Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

FC Prishtina zhvillon ndeshje miqësore me FC Köniz

Prizren Post | 14:53 - 21.06.2013

FC Köniz nga Berna e ka ftuar ekipin futbollistik Prishtina për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Ekipi i Könizit luan në ligën e parë zvicerane. Një ndeshje e tillë ishte paralajmëruar edhe vitin e kaluar, por ajo qe anuluar për shkak se nuk ishte lejuar nga FIFA.

Takimi i parë po realizohet me Iniciativën e klubit të Könizit nga Berna, ndërsa për të ka lobuar edhe klubi FC Prishtina në Bernë.

FC Köniz i mbulon të gjitha shpenzimet për futbollistët kosovarë. Köniz është komuna më e madhe e kantonit të Bernës me rreth 40 mijë banorë, kurse klubi është më i miri në kantonin e Bernës, njofton portali Albinfo.

FC Prishtina nga Berna do të ndihmojë me logjistikë. “Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Könizin dhe natyrisht jemi shumë të gëzuar që ky klub e ka ftuar Prishtinën e Kosovës. Me këtë thellohet miqësia shqiptaro-zvicerane”, tha për Enver Qorraj, përgjegjës për marketing, njëherësh edhe sponsor i klubit Prishtina në Bernë.

FC Prishtina është formuar në vitin 1990 në Bernë dhe është një nga klubet e para shqiptare në Zvicër. Futbollistët e FC Prishtinës luajnë në ligën e tretë dhe të pestë zvicerane.

Ndeshja Prishtina- Köniz do të zhvillohet më 7 korrik, nga ora 15:00.


Arivisti Company