E shtunë, 2 Shtator 2017
Jemi mësuar që dekorime e stolisje të qyteteve të kemi vetëm gjatë fundvitit, për nderë të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, por asnjëherë një gjë e tillë nuk ndodhë për Fiter Bajram apo Kurban Bajram!
Komunat e Kosovës, bëjnë shpenzime të shumta vetëm e vetëm të dekorohen qytetet për këto festa dhe të mos ndahen nga Bota demokratike.
Në Krishtlindjet e vitit 2016 dhe Vitin e Ri 2016/2017, u shpenzuan mijëra euro për dekorimin e qyteteve: Komuna e Skenderajt shpenzoj 2000 €, Komuna e Mitrovicës 4000 €, Komuna e Rahovecit 7500 €, Komuna e Gjakovës 8000 €, Komuna e Ferizajt 15.000 € dhe rekordin e shpenzimeve për dekorimin e Qytetit për festat e fundvitit e mbanë Komuna e Prishtinës me plot 50.000 € të shpenzuara! Këto janë vetëm disa nga shumat e publikuara nga komunat e Republikës së Kosovës, të cilat i shpenzuan për dekorimin e qyteteve.
Në këto shuma, nuk janë të llogaritura edhe shpenzimet e rrymës së këtyre dekorimeve të cilat shumica janë drita.
Por pse nuk ka dekorime të tilla për Bajram? A nuk llogariten si të tilla festat e 97% të popullsisë së Kosovës? A është diskriminim i komunitetit mysliman?
Këtyre pyetjeve do të duhej t’u përgjigjeshin institucionet përkatëse dhe shoqëritë civile, të cilat ngrihen në protestë nëse Kryeqyteti i Kosovës nuk dekorohet me kohë për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Këto shoqëri civile, thonë se duhet të jemi pjesë e botës perëndimore-demokratike, prandaj duhet dekoruar qytetet për festat e fundvitit, por harrojnë që Demokracia nuk i përjashton festat Islame.
Për dallim nga Kosova, një gjë të tillë nuk e bën edhe Shqipëria, e cila e ka dëshmuar shumë herë se është e drejt me komunitetin mysliman. Në Shqipëri Tirana dekorohet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, por një gjë të tillë e bën edhe për Bajram, këtë e dëshmon pamja e Kryeqytetit të Shqipërisë për Fiter Bajramin që shkoj, ku ishte dekoruar dhe stolisur Qyteti me urime e stolisje tjera që dallohej atmosfera e Fiter Bajramit.
Ne, nuk duhet të jemi kundër dekorimit të qyteteve për festat e Krishtera, por duhet të kërkojmë që dekorime të tilla të kemi edhe për Fiter Bajram e Kurban Bajram. Ne nuk kërkojmë që Komunat të shpenzojnë shuma të mëdha, apo dekorime me drita e stoli të shumta, vetëm duam të dallohet që kemi edhe festa Islame, ashtu siç kemi festa të Krishtera, sepse fundja, sa do që mundohet pushteti ta kamufloj çështjen shpirtërore të popullit të tij, e gjithë Bota e di se shumica e qytetarëve të Kosovës i përket Fesë Islame.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.
Etiketa: Opinione, Sali Kabashi