Edhe një hap më afër Liberalizimit të vizave


E martë, 20 Dhjetor 2022

BRUKSEL – Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit në Bruksel të martën kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, kanë konfirmuar burimet diplomatike të Bashkimit Europian.

Me këtë është bërë edhe një hap formal drejt finalizimit të këtij vendimi për të cilin ishin pajtuar vendet anëtare më 30 nëntor.

Sipas procedurave, në emër të Këshillit të BE-së, Presidenca çeke hyri në negociata me Parlamentin Europian dhe pas vetëm një takimi u arrit marrëveshja ndërmjet këtyre dy institucioneve të Bashkimit Europian.

Në emër të PE-së, negociatat i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten, nga Holanda. Edhe pse Parlamenti do të kishte preferuar që vendimi të jetë i pakusht dhe hyrja në fuqi më e shpejtë, ky institucion i BE-së ra dakord për tekstin e vendimit për të mos krijuar rrethana, të cilat do ta vononin procesin edhe më shumë.

Tash, kjo marrëveshje duhet të votohet në Komisionin për Drejtësi dhe Liri Qytetare (LIBE) në Parlamentin Europian, e më pas edhe në seancë plenare. Pritet që kjo procedurë të jetë në pjesën e parë të vitit që vjen.

Etiketa: , ,
Të fundit