“Ec ma ndryshe” ka kërkuar para tre muajsh që shteti t’ia marrë objektin Kishës Katolike


E hënë, 4 Korrik 2016

shtepia

Prizren – Objekti i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me Ligj e që është aset i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së, si pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, Zonja Ndihmëtare, është përfshirë nga zjarri për të tretën herë.

Organizata që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren, “Ec ma ndryshe”, në fakt qysh në djegien e dytë të këtij objekti kishte kërkuar nga Ministria e Kulturës si organi kompetent që ta marrë nën mbrojtje këtë objekt, pasi Kisha Katolike e ka dëshmuar se nuk ka kapacitete ta mbrojë.

“Para tre muajve, menjëherë mas djegies se dytë kemi kërkuar prej institucioneve të ja marr ndërtesën Kishës Katolike, sepse ketë e parasheh ligji, po asnjë veprim nuk është ndërmarrë prej asaj kohe. As hetime e ndonjë aktakuzë”, ka thënë Hajrullah Çeku.

Në komunikatën e 9 prillit të “Ec ma ndryshe” i bëhet thirrje autoriteteve shtetërore që për këtë monument në përputhje me dispozitat e Ligjit për Trashëgimi Kulturore të iniciojnë kalimin dhe vendosjen në të drejta pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent meqenëse shfrytëzuesi aktual ka ndërmarrë veprime të pamjaftueshme për ta mbrojtur atë.

Bazuar në deklarimet e Ministrisë së Kulturës, Kisha ka dorëzuar në Ministri kërkesën që ky objekt të shkatërrohet por nuk ka ofruar as fakte se pse duhet të shkatërrohet e as ndonjë plan konkret se çka të ndërtohet aty.

“Edhe sa herë duhen me ja shti flakën asaj ndërtese që komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës e Prokuroria me ndërmarr diçka? Çka jeni tu prit ma shumë, tri herë e kallën. Mosveprimi juaj nënkupton nxitje të atyre që po tentojnë me e heq qafe atë monument”, ka thënë Çeku.

E përderisa në rastin dytë të përfshirjes nga zjarri të kësaj shtëpie, autoritetet e Komunës së Prizrenit kishin hedhur dyshime se “zjarri është shkaktuar nga faktori njeri” në rastin e tretë ata nuk kanë edhe ende komente.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit është shprehur të jetë i painformuar për djegien teksa drejtori i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë në Prizren, ka thënë të jetë në pushime, jashtë vendit.