Dita e Verës afron shqiptarët me prodhimet tradicionale


E shtunë, 15 Mars 2014

Kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani. Gjatë shekujve Dita e Verës ka ardhur duke u zbehur, aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më.

Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës. Në Tiranë prej disa vitesh kjo festë, po kremtohet në bulevardin kryesor të qytetit dhe në kodrat e Liqenit Artificial. Dje janë organizuar një sërë aktivitetesh në pjesën e parë të ditës dhe këto kanë grumbulluar një numër të madh njerëzish, madje duke shkaktuar edhe kaos në trafik, në rrugët lidhëse të Bulevardit. Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës, e Arsimit, Rinisë, si dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit organizuan një sërë aktivitetesh për fëmijë e të rinj.

Festa ka nisur me një performancë të Bandës së Ushtrisë, si dhe me Trupën e Teatrit të Kukullave dhe animatorëve në sheshin përpara Galerisë së Arteve. Jo vetëm Elbasani, i cili sot është “kryeqyteti” i Shqipërisë, por edhe Tirana ka mirëpritur qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit, që kanë zgjedhur kryeqytetin për të festuar Ditën e Verës. Në orën 10:00 në parkun “Rinia” është ngritur “Këndi i pikturës”, si dhe u zhvillua një koncert nga shkolla “Robert Radoja”. Pjesë e aktiviteteve në Ditën e Verës kanë edhe festimet në sheshin pranë lulishtes “Tre vëllezërit Frashëri”, ku u interpretuan kërcime moderne dhe popullore nga trupa e baletit për fëmijë të moshës 6 deri 14 vjeç, si dhe kërcime latine nga trupa e kërcimit mbi moshën 18 vjeç.

Panairi “Blej shqip” , i cili u ngrit në rrugën ” Murat Toptani”, te Pedonalja, me pjesëmarrjen e bizneseve nga të gjitha trevat shqiptare nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria, promovoi produktet vendase. Produktet që u prezantuan në këtë panair janë nga sektorët, e ushqimit, bujqësisë, tekstileve, artizanatit etj. Një ekspozitë me piktura të fëmijëve me aftësi të kufizuara është çelur te Galeria e Arteve, ndërsa një panair me prodhime shqiptare të artizanatit pranë lulishtes te Presidenca, ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve. Festimet për Ditën e Verës kanë vijuar sipas programit deri në orën 14:00. Dje nuk ka munguar as ballokumja, ëmbëlsira simbol e kësaj feste, ku me dhjetëra shitës ambulantë e kanë servirur për njerëzit në rrugët kryesore të kryeqytetit. Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila në ditët e sotme identifikohet kryesisht me qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore./shekulli/

Të fundit