E mërkurë, 21 Dhjetor 2016
Ankara – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është takuar me Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani dhe më pas dy homologët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët, raporton Anadolu Agency.
Presidenti Erdoğan në fjalën e mbajtur në konferencën e përbashkët duke vënë në dukje se në takim është biseduar edhe rreth organizatës terroriste Fetullahçı (FETÖ) dhe luftën kundër saj në vijim tha: “Është e drejta jonë të kërkojmë që Shqipëria të pastrojë territorin e saj nga elementët të cilët janë kërcënim për Turqinë. Jemi në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe për sigurinë. Vendi jonë është duke dhënë përvojën dhe kontributin e tij ndaj policisë së Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Në këtë fushë zhvillojmë trajnime të ndryshme. Këto trajnime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.”
“Gjatë takimit me Nishanin folëm edhe për organizatën terroriste FETÖ si dhe luftën kundër saj. Unë e falënderoj personalisht dhe në emër të popullit tim për ndihmën e dhënë ndaj nesh në lidhje me këtë çështje”, ka theksuar ndër të tjera Erdoğan.
Presidenti Erodğan shprehu falënderimet e tij për vizitën e Presidentit të Shqipërisë, ku mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të Tunelit Euroazia (Avrasya) në Stamboll, i cili lidh Azinë me Evropën duke kaluar poshtë detit.
Presidenti Erdoğan në lidhje me Tunelin Euroazia tha se ai është kalimi i 5-të në Bosfor dhe se kjo gjë ka një kuptim të veçantë për ta. Erdoğan vuri në dukje se ky tunel do të ndikojë në përmirësimin e trafikut në Stamboll. “Ky tunel i cili lidh Azinë me Evropën është i projektuar që në kohën e Sulltan Abudlhamitit dhe si i tillë është një projekt historik”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Erdoğan.
Duke vënë në dukje se pas takimit kokë më kokë me Presidentin Nishani është zhvilluar një takim mes delegacionesh Presidenti Erdoğan ka thënë se në këto takime kanë patur mundësinë të bisedojnë për shumë çështje si politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore.
“Shqipëria, vend kyç për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”
Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij vuri në dukje se janë të kënaqur nga puna që po bën Shqipëria në fushën e sigurisë.
“Ndihma dhe bashkëpunimi jonë për modernizimin, pamjen ndërkombëtare dhe trajnimin e ushtrisë së Shqipërisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndjekim nga afër punën e Shqipërisë në drejtim të integrimit drejt BE-së dhe shpresojmë që në përfundim të këtyre hapave të hedhur në reformën për drejtësi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një vend i cili luan një rol kyç në stabilitetin e Ballkanit. Ne mendojmë që Shqipëria do të ndikojë për mirë në BE. Mbështesim gjithashtu nismat e Shqipërisë në politikën e jashtme, ku mund të veçojmë këtu punën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.”
Duke theksuar se mes Turqisë dhe Shqipërisë për momentin ka një tregti me vlerë 300 milionë dollarë, Presidenti Erdoğan e cilësoi këtë shifër si të pamjaftueshme. Presidenti Erdoğan ka thënë se ata kanë dëshirë që të zgjerojnë marrëveshjen tregtare mes dy vendeve duke shtuar produktet e bujqësisë dhe shtoi se një gjë e tillë mund të çojë në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën tregtare mes dy vendeve. Ai tha se së afërmi ministri turk i Bujqësisë dhe Blegtorisë, Faruk Çelik së shpejti do të vizitojë Shqipërinë.
Brenda një kohë të shkurtër dëshirojmë që shkëmbimet tregtare mes dy vendeve të shkojnë të paktën 1 miliardë dollarë, tha Presidenti Erdoğan dhe më pas duke dhënë detaje mbi punën e kompanive turke në Shqipëri tha se investimet e tyre kapin shifrat e 3 miliardë dollarëve dhe të paktën 9 mijë persona janë punësuar në këto kompani. Presidenti Erdoğan tërhoqi vëmendjen në fushat të tilla si bujqësinë, infrastrukturën, turizmin dhe prodhimin, si fusha ku Shqipëria ka të ardhme.
Ndërsa përsa i përket pranisë së shqiptarëve në Turqi, Presidenti Erdoğan ka thënë se qytetarët e Turqisë me origjinë shqiptare janë një vlerë dhe pasuri kulturore për Turqinë. Ai shprehu kënaqësinë për aktivitetet e Qendrës Kulturore “Sami Frashëri” në Ankara dhe Institutit “Yunus Emre” në Tiranë dhe Shkodër.
Më pas Presidenti Erdoğan duke folur edhe për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë themelin e së cilës e hodhi bashkë me Presidentin Nishani më 13 maj 2015 së , ka vënë në dukje vazhdimin e ndërtimit të saj me ritme të shpejta. Ai tha se Xhamia e Namazgjasë do të jetë një simbol i marrëdhënieve mes dy vendeve. Presidenti Erdoğan në vijim ka thënë se me përpjekjet e dy palëve dëshiron që ta mbarojnë sa më parë ndërtimin e saj dhe t’ja dorëzojnë vëllezërve shqiptarë.
Turqia mbështetëse e Kosovës
Presidenti Erdoğan në vijim të fjalës së tij ka prekur edhe çështjen e Kosovës. Duke vënë në dukje se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare dhe ato rajonale, shtoi se javën e ardhshme ai do të ketë kënaqësinë të presë Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Presidenti Erdoğan shtoi se gjatë takimit me Thaçin do të ketë mundësi të bisedojë nga afër në lidhje me këto çështje.
Ndërkohë duke shprehur miqësinë dhe dashamirësinë për shqiptarët me një thënie të Mustafa Kemal Ataturkut Erdoğan tha: “Ne popullin shqiptar e duam, e quajmë si vëlla, nuk e shohim atë larg vetes tonë.” Presidenti Erdoğan ka shprehur urimet e tij për nënshkrimin e marrëveshjes mes Anadolu Agency (AA) dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).