxhahidinëve qëndronte. Muhammedi a.s. lutje me zë:
“O All-llah, ja Kurejshitët kah vijnë me mburrje dhe mendjemadhësi. Ata të mohojnë Ty dhe më quajnë mua- të dërguarin Tënd, gënjeshtar. Më dhuro ndihmën të cilën ma ke premtuar. Shkatërroi ata në ketë mëngjes.”

Për këtë është zbritur në suren El Enfal:
“Kur kërkonit ndihmë nga Zoti juaj, ai u është përgjigjur: ‘Do t’iu dërgoj në ndihmë një mijë engjëjt që do të vijnë njëri pas tjetrit.“ (El Enfal, 9)

Shigjetat e para kishin filluar të binin mbi radhët e muslimanëve. Muslimanët u përgjigjeshin… Muslimani i parë që ra në fushëbetejë është Mihxha ish skllav i liruar nga Omeri r.a., i qëlluar nga një shigjetë.

Muhammedi a.s. doli përpara muxhahidinëve dhe thirri, që ta dëgjonin të gjithë:
“Pasha All-llahun, në duart e të cilit është shpirti i Muhammedit, asnjë njeri s’do të mbytet sot në luftë kundër mushrikëve, nëse lufton me trimëri, ballë për ballë duke mos ia kthyer shpinën armikut, e All-llahu të mos e fus në xhenet!”

Muslimanët i përmbaheshin udhëzimeve të Muhammedit a.s. Shpatat shndrisnin, shigjetat thyheshin, dëgjohej hingëllima e kuajve dhe deveve, gjëmimi për të plagosurit dhe të vdekurit në njërën anë, kurse në anën tjetër qëndronin kushërirët më të afërm. Musab bin Umer e kishte vëllaun- Azisin në anën e mushrikëve, i biri i Ebu Bekrit, gjithashtu ishte në anën e armikut…

Shpresa shoqërohej me jehonën e thirrjes islame:
“All-llahu Ekber”, “All-llahu Ekber”.

Zëri i Muhammedit a.s. nëpërmjet rrëmujës dhe vringëllimës dëgjohej: “Përpara! Hidhuni përpara kundër armikut të fesë suaj.”

Si stuhi vërsuleshin muxhahidët në drejtim të armikut. Luftonin si luanë, sikur të kishin krahë, një fuqi e papërmbajtur i shtynte ata. Sulmi i muxhahidinëve ishte i papërmbajtur. Thyenin çdo gjë përpara vetes, hapnin rrugën e mposhtin. Dushmanët binin sikurse bari nga kositja përpara shpatave të muslimanëve, kurse flamuri në duart e Musab bin Umerit në mesin e atij zjarri valëvitej duke paralajmëruar fitoren e afërt…

Ebu Xhehli me djemtë e tij në deve shpejton nga vendi ku ishte i dërguari i All-llahut. Me të hyn në luftë Afv bin Abdurrahman dhe e plagos atë. Aty qëllon edhe Sad bin Muadhi i cili sulet mbi Ebu Xhehlin, mirëpo ai e qëllon me shpatë aq fort sa që Sadit ia pret njërën dorë. I vëllai i shkon në ndihmë Sadit. Sadi me shpatën në dorën e majtë vazhdonte luftën. Në një moment shkathtësish i afrohet Ebu Xhehlit dhe ia fut shpatën në zemër. Armiku i madh i të dërguarit të All-llahut bie i vdekur përdhe. Si furtunë u përhap lajmi midis dy ushtrive. Muslimanët vërsuleshin edhe më fort, më fuqishëm, saqë asgjë e kësaj bote s’mund ti ndalte.

Mushrikët i hidhnin armët dhe ikin tërë frikë e panik. Thirrjet me zë të lartë: “All-llahu Ekber” ia futnin frikën në zemër, gjaku u ishte ngrirë në vena.

Në rrëmujën e luftës, Abdullah bin Mesudi e gjen trupin e Ebu Xhehlit. Kur Muhammedi a.s. e pa trupin e vdekur të Ebu Xhehlit, me gjak e pluhur, atij dushmani të madh, i tronditur nga pamja tha:

“Falënderuar qoftë All-llahu! Ky njeri ishte mallkim i popullit tim!”
Mushrikët rezistuan edhe pak dhe së shpejti edhe kjo rezistencë u mposht.
Në fushën e betejës ranë 14 shehidë, që me luftën dhe dhënien e jetës së tyre i penguan mushrikët tiranë, që të zhduknin shtetin islam-shtetin në të cilin ishte vendosur pushteti i All-llahut në tokë.

Mëshira e All-llahut qoftë mbi shpirtin e këtyre trimave shehidë islamë. All-llahu le ti shpërblejë me xhennete. Për ta në Kur’anin fisnik është thënë:

“Kurrsesi mos i llogarit të vdekur ata, që janë vrarë në rrugën e All-llahut! Jo, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe të furnizuar. Të gëzuar për atë çka u ka dhënë All-llahu nga mirësia e vet dhe gëzohen për atë çka kanë lënë pas, për të cilët nuk ka aspak frikë dhe të cilët nuk do të pikëlohen.” (Ali Imran: 170)

Në fushën e betejës ranë 70 mushrikë dhe 70 të tjerë u zunë rob. Të tjerët të çoroditur ikën për në Mekë.

Ebu Sufjani arriti që ta shpëtojë karvanin e tij. Muhammedi a.s. me muxhahidinët ua falin namazin shehidëve e pastaj i varrosi ata.

Gjithashtu edhe kufomat e armikut i varrosen. Në varret e tyre i dërguari i All-llahut pyet”
“O Utbe, o Shuajb, o Umejje, o Ebu Xhehel, (duke i emëruar me radhë)- a dëshmoni tani se është e vërtetë ajo që më shpalli All-llahu?”

E kur e pyetën muslimanët, se si i flet të vdekurve, ai u përgjigj:
“Ju s’më dëgjoni më mirë se ata, veçse ata s’mund të flasin.”

Muhammedi a.s. urdhëroi që të veprohet në mënyrë humane me të zënët rob, që të gjithë të plagosurve pa marrë parasysh a janë muslimanë apo mushrikë t’iu afrohet ndihma e plotë. Harroi torturën dhe hakmarrjen. Të gjitha plaçkat e luftës u grumbulluan në një vend, një e pesta e saj u caktuan për qëllime bamirësie, kurse pjesa e tjetër barabartë iu nda luftëtarëve.

Fitorja në Bedër ia hapi gjerësisht dyert daljes së mëtejme në skenë të islamit. Rëndësia e saj qëndronte në atë sepse ajo ishte fitorja e parë e ushtrisë islame, me çka iu pengua marshimi forcave të errëta dhe u shpëtua shteti islam.

Bedri nuk simbolizon vetëm fitoren e ushtrisë së armatosur muslimane, mbi të gjitha ai simbolizon fitoren e zemrës, bindjes, fuqisë së shpirtit, fitoren e fesë në Një Zot të Vetëm, ndaj idhujtarëve, sistemit tiran dhe skllavopronarëve mendjemëdhenj. Heronjtë në Bedër shpëtuan Islamin me gjakun, jetën dhe sakrificën e tyre. Ata hapën një epokë të re në historinë njerëzore.

Veprës së tyre të madhe, besimit të tyre të pamasë në Një Zot të vetëm, shpirtrave të tyre fisnikë u janë drejtuar mendimet dhe fjalët më mirënjohëse të të gjithë muslimanëve, nga dita e fitores, e deri më sot, madje deri sa të jetë kjo botë. Për shpirtrat e tyre, e lusim All-llahun xh.xh. për mëshirë dhe xhenet.

Përkthim: Ajni Sinani

Etiketa: , , ,
Të fundit