Ecën drejt unifikimit tregu Kosovë-Shqipëri


E premte, 29 Nëntor 2013

Prishtinë, 29 nëntor – Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të përafrohen me njëra-tjetrën, në të gjitha aspektet. Fizikisht këtë e mundëson projekti madhor i të dyja shteteve – Rruga e Kombit, e përfunduar tashmë, e cila përveç që ka shkurtuar distancën mes dy vendeve, ka ndikuar edhe në krijimin e lehtësirave dhe përfitimeve në aspektin ekonomik.

Së shpejti pritet të ndërmerren hapa konkretë drejt krijimit të një tregu të përbashkët.Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, thotë për Radio Kosovën se, marrëveshja kornizë për lehtësimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve, tashmë është miratuar, dhe pritet të nënshkruhet në fillim të dhjetorit, në takimin e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. “Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, dy qeveritë, zotohen të punojnë në unifikimin e sistemeve doganore, në unifikimin e procedurave doganore, dhe në unifikimin e kërkesave të qarkullimit të mallrave në të dy vendet, për shembull në kërkesat e certifikatave produkteve ushqimore dhe të tjera që tregtohen mes të dyja vendeve”, thotë Nikaj.

Pas njësimit të kontrollit doganor ndërmjet dy vendeve, atëherë mallrat e destinuara për Kosovë që zhdoganohen në Portin e Durrësit, iu nënshtrohen të gjitha procedurave sikurse mallrat që zhdoganohen në pikat tjera doganore të Kosovës, thotë zëvendësministri i Tregtisë, Bernard Nikaj.

Ai sqaron se në mbledhjen e parë të të dy qeverive do të diskutohet edhe një nismë tjetër, që ka të bëjë me promovimin e produkteve të të dy shteteve.

“Ne jemi dëshmitarë që ka ende sfida në pasimin e produkteve kosovare në Shqipëri, dhe atyre shqiptare në Kosovë dhe ne këtu të dy qeveritë do të bëjmë një zotim që të lehtësojmë një proces të tillë që t’i hapim të dyja tregjet, dhe t’iu mundësojmë që produktet e të dyja vendeve të depërtojnë në tregjet respektove”, thekson Nikaj.

Zëvendësministri i Tregtisë, thekson se bashkë me autoritetet e Shqipërisë do të angazhohen edhe për promovimin e përbashkët të investimeve dhe të turizmit. Kurse gjatë pjesës së parë të vitit 2014 priten edhe hapa tjerë në drejtim të krijimit të një hapësire të përbashkët ekonomike. Ndryshe, shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve ende janë në nivel të ultë, brenda vitit eksportohen mallra në vlerë prej 30 milionë euro dhe importohen rreth 90 milionë euro.

Të fundit