Elbasani i shek XVII, “nusja e Shqipërisë dhe e Rumelisë”


E premte, 7 Dhjetor 2018

Qyteti i Elbasanit u themelua në verën e vitit 1466 prej sulltan Mehmetit II mbi rrënojat e një vendbanimi të hershëm, Skampeis (Scampia, Skampini).

Procesi i rindërtimit u bë nga ushtria osmane gjatë rrethimit të dytë të Krujës, ku burimet historiografike tregojnë se në krye të punimeve kishte qëndruar vetë sulltani duke i motivuar punëtorët që ta mbaronin ndërtimin sa më shpejt. Ky fakt pohohet edhe nga kronikat e kohës që bëjnë fjalë mbi ngjarjen në fjalë. Në përfundim ai ia vendosi emrin qytetit “Ilbasan”, emër që reflektonte pozitën e rëndësishme të qytetit.

Një dokument i rëndësishëm në lidhje me ndërtimin e fortesës së Elbasanit, pozicionin gjeografik dhe rëndësinë që ajo kishte për osmanët është vetë letra e shkruar nga Sulltan Mehmeti II për djalin e tij Bajazitin ku ai shprehej: “për të siguruar pushtimin tonë mbi këtë vend, në një pikë, që na u duk më e përshtatshme, ndërtuam një kala madhështore, të pajisur me kulla të larta dhe mure e bedena të fuqishme. Këtë e caktuam si kryeqendër të vendit…”
Pozicioni gjeografik i qytetit të Elbasanit e bënte këtë të fundit një qendër me rëndësi strategjike.

Qyteti ndërtohej në një pikë lidhëse midis pjesës veriore dhe asaj jugore të trojeve shqiptare. Gjithashtu, zona në fjalë përshkohej nga rruga e famshme Egnatia, e cila lidhte Romën me Konstandinopojën dhe që për shumë shekuj me radhë kishte qenë pikëkalimi i udhëtarëve, mbretërve, ushtrive e karvaneve tregtare të ndryshme. Kjo gjeografi përbënte një nyje të rëndësishme pikëtakimi për rrugët tregtare që bashkonin qytete me tregje të mëdha ekonomike siç ishte Ohri, Dibra, Durrësi apo Berati. Përveç rrjetit të brendshëm tregtar pozicioni i Elbasanit është përdorur edhe nga karvanet tregtare që merreshin me eksporte përmes portit të Durrësit. Të gjitha këto elementë favorizues përbënin një potencial të madh për zhvillimin e ekonomisë së qytetit ashtu edhe për shpërndarjen e prodhimeve të tij në një rrjet tregtar shumë të gjerë.

Me një largësi vetëm dyzet milje larg detit, Elbasani përbënte një rrezik të madh për pushtimin e Durrësit dhe pjesëve të tjera të bregdetit shqiptar që nuk ishin në duart e osmanëve. Për këtë arsye, pozicionimi i pushtuesit në një pikë kaq të afërt me brigjet e shqetësonte edhe Republikën e Venedikut, e cili sipas dokumentave ndërmori disa hapa konkretë për eleminimin e këtij rreziku potencial. Madje, dokumentat tregojnë se në gusht të vitit 1466 Senati i Venedikut merr vendim për ti’u drejtuar Skënderbeut me qëllim ndërmarrjen e një ekspedite ushtarake të përbashkët për të penguar ndërtimet në Valm ku shkruhej: “Të gjithë ata që shkruajnë nga Shqipëria e quajnë si një gjë të rrezikshme e të dëmshme për shtetin tonë në Shqipëri, rindërtimin që po i bën Turku atij qyteti të quajtur Valmi, qoftë për afërsinë e tij me vendet tona, qoftë edhe për shumicën e materialit për të ndërtuar fustet dhe anijet e tjera dhe për lehtësi të zbresë në për lum dhe të bjerë në det. Prandaj, duke qenë e nevojshme që të merren të gjitha masat e duhura nga çdo anë, të merret vendim që t’i shkruhet të madhërueshmit zotit Skënderbej, që të ketë mirësinë të marrë parasysh çështjen se ajo murtajë, që mund të thuhet se gjindet në gjirin e tij dhe tonin, do të bëhet çdo ditë më e dëmshme dhe më e rrezikshme.

Gjithashtu, le t’u shkruhet proveditorëvet tanë të Shkodrës dhe të Shqipërisë, se për këtë çështje duhet të takohen me Skënderbeun e lartpërmendur dhe t’i kuptojnë mendimet e tij, dhe t’i kujtojnë atij se do të na pëlqejë shumë dhe do të mbetemi fare të kënaqur në qoftë se ai merr guximin…, dhe, pasi të mblidhen të gjithë njerëzit tanë vendas dhe italikë, këmbësorë e kalorës, bashkë me të gjitha trupat ushtarake tia… të mund të sulmohet ai vend dhe, pasi të zbohen turqit, të rrënohet…” Po në një dokument tjetër, dogu i Venedikut Moro i shkruan Pal Engjëllit duke i kërkuar këtij të fundit të bashkojë forcat me Skënderbeun, për të sulmuar qytetin “Valma” që ishte restauruar nga turqit dhe ta rrënojnë përfundimisht atë.

Si një pikë lidhëse e rrugëve tregtare Elbasani arriti një zhvillim të madh në një kohë shumë të shkurtër. Studiuesit por edhe kronistët e kohës theksojnë brenda një shekulli Elbasani arriti të bëhej njëra ndër qendrat ekonomike më të zhvilluara të vendit. Kështu, albanologu kroat Shuflaj citon një italian i cili e viziton qytetin në vitin 1570 duke e përshkruar atë me këto fjalë: “qyteti shtrihet në një fushë me ujë të bollshëm, ka mure të forta, pirgje katërkëndëshe dhe një hendek; rreth e përqark ka shumë lagje të jashtme. Për t’u dalluar nga qytetet e vjetra të Shqipërisë, frankët e quanin atëherë “Terra nuova”, grekët Neokastro.”

Në këtë kontekst vlen të citohet dëshmia e ambasadorit venecian Bernardo i cili në vitin 1591 theksonte se në Elbasan ishte selia e sanxhakbeut. Veç të tjerash ai dëshmon për ekzistencën e një tregu lëkurësh e leshrash dhe të dy karvansarajesh në qytet. Pra, në një distancë të shkurtër kohore prej vetëm një shekulli Elbasani kishte nisur të merrte pamjen e një qendre të rëndësishme ekonomike, administrative e kulturore krahasuar me qytetet me të cilat rrethohej.

Zhvillimi ekonomik, demografik dhe kulturor i qytetitTë dhënat burimore tregojnë se në shek. XVII qyteti i Elbasanit ishte njëra ndër qendrat më të rëndësishme të trojeve shqiptare me 28 lagje e mbi 4000 shtëpi duke kaluar kështu qendra të mëdha të kohës si Beratin, Shkodrën apo dhe Prizrenin. Kjo dëshmohet nga udhëtarë të ndryshëm që kanë vizituar zonën gjatë periudhës në fjalë, nga regjistrat osmane të kohës por edhe relacione të ndryshme që gjenden në arkivat perëndimore. Në lidhje me këtë të fundit, vlen të përmendet një relacion që dërgonte peshkopi i Stefanisë Nikolla Mekajshi për papa Klementin VIII ku theksohej se Elbasani ishte njëra ndër provincat më të rëndësishme të Shqipërisë. Letra e cila i përket shek. XVII e cilëson qytetin si qendër sanxhaku, me një popullsi të madhe ku vetëm pjesa e varoshit kishte rreth shtatë mijë shtëpi.

Çelebiu e tregon Elbasanin si qendër të sanxhakut, me një administratë të fuqishme dhe që kishte nën varësi zona të rëndësishme përreth ku mund të përmenden Bashtova, Myzeqeja dhe Durrësi. Me 526 katunde, 18 zeamete dhe 128 timarë Elbasani në shek. XVII rezulton si një qendër e fuqishme ekonomike e administrative. Përsa i përket përmasave të qytetit Çelebiu rrëfen se vetëm brenda fortesës ndodheshin 460 shtëpi. Bashkë me lagjet që gjendeshin në periferi që sipas tij shtriheshin deri në një orë larg, Elbasani kishte 1150 saraje dhe shumë shtëpi të nivelit mesatar.

Shkaku kryesor i rritjes ekonomike në një kohë të shkurtër ishte pozicioni gjeografik i qytetit i cili kryente funksionin e një nyjeje lidhëse midis Lindjes e Perëndimit, veriut e Jugut të qyteteve shqiptare. Studiuesit theksojnë se përveç tregut të brendshëm ku pazari i Elbasanit thithte prodhimet e qyteteve të tjera të zonës së Shqipërisë së Mesme, ky treg lidhte gjithashtu edhe portin e Durrësit me Maqedoninë dhe Thesalinë, por edhe me tregje më të largëta si ai i Sofjes apo Stambollit. Pozicionimi mbi rrugën e vjetër Engatia i jepte mundësi tregtisë të prodhuar në Elbasan të lidhej si me tregun e brendshëm të perandorisë që kulmonte në kryeqendrën e saj Stambollin, ashtu edhe të paraqiste produktet e veta në detin Adriatik përmes portit të Durrësit. Një fakt tjetër i rrjetit të gjerë tregtar që qyteti i Elbasanit kishte gjatë kësaj periudhe është edhe prania e tregtarëve të huaj herë pas here në këtë treg. Kështu, të dhënat burimore tregojnë për ardhjen në këtë qytet të tregtarëve grekë, armenë, hebrenj e të kombësive të tjera.

Një element tjetër tregues i rritjes ekonomike të Elbasanit ishin edhe panairet vjetore në të cilat ekspozoheshin prodhimet e zonës. Ndryshe nga shumë qytete të tjera, Elbasani ishte ndër të paktat zona që zhvillonin tre panaire lokale në vit: panairi i Shën-Gjon Vladimirit që mbahej më 22 maj, i Shën-Ilisë më 20 korrik dhe i Shën-Mrisë më 15 gusht. Ky aspekt, ishte një tregues tjetër i rritjes ekonomike dhe potencialit tregtar që Elbasani kishte arritur gjatë periudhës në fjalë, ku, përveç kapacitetit prodhues të brendshëm ai thithte edhe prodhimet e qyteteve të tjera përreth si Kavaja, Durrësi e Kruja por edhe qendrave më të largëta siç mund të përmendet Berati, Dibra apo Manastiri. Duke patur parasysh faktin se zona e Elbasanit me fshatrat përreth ishte e favorshme për zhvillimin e blegtorisë, dy panairet e parë që zhvilloheshin në maj dhe korrik kishin më shumë një karakter bujqësor e blegtoral ku paraqiteshin prodhimet e zonës. Ndërsa panairi i tretë i cili zhvillohej në muajin gusht ishte më i madhi dhe aty tregtoheshin mallrat e esnafëve. Për këtë arsye, panairi i tretë pritej me festime nga ana e korporatave.

Veç panaireve që karakterizoheshin nga një pjesëmarrje më e gjerë në Elbasan mbahej edhe tregu javor që zhvillohej çdo të dielë. Sipas udhëtarit osman Evlia Çelebiut këtë ditë qyteti mbushej me njerëz që vinin nga katundet, krahinat e fortesat përreth. Ai thekson se pjesëmarrja në treg është aq e madhe rruga mezi çahet për të kaluar. Me rëndësi është edhe përshkrimi që ai u bën rrugëve të qytetit duke theksuar se ato ishin të shtruara me kalldrëm ku në të dy anët kishte rrugë të posaçme për këmbësorë dhe në skaj të tyre gjendeshin kanale apo vija uji të cilat shërbenin për të larë, pastruar e flladitur rrugët.

Përveç pozitës gjeografike, një faktor tepër i rëndësishëm që i dha zhvillim të madh qytetit të Elbasanit gjatë kësaj periudhe padyshim ishte edhe institucioni i esnafëve ose korporatat. Organizimi i tregtareve të të njëjtave zeje në korporata ishte një motor i rëndësishëm zhvillimi si për vetë esnafët ashtu edhe për qytetin ku ato bënin pjesë. Gjurmët më të hershme dhe embrionike të organizimeve esnafore në Elbasan datojnë që në vitet 1580 ku bëhet fjalë për disa profesione më të zhvilluara siç mund të përmenden ato të tabakëve, papuçinjve, shpataxhinjve leshpunuesve, etj.

Pas fazës së formësimit esnafet do ta arrijnë kulmin e zhvillimit të tyre në shek. XVII duke funksionuar brenda një sistemi të kodofikuar. Bie në sy fakti se sistemi i esnafëve të Elbasanit rezulton të jetë njëri ndër më të hershmit si në hapësirën shqiptare, ashtu edhe në pjesën ballkanike të perandorisë osmane. Kështu, statuti i tabakëve daton në vitin 1657, ai i argjendarëve më 1662 dhe ai i gëzoftarëve në vitin 1669.

Ato ishin të organizuara në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, me statute e rregullore të veçanta, me përgjegjësi e detyra edhe në jetën qytetare. Çdo korporatë kishte drejtuesit e saj por edhe bajrakët (flamurët) si shenjë dalluese. Duhet theksuar se korporatat nuk ishin vetëm angazhim i popullsisë myslimane. Në qytete të ndryshme kemi raste kur esnafe të ndryshme si ato të bakërxhinjve apo kujumxhinjve (argjendarëve) ishin të komuniteteve të tjera fetare. Në rastin e Elbasanit, mund të thuhet se kishte një traditë të rëndësishme të esnafëve ortodoksë kodikët e të cilëve miratoheshin nga mitropolitë lokale.

Sa u përket korporatave që vërehen në qytetin e Elbasanit gjatë periudhës në fjalë, mund të thuhet se ai ishte qendra më e madhe shqiptare e esnafëve me 30 të tilla në të cilat përfshiheshin mbi 60 zeje të ndryshme. Në këndvështrimin tonë, ky aspekt përbën njërin ndër shkaqet themelore të zhvillimit të qytetit të një periudhë kaq të shkurtër dhe kulmimit të kësaj zone në shek. XVII duke u kthyer në njërën ndër qendrat më të rëndësishme të hapësirës shqiptare në aspektin ekonomik, administrativ e kulturor. Për ta bërë më të qartë rolin dhe peshën që esnafet kishin në jetën sociale dhe ekonomike të qytetit, duhet theksuar se drejtuesit e këtyre esnafeve në të njëjtën kohë ishin edhe pjesë e aristokracisë së Elbasanit

Zhvillimi demografik dhe ekonomik i qytetit u shoqërua edhe me ndryshime në aspektin kulturor. Sigurisht që një shkak tjetër që ndikonte në formësimin kulturor të qytetit gjatë kësaj periudhe ishte edhe besimi i ri, Islami. Elementë kulturorë të motivuara nga besimet myslimane dhe ortodokse do të kenë influencë në objekte të ndryshme si objektet e kultit, afresket e kishave e të bazilikave dhe lëvrimin e artit gojor ku në Elbasan dëshmohet për praninë e poetëve të ndryshëm. Kështu ne hasim në aktivitetin e Onufër Neokastritit i cili jetoi në shek. XVI duke e vulosur stilin e tij në shumë kisha kryesisht në Berat dhe Elbasan.

Kronisti i famshëm turk i shek. XVII Evlija Çelebi është një tjetër autor i cili na jep të dhëna mbi qytetin e Elbasanit gjatë shekullit në fjalë. Ai e quan Elbasanin si “Daru’sh Shuara” që do të thotë vendi ose shtëpia e poetëve. Ky aspekt nxjerr në pah edhe anën e zhvilluar kulturore e veçanërisht poetike të këtij qyteti.

Të rëndësishme në këtë përshkrim gjithashtu janë edhe aspekte të ndryshme të qytetit si lagjet, arkitektura, vende ose ndërtesa të rëndësishme, tregu i qytetit, figura dhe familje të njohura të kohës etj. Nga të dhënat që Çelebiu jep rreth qytetit mund të veçohet ekzistenca e tre instituteve bamirësie për të varfërit e të huajt, shkollave të ndryshme, shtatë kafehane, tri banja, 430 kroje e shumë puse.

Ai gjithashtu jep të dhënat mbi tiparet, veshjet e zakonet e banorëve të Elbasanit duke i cilësuar si njerëz të shëndetshëm. Çelebiu dëshmon se gjuha e përdorur në qytet është arbërishtja, njihet edhe turqishtja, ndërsa tregtarët dijnë edhe greqisht e frengjisht. Atij i bën përshtypje bukuria e qytetit por edhe e banorëve të tij. Për këtë Çelebiu e cilëson qytetin e Elbasanit si “nusen e Shqipërisë dhe të Rumelisë.”

Roli i vakëfeve në zhvillimin e Elbasanit gjatë shek. XVIINjëri ndër faktorët që ndikuan pozitivisht në përmirësimin e infrastrukturës, ekonomisë, mirëqenies dhe shërbimeve sociale ishte edhe institucioni i vakëfeve, thënë ndryshe fondacioneve të bamirësisë. Qytetet paraqesin ndryshime nga njëra tjetra duke u spikatur në sajë të disa avantazheve që mund të jenë gjeografike, kulturore, ekonomike apo administrative e strategjike.

Kështu, gjatë kësaj periudhe Elbasani del në qendër të vëmendjes për zhvillimin e aspektit tregtar, konkretisht sistemit të esnafeve. Në këtë kontekst, vlen të theksohet fakti se në dokumentat e shumta që kemi mundur të konsultojmë në Sherijet e Elbasanit që gjenden pranë Arkivit Qendror të Shtetit vërehet se një pjesë e madhe e vakëfeve kishin lidhje të drejtpërdrejtë me këtë kategori.

Në vetvete esnafet kishin edhe vakëfe me anë të të cilave mund të kontribuonin për ndërtime objektesh kulti, për ndihmesën e shtresave të ndryshme shoqërore që ishin në nevojë, për rregullime apo meremetime rrugësh, çezmash apo kanalesh. Kështu, nga dokumentat mësojmë se pothuajse të gjitha esnafet që vërehen në qytetin e Elbasanit kanë vakëfet e tyre.

Shumica e të dhënave janë në lidhje me korporatat të cilat kishin më shumë anëtarë siç mund të përmenden ato të terzijve, tabakëve (lëkurëregjësve), shpatandreqësve etj. kështu, janë të shumtë personat të cilët japin donacione në favor të vakfit të esnafëve pjesë e të cilës ato vetë ishin. Kontributi i vakëfeve në ndërtimin e objekteve të ndryshme por edhe si pasojë e rëndësisë së tyre në jetën ekonomiko-sociale të qytetit vërehet edhe në toponimet e shumta që kishin lidhje me këtë grup. Për shembull në Elbasan hasim në emra vendesh apo objektesh si pusi i tabakëve, shatervani i tabakëve, teqeja apo tyrbja e tabakëve, sheshi i tabakëve etj. Madje, vetë njëra ndër lagjet më të mëdha të qytetit kishte emrin Tabakhane, aspekt i cili e tregon më së miri rëndësinë dhe peshën që ky esnaf kishte në Elbasan.

Duke patur parasysh karakterin e fortë ekonomik të Elbasanit vlen të veçohet se edhe ky aspekt pasqyrohet në pronat që vakëfet kishin. Kështu, regjistrat e gjykatave tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e pronave të lëna në formën e vakëfit konsistonin në objekte që kanë të bëjnë me tregtinë ku shumica janë dyqane, prona të përbashkëta të korporatës por edhe objekte të tjera si hane apo hamame. Për shembull vakëfi i një personi të quajtur Husrev nga qyteti i manastirit kishte patur nën pronësinë e tij një hamam në pjesën e tregut në Elbasan. Regjistrat tregojnë se pas nxjerrjes në ankand hamami është marrë nga një person i quajtur Hysen me profesion hamamxhi për një vit me qera kundrejt shumës së 1800 akçeve.

Institucioni i vakëfit në periudhën osmane hasej në të gjitha pjesët e shtetit osman dhe nuk kishte ndonjë limitim në mënyrën e të dhuruarit. Kështu një funksionar i cili jetonte në Stamboll ose në ndonjë pjesë tjetër të perandorisë mund të linte vakëf në vendlindjen e tij apo në vendin ku ushtronte funksionin e tij si zyrtar.

Një figurë që mund të tregohet si shembull në këtë kontekst është edhe arkitekti i njohur osman me origjinë shqiptare Kasemi i cili ka ndërtuar vepra të rëndësishme arkitekturore si në trojet shqiptare ashtu edhe në pjesë të tjera të perandorisë. Kështu, mësojmë se arkitekt Kasemi në vitin 1641 ka kthyer në vakëf çifligje, banja, çezma, e prona të ndryshme në sanxhakët e Vlorës dhe të Elbasanit. Po ashtu, Hajdar pasha, një funksionar i lartë në ushtrinë osmane me origjinë nga një fshat i Elbasanit ka lënë një vakfije me anë të së cilës ai ndërton në fshatin e lindjes një xhami dhe një shkollë. Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre ai ka ndërtuar edhe një vakëf.

Një fushë tjetër e rëndësishme tek e cila shkonin kontributet dhe të ardhurat që fitonin nga vakëfet ishin edhe institucionet e besimit. Duke patur parasysh influencën që besimi kishte në jetën personale dhe komunitare të kësaj periudhe vërejmë se në vakfijet e shumta dhurohet edhe për këto institucione ku veçanërisht spikasin teqet. Në vetvete ky element mbart dy shpjegime. I pari ka të bëjë me përhapjen e rrymave mistike islame në Elbasan.

Ndërsa aspekti i dytë ka të bëjë me impaktin dhe rolin që baballarët e teqeve kishin në hierarkinë e korporatave të ndryshme që ekzistonin në këtë qytet.
Duke u nisur nga të dhënat e mësipërme vërejmë se vakëfet në qytetin e Elbasanit gjatë shek. XVII. paraqesin disa komponentë të rëndësishëm që luanin rol në zhvillimin e jetës sociale, kulturore dhe ekonomike të qytetit. Roli social i vakëfeve konsistonte në ardhjen në ndihmë të shtresave në nevojë përmes shërbimeve që vakëfet jepnin. Ndërtimi ose mirëmbajtja e rrugëve, çezmave, shkollave dhe objekteve të kultit u jepnin mundësi banorëve të qytetit të përfitonin nga shërbimet e dhëna përmes tyre.

Nga ana tjetër shtresa e pasur solidarizohej në jetën qytetare me anë të dhurimeve në formën e pasurive të patundshme apo atyre financiare duke hapur kështu edhe vende të reja pune duke patur parasysh faktin se ishin njerëzit ato që do të punonin për mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e vakëfit. Padyshim që një rol të rëndësishëm vakëfet luajtën edhe zhvillimin ekonomik të qytetit dhe të esnafëve në veçanti. Vakëfet e secilit grup esnafor në njërën anë përdoreshin për ndërtimin e veprave në të mirë të shoqërisë por nga ana tjetër funksiononin edhe si kapital i përbashkët (bankë) ku esnafët mund të shkonin e të tërhiqnin të holla në raste nevoje. Të pasurit e një sigurie financiare i stimulonte pjesëtarët e esnafëve të investonin në zgjerimin e aktiviteti të tyre.

Nisur nga potenciali ekonomik, pozita gjeografike, zhvillimi urban e kulturor, aspekti njerëzor e filantropik Elbasani lulëzoi me të vërtetë në këtë periudhë. Bukuria natyrore e qytetit e bashkuar me punën e palodhur të tregtarëve dhe bujarinë e filantropëve i dha qytetit një pamje krejt tjetër. Po, Elbasani në këtë kohë ishte “nusja e Shqipërisë dhe e Rumelisë.”

dy.b/shqiptarja.com

Etiketa: ,