E mërkurë, 3 Gusht 2022
BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 2 gusht se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Brukselit që më 18 gusht të mbahet rundi i ri i dialogut me Kosovën, por tha se ai nuk e di “se për çfarë tjetër mund të flasim”.
“Gjithçka është konsumuar dhe ju më nuk e dini se çfarë mund të bëni. Unë do të shkoj, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.
Më 1 gusht, presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranuan ftesë nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të vazhduar dialogun për të gjitha çështjet e hapura.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 1 gusht se nuk ka pranuar ftesë për takimin në Bruksel, por shtoi se është i gatshëm për dialog me Serbinë.
Ai tha se një takim me Vuçiqin ishte paraparë për 19 korrik, por presidenti serb kishte kërkuar që të shtyhet takimi.
“Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel. Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Në momentin që do ta kemi, sigurisht që do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha Kurti gjatë një konference për media në Prishtinë.
Ftesa për dialog erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në Kosovë, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Një takim midis krerëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Fotografi nga arkivi.
Etiketa: Aktuale, Aleksandar Vučić, Dialogu, Kosova, Serbia