Edhe 15 vjet pas luftës, me 1700 të pagjetur


E diel, 27 Prill 2014

Në Kosovë sot shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, ndërkohë që ende nuk dihet fati i 1700 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së fundit në vend.
Tubimi qendror për të nderuar të gjithë personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, do të mbahet në Meje të Gjakovës.

Në shënim të 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dje bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Çabrat të Gjakovës, si dhe në Varrezat e Martirëve në Mejë.

Gjatë homazheve, presidentja Jahjaga u shoqërua nga kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarja e OJQ ”Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova.

Duke ndarë dhimbjen me familjarët e të pagjeturve, presidentja Jahajaga theksoi se cështja e të pagjeturve ka qenë prioritet në punën e saj.

“Kam ardhur këtu që të jem së bashku me familjarët e të pagjeturve, që të ndajmë dhimbjen dhe brengën e madhe për më shumë se 1700 qytetarë tanë, fati i të cilëve ende nuk dihet, edhe 15 vjet nga përfundimi i luftës”.

“Ne ende nuk kemi arritur që të zbardhim fatin e qytetarëve tanë që janë zhdukur gjatë luftës, pavarësisht punës së madhe, përkundër rezultateve që janë arritur deri tash, kërkohet ende punë e madhe që të zbardhet fati i personave të pagjetur… Ky ka qenë dhe vazhdon që të jetë një ndër përkushtimet e mia gjatë gjithë punës sime dhe do të vazhdoj që ta ngris këtë çështje, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, theksoi Jahjaga.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, Rashkën, ku po vazhdon hulumtimi për gjetjen e mbetjeve mortore, të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, të premten e ka vizituar edhe një delegacion i përbërë nga zyrtarë të Komisionit qeveritar për të pagjeturit, përfaqësues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, si dhe vetë familjarë të këtyre personave.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionin qeveritar për të pagjeturit, i tha Radios Evropa e Lirë se i vlerëson përgatitjet teknike që janë bërë për të hulumtuar deri në fund varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, ndërkohë që sipas tij, ekipet e përbashkëta nga Kosova, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare janë duke punuar në këtë drejtim.

“Varësisht prej zhvillimeve ose prej ndonjë pengese që mund të del, në kuptimin e të reshurave, por, unë besoj që për 50 ose 60 ditë, sipas premtimeve, do të realizohet, gjegjësisht, do të bëhet ekshumimi mbetjeve mortore që gjenden në këtë varrezë masive”, tha Gjetaj.

Ndryshe, në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të zhdukur që nga viti 1999. /rel/

Etiketa: ,
Të fundit