Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Enver Hoxha i Velos në “Wende Museum”

Prizren Post | 16:24 - 12.06.2013

Një tablo e Maks Velos me titullin “Diktatori” është bërë pjesë e koleksionit të Luftës së Ftohtë në “Wende Museum” në Los Anxhelos. Njëmbëdhjetë gra të veshura me përparëse të bardha kujdesen të vendosin pa gabime banerin e Leninit. Tabloja me këtë imazh quhet “Pranvera” dhe është vepër e artistit rus, Boris Spornikov, e realizuar më 1976, pjesë e koleksionit “Socializëm” në “Wende Museum” në Los Anxhelos, transmeton ‘Shqip’.

Ky koleksion me vepra të autorëve të njohur të vendeve që e kanë jetuar këtë histori, është ndër më të vizituarit në këtë muze. Pak më tej një vepër me autor anonim, sjell një vajzë të veshur me kominoshe dhe një shami të kuqe në kokë, teksa ngre një traktor. Një tjetër tablo sjell njerëz të veshur me xhaketa kafe, teksa lexojnë libër në një autobus për në punë. “Rritja e grurit” dhe gratë ruse në arën e madhe është një tablo frymëzuese që të çon larg në kohë…

Disa buste të Leninit, krijuar më 1965, rrinë bri pikturave të kësaj periudhe. Pikturat e ekspozuara në këtë pavijon duken motive të njohura për një vizitor që vjen nga Shqipëria. Subjektet janë të njëjta, njerëz të veshur me të njëjtën veshje, dhe të njëjtat motive, puna, atdhedashuria, ylli i kuq, apo tregimi i forcës përmes bashkimit… Nëse do t’i shihje në Galerinë tonë të Arteve do të mendojë se autorët që i kanë realizuar janë shqiptarë.

Arti i soc-realizmit përmban një sërë veprash të realizuara nga vitet 1940-1980 , të cilat paraqesin dhembjen, por dhe jetën e thjeshtë që është bërë në këto vende që kanë jetuar “Luftën e ftohtë”apo “Rënien e murit të Berlinit”. Artistët rusë dominojnë me veprat përfaqësuese në këtë seksion. Pavarësisht skematizmit, që ky art përmban, ato janë dëshmi e një kohe, për të cilën Perëndimi është gjithnjë kurioz të mësojë më tepër.

“Ky koleksion ruan imazhe nga Lufta e Ftohtë, duke vënë në dispozicion të studiuesve fakte artistike mbi të kaluarën, duke i bërë ata të ndihen të pranishëm në të”, thuhet në shprehjen që shoqëron këtë koleksion punësh. Vetëm një muaj më parë Shqipëria, një vend që e ka krijuar për gati 50 vjet këtë art, përfaqësohet në këtë muze me një tablo të artistit Maks Velo. Tabloja e Velos quhet “Diktatori” dhe është veçuar nga drejtuesit e muzeut, si një tablo e tepër e ndier për mesazhin që mbart. Vepra është një portret i ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.

“Në këtë tablo përshkruaj portretin e Enver Hoxhës… Është një skelet me kurorën e mbretit. E kam menduar si një njeri që synonte dhe e arriti mbretërinë pasi vdiq. Komunizmin e ktheu në një mbretëri”, thotë Velo. Vepra është pjesë e një cikli të tërë pikturash kushtuar kohët e burgut, që është dhe një nga ciklet më të mëdha të këtij autori me rreth 100 punime. “Këto imazhe i kam pasur gjithnjë brenda vetes, por nuk mund t’i realizoja për shkak të sistemit”, tregon Velo. Rënia e komunizmit në Rumani, apo rënia e murit të Berlinit, do ta bënin Maks Velon, atëherë punëtor i thjeshtë në ndërmarrjen e Abrazive (të thyerjes së gurit), të niste të hidhte në telajo imazhet që prej vitesh ecnin bashkë me të.

“Këtë cikël kam nisur ta punoj më vitin 1985 dhe e kam përfunduar më 1995”, thotë Velo. Për gati gjashtë vjet ai krijoi tablotë që kanë brenda gjithë qenien e tij në burg. “Në këtë cikël janë qelia, është autoburgu, janë torturat… Një vend me rëndësi janë dhe punimet në galeri, janë pushkatimet.

Pikërisht në këtë cikël kam bërë dhe diktatorin”, thotë Velo. Burgu kishte sjellë shumë dhembje në jetën e Maks Velos, dhe një prej tyre ishte dhe fakti se shumë vizatime, tablo të bëra pas viteve 60 përfunduan të humbura dhe të djegura. Në aktin e ekspertimit të dënimit të tij më 1979 thuhej: “Që me punimet e tij ka rënë në pozitat e një arti formalist të rrymave dhe drejtimeve borgjeze dhe revizioniste, duke u referuar dhe mbështetur në veprën reaksionare të ekspresionistëve gjermanë, në krijimtarinë famëkeqe të Pablo Pikasos, Brakut, Matisit, Kandinskit”.

Ndaj, realizimi i këtij cikli ishte si një lloj çlirimi për të. Dy nga punimet e këtij cikli janë blerë nga Muzeu Historik në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër është ekspozuar në vende si Francë, Poloni, Amerikë ku janë pritur pozitivisht nga publiku. Kritika i ka quajtur këto punime si një cikël i rëndësishëm në historinë e artit shqiptar. Tablotë nga ky cikël janë zgjedhur nga autori Horold Segel për të ilustruar një enciklopedinë “Muret mbrapa perdes” me 47 autorë nga Europa e Lindjes.

Maks Velo nuk ka zgjedhur vetëm pikturat për të rrëfyer burgun. Një pjesë të këtij rrëfimi ai e ka bërë dhe përmes rreshtash, duke shkruar një sërë tregimesh që i ka botuar dhe libër mbi atë periudhë… Nëse “Wende muze” mbledh tablo apo skulptura nga vendet që e jetuan regjimin totalitar për t’ua ofruar shikuesve apo studiueseve të historisë së artit, në Shqipëri ku kjo formë arti u lëvrua për gati gjysmëshekulli, ka mbetur e fshehur qoftë në Galeri, apo në studiot e artistëve që e krijuan.

Një pjesë e artistëve që e bën këtë lloj arti, kërkojnë ta fshijnë të shkuarën, ndërsa studiuesit apo agjentët e artit (që në vendin tonë ende nuk ekzistojnë), nuk e kanë gjetur ende vendin që do të ziejë në historinë e artit tonë pamor.


Arivisti Company