E hënë, 2 Shkurt 2015
Vlorë – Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në jug të saj. Situata më e rënduar paraqitet në Fier dhe në Vlorë. Nga mëngjesi i së dielës, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm janë evakuar mbi 250 familje, veçanërisht në fshatrat e komunës së Novoselës në Vlorë dhe në fshatra të Fierit që janë pranë lumenjve.
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi deklaroi sot se e vetmja mundësi për të ndërhyrë është me mjete lundruese dhe nga ajri. Janë 5-6 familje që kërkojnë evakuim të domosdoshëm tha Prençi, ndërsa në nurmin 129 të policisë së Vlorës dhe Fierit, ka kërkesa për evakuim.
Situata më e vështirë në komunat e Vlorës dhe të Fierit
Pas rënies së errësirës, duke filluar nga Levani deri në Novoselë në fshatra Cervenë, Qarr, Martin të komunës Levan, në fshatrat e komunës Frakull, në fshatrat Fitore, Bishan, banorët filluan të kërkojnë ndihmë. Emergjencat civile operuan gjatë gjithë natës, situata e vështirë ishte të unaza e Qarrit në autostradën Levan-Vlorë, pasi thellësia e ujit arrit deri në 2 metër. Me problematike ishin banesat 1-katëshe. Në këtë zonë janë evakuuar pas orës 24:00 rreth 35 familje dhe barinj që kanë qenë duke u shërbyer bagëtive. Nga errësira e mbrëmshme deri në mëngjes nuk ka pasur reshje. Pas orës 6:30 të mëngjesit të sotëm shirat kanë filluar dhe situata po përkeqësohet.
VLORË- Një bilanc i madh dëmesh llogaritet në qarkun e Vlorës, edhe pse uji ka nisur të tërhiqet. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë për rrezik jete. Rreth orës 6:00 të mëngjesit, lumi Osum ka nisur të tërhiqet. Mbrëmjen e djeshme në Novoselë, rreth 600 banesa u përmbytën, ndërkohë që në rrezik ishin edhe 2000 të tjera, ndërsa 11 mijë hektarë tokë është plotësisht nën pushtetin e ujit. Në këto zona janë ndërmarrë dhe masa nga pushteti vendor, ndërsa FA kanë evakuuar 14 familje.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ndodhet në gatishmëri për situatën e krijuar. Drejt Vlorës një ditë më parë u nisën trupa ushtarakë, motobarka, gomone dhe mjete transporti. Ndërkohë janë angazhuar forcat e policisë së Vlorës, Delta Forcë dhe FNSH.
FIER- Ndërkaq në Fier, mbrëmjen e djeshme, Lumi Gjanicë përmbyti rreth 100 banesa dhe dhjetëra biznese. 12 persona mbetën të bllokuar nga uji, i cili doli nga shtrati në fshatrat e përmbytura të Fierit. 3 gra, 3 fëmijë mbetën të bllokuar në banesën e tyre në fshatin Ferras, njëra prej të cilave është shtatzënë. Ndërkohë që edhe 6 barinj të cilët ndodhen në një stallë pranë fshatit Qarr, apelojnë për ndihmë pasi janë rrethuar nga uji. Mësohet se disa bagëti të imta kanë ngordhur nga përmbytjet. Shtabi i Emergjencës punoi gjatë gjithë natës për të evakuuar 40 familje në Çerven . Gjithashtu u bë i mundur evakuimi i gruas shtatzënë./Shekulli/
Etiketa: permbytjet, Shqipëri, Vlorë