E enjte, 2 Tetor 2014
Krimi i organizuar në Evropë vazhdon të fitojë miliarda euro, shumica e të cilëve pastrohen në ekonominë e ligjshme në disa prej shteteve më të fuqishme të kontinentit të plakur.
Kështu thuhet në një studim të ri të organizuar nga Universiteti Katolik i Zemrës së Shenjtë në Milano dhe të financuar nga Bashkimi Evropian.
Strukturat e mafies kanë kapur pikat kryesore të aktivitetit ekonomik në të gjithë Evropën, ndërsa ndikimi i tyre më i madh është në Londër, Paris, Madrid dhe Berlin.
Autori i studimit, profesor Mikele Rikardi nga Universiteti Katolik i Zemrës së Shenjtë në Milano, thotë se këto grupe kriminale vetëm nëpërmjet piraterisë së produkteve, tregtinë e drogës apo kontrabandën e cigareve çdo vit fitojnë më shumë se 100 miliardë euro.
Vetëm me produktet e imituara ato fitojnë çdo vit 42 miliardë euro, pra gati gjysma e gjithë xhiros.
Në një intervistë për gjermanen “Deutsche Welle” thotë se pirateria e produkteve është një krim që është nënvlerësuar nga strukturat e antikrimit në Evropë.
Por ky studim ka hasur edhe në kundërshtime. Zv/shefi i Ligës së Zyrtarëve gjermanë të Kriminalistikës, në një intervistë për “DW”-në e ka quajtur studimin shumë konservator. Sipas tij vetëm në gjermani krimi i organizuar fiton gati 50 miliardë euro çdo vit.
Fiedler thotë se i gjithë sektori i kriminalitetit fiskal, për shembull problemi i mashtrimeve me taksën mbi vlerën e shtuar, mbetet jashtë studimit të universitetit në Milano.
Ky është një sektor ku krimi i organizuar gjen strehë për t’iu shmangur autoriteteve shtetërore.
Pastrimi i parave
Për autoritetet hetuese problemi bëhet edhe më i vështirë pasi shumica e këtyre të ardhurave hidhen ose financohen në ekonominë e ligjshme. Kjo u jep mundësi atyre që të maskojnë ose fshehin burimin e vërtetë të tyre.
“Krimineli kështu fsheh burimin e vërtetë të mallit të tij dhe i jep atij një petk të ligjshëm”, thotë Fiedler.
Një fushë tipike për këtë është biznesi i restoranteve pasi aty përdoren shumë paratë e thata, por edhe sektori i ndërtimit dhe para së gjithash ndërtimet publike.
“Ka subvencione, kemi prokurimin publik dhe grupe kriminale që mund të korruptojnë apo shantazhojnë politikanë apo të depërtojnë në fushën e politikës administrative”, thotë studiuesi italian, Rikardi.
Përveç të tjerash ata shfrytëzojnë edhe fusha të tjera, si ajo e energjisë së ripërtërishme.
I gjithë aktiviteti i tyre kriminal ka filluar të shkatërrojë në Evropë bazat e tregut të lirë, i cili mbështetet mbi konkurrencën e pastër.
Sipas studimit të universitetit italian, Gjermania mbetet një ndër vendet më të preferuara të mafies italiane. Aja është vendosur kryesisht në Këln, Duisburg dhe Shtutgard, ndërsa kryeqendra Berlini është kryeqendra e mafies ruse në Gjermani.
Dy studiuesit thonë që për të shkatërruar këtë të keqe duhet një bashkëpunim ndërkombëtarë. Që të shkosh deri te goditja e krimit të organizuar, sipas Mikele Rikarditn pikënisja duhet të jetë në disa prej sektorëve kryesorë të ekonomisë, të cilët kontrollohen në forma të ndryshme prej krimit./shekulli/