Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

“Ekonomia shqiptare në rritje, por ende nën potencial; ja rreziqet”

Prizren Post | 18:44 - 28.09.2015

Tirane – Ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të zgjerohet gjatë gjysmës së parë të 2015-ës, megjithëse mbetet nën potencialin e saj. Ky është përfundimi i Bankës Botërore në raportin e publikuar sot rreth ecurisë ekonomike në gjashtë vendet e Evropës Juglindore (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Serbi, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë).

Në raport thuhet se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vendin tonë gjatë këtij viti pritet të jetë 2.7 për qind, me një ulje prej 0.3 për qind nga parashikimi fillestar. Në 2014-ën rritja ishte 2.1 për qind, në 2016-ën parashikohet të rritet në 3.4 për qind dhe në vitin 2017 në 3.5 për qind.

“Rritja është nxitur kryesisht nga investimet dhe eksportet neto, ndërsa konsumi privat ka mbetur i ulët, duke reflektuar besimin e ulët të konsumatorëve. Investimet private kanë përfituar nga përmirësimet e klimës së biznesit dhe nga ripagimi i një pjese të madhe të pagesave të prapambetura të qeverisë për sektorin privat, dhe pritet të jenë më të konsoliduara në kuadrin afatmesëm. Nga ana tjetër, investimet publike, të cilat janë zgjeruar deri tani, mund të preken nga përpjekjet për konsolidim fiskal, në mungesë të përshtatjeve të tjera”, thuhet në raport.

Lidhur me rreziqet që mund të pengojnë rritjen e ekonomisë shqiptare, Banka Botërore veçon tre: niveli i lartë i kredive të këqija që kufizon rritjen e kreditimit, çmimet e ulëta të naftës dhe kërkesa e jashtme e kufizuar.

“Investimet e huaja të drejtpërdrejta janë rritur në mënyrë të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të 2015-ës me rreth 53 për qind në bazë vjetore, pas rënies në tremujorin e fundit të 2014-ës, të nxitura nga investimet e huaja direkte në sektorin e shpimit. Janë shtuar edhe prurjet neto në llogaritë financiare, pavarësisht uljes së të ardhurave nga eksporti, remitancave dhe prurjeve të investimeve të huaja direkte nga Greqia. Inflacioni vijoi prirjen e rritjes në fillim të vitit, i nxitur kryesisht nga oferta e ulët. Megjithatë, duke filluar nga maji 2015, çmimet e ulëta të importeve e kanë detyruar inflacionin të ulet nën nivelin e synuar, duke arritur në 1.3 për qind në korrik”, thuhet në raport.

Sa i takon papunësisë, në tremujorin e dytë të këtij viti arriti në 17.3 për qind nga 18.6 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. BB-ja vëren se ka një pjesëmarrje të ulët në forcën e punës sidomos për femrat dhe të rinjtë.

Ndërkohë të ardhurat nga tatimet në qershor u rritën me 4.4 për qind krahasuar me një vit më parë, por kjo rritje është më e ulët se pritshmëria prej 9.4 për qind. Kjo do të thotë se në arkat e shtetit u derdhën 8.6 miliardë lekë më pak sesa parashikimi fillestar. Ndërsa të ardhurat nga tatimi i biznesit të vogël dhe tatimi mbi fitimin janë rritur me përkatësisht 22.5 për qind dhe 21.7 për qind.

Borxhi publik në vitin 2015 parashikohet të rritet lehtë në 73.2 për qind të PBB-së, nga 72.5 për qind që ishte një vit më parë. “Përpjekjet e vazhdueshme për konsolidimin e financave publike pritet ta vendosin borxhin në një trajektore zbritëse dhe ta ulin atë deri në nivelin 57.1 për qind të PBB-së deri në vitin 2019”, nënvizohet në raportin e Bankës Botërore.

Duke vijuar me parashikimet, konsumi privat pritet të forcohet duke e intensifikuar kontributin e tij ndaj rritjes. Përmirësimet e pritshme në klimën e biznesit dhe besimin e investitorëve, si dhe prurjet e forta të investimeve të huaja direkte pritet të ndikojnë për mirë mbi aktivitetin ekonomik.


Arivisti Company