Erdogan BE-së: Unë ju demaskoj, prandaj ju luani mendsh


E enjte, 23 Qershor 2016

576b68cc7a670

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se Bashkimi Evropian nuk e pranon Turqinë për shkak të popullatës së saj myslimane.

I pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave në Universitetin “Fatih Sultan Mehmet” të Stambollit, kreu i shtetit turk shigjetoi liderët e BE-së.

“Ju nuk i mbani premtimet, kjo është fytyra juaj e shëmtuar. Erdogani ju demaskon dhe prandaj ju luani mendsh”, tha ai.

Erdogan kritikoi drejtpërsëdrejti edhe Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte shprehur me fjalët: “Nëse prishet Marrëveshja e Ripranimit, atëherë Presidenti Erdogan duhet t’i shpjegojë popullit turk arsyen përse nuk shkojnë dot pa viza në Evropë.”

“Hej president, ti nuk e njohe kombin turk. Ky komb nuk vrapon pas liberalizimit të vizave, Marrëveshjes së Ripranimit, apo gjërave të tilla që mund të vijnë nga atje (Bashkimi Evropian). Realisht ju i jeni vënë pas Turqisë”, shtoi lideri turk.

Në fund të fjalës së rastit, Presidenti Erdogan sinjalizoi edhe një referendum të mundshëm për negociatat e anëtarësimit të Turqisë në BE.

“Hej Union, ti nuk na pranon sepse populli ynë është mysliman. Ju nuk mund ta mohoni dot këtë gjë. Nëse Bashkimi Evropian nuk i mban premtimet ndaj nesh dhe ankohet me pretekstin e liberalizimit të vizave, atëherë dhe ne i drejtohemi popullit: ‘Po ose jo vazhdimit të negociatave me BE-në?’ Pastaj edhe ne veprojmë sipas vullnetit të shprehur nga populli ynë”, përfundoi Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Të fundit