E mërkurë, 12 Gusht 2026

Pasditen e sotme, e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar te qielli, ku Hëna do të mbulojë pjesërisht Diellin. Por disa nga efektet më interesante të eklipsit mund të vërehen pikërisht në tokë. Pakësimi i rrezatimit diellor, mund të shkaktojë brenda pak minutash, ndryshime fizike, atmosferike dhe biologjike në mjedisin përreth.
Në Shqipëri, eklipsi do të jetë pjesërisht i dukshëm dhe intensiteti do të ndryshojë sipas zonës. Duke qenë se fenomeni do të ndodhë afër perëndimit të Diellit, disa efekte do të përzihen me ato normale të muzgut.
1. Hijet e pemëve shndërrohen në qindra gjysmëhëna
Nëse ndodheni pranë një peme me shumë gjethe, shikoni tokën nën hijen e saj. Gjatë eklipsit mund të shfaqen qindra forma të vogla në trajtë gjysmëhëne. Hapësirat mes gjetheve funksionojnë si vrima të vogla të një aparati fotografik me vrimë të imët, duke projektuar në tokë imazhe të Diellit.
Normalisht këto imazhe janë rrethore dhe mezi dallohen, por gjatë eklipsit marrin formën e Diellit të mbuluar pjesërisht nga Hëna. Pra nuk bëhet fjalë për një iluzion optik, por për imazhe reale të projektuar natyrshëm.
2. Temperatura bie dhe mund të shfaqet “era e eklipsit”
Në momentin e errësimit maksimal, reduktimi i rrezatimit diellor mund të sjellë një ulje të përkohshme të temperaturës pranë tokës. Ky fenomen është dokumentuar gjatë shumë eklipseve.
Ftohja mund të ndikojë edhe në lëvizjen lokale të ajrit, duke krijuar ndryshime të përkohshme në qarkullimin atmosferik. Megjithatë, nuk është e sigurt që do të ndieni një “erë eklipsi”, pasi gjithçka varet nga kushtet meteorologjike. Në vendin tonë, efekti mund të jetë edhe më i vështirë për t’u dalluar, pasi eklipsi përkon me perëndimin dhe freskimin normal të mbrëmjes.
Me Diellin shumë pranë horizontit, errësimi gradual mund ta bëjë peizazhin të duket më i errët se zakonisht. Ngjyrat, hijet dhe kontrastet mund të marrin një pamje të pazakontë, pasi efektet e eklipsit bashkohen me ato të muzgut.
Megjithatë, fenomeni spektakolar i “perëndimit 360 gradë”, me ndriçim në të gjithë horizontin, është kryesisht karakteristik i eklipsit total. Në Shqipëri, eklipsi do të mbetet pjesërisht i dukshëm.
4. Një “muzg i rremë” mund të ndryshojë sjelljen e kafshëve
Rënia e papritur e dritës mund të ndikojë përkohësisht te organizmat që orientohen nga cikli ditë-natë. Gjatë eklipseve janë vërejtur zogj që ndalojnë së kënduari, insekte nate që fillojnë aktivitetin dhe bletë që kthehen në koshere.
Edhe bimët mund të reagojnë ndaj ndryshimit të dritës, duke ndryshuar përkohësisht pozicionin e gjetheve ose hapjen e luleve. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se këto reagime nuk janë ende plotësisht të kuptuara dhe mund të jenë të vështira për t’u dalluar nga sjellja normale gjatë muzgut.
Kur drita pakësohet, ndryshon edhe mënyra se si syri percepton ngjyrat. Ky fenomen njihet si ‘efekti Purkinje’. Në ndriçim të fortë mbizotërojnë qelizat që perceptojnë ngjyrat, ndërsa në errësirë rritet roli i qelizave më të ndjeshme ndaj dritës blu dhe jeshile.
Si rezultat, e kuqja dhe portokallia mund të duken më të errëta, ndërsa bluja dhe jeshilja relativisht më të ndritshme. Edhe ky efekt, megjithatë, do të përzihet me ndryshimet natyrore të dritës gjatë perëndimit.
Një paralajmërim i rëndësishëm: edhe gjatë një eklipsi të pjesshëm, Dielli nuk duhet parë drejtpërdrejt pa filtra diellorë të certifikuar. Për të vëzhguar fenomenin në mënyrë të sigurt, përdorni vetëm pajisje të posaçme ose metoda indirekte. tesheshi.com
Burimi: tesheshi
