E hënë, 19 Shtator 2016

Benjamin KRASNIQI
Shkak për këtë shkrim, është një thënie shumë e njohur e Pashko Vasasës, i cili në njërën nga poezitë e tij, “O Moj Shqypni”, një varg thotë “…E mos shikoni kisha e xhamia, Feja e shqyptarit asht shqyptaria”. Kjo frazë e thënë para më se një shekulli, ende është shumë e freskët! Ende edhe në ditët e sotme, mjerisht ka shumë që janë ithtarë të kësaj fraze.
Kjo thënie, mjerisht bënë thirrje, për një fe, që realisht nuk ekziston fare. Pra, bënë thirrje për ateizëm. Shqiptarët i kanë fetë e tyre. Një nga vlerat më të mëdha të kombit tonë është bashkëpunimi ndër fetar, jo toleranca ndërfetare. Mirëpo, siç duke, ka disa që kjo nuk u shkon shumë për shtati dhe duan që shqiptarët t’i ndajnë edhe në baza fetare. Ndarja në baza politike dhe regjionale nuk po u mjafton si duket.
Kombi ynë është themeluar mbi bashkëpunimin ndërfetar të ideologëve të Rilindje Kombëtare Shqiptare. Humbja e kontributit të secilës fe, në themelimin e kombit shqiptar, do të thotë të anohet nga një fe tjetër dhe të i humbet merita një feje tjetër. Të gjithë rilindësit kishin nga një fe të cilës i takonin.
Kombet janë koncepte shumë të vonshme, dhe për më tepër janë edhe “krijime” të mendjeve njerëzore. Kombi është ngjizje e etnisë. Kombet kanë lindur aty në shek. XVIII, pas Revolucionit Borxhez Francez. Ndërsa fetë (feja islame, e më vonë fetë politeiste) ekzistojnë që nga krijimi i njeriut. Do të ishte shumë e palogjikshme, të mendohet, sot në shek. XXI me mentalitetin e kohës së Rilindjes Kombëtare. Jo, se ata kanë menduar gabimisht, apo kanë pasur ndonjë qëllim dashakeqes për kombin shqiptar, por ata ishin idealist, e jo përçarës, përfitues dhe materialist. Shumica që sot thërrasin në këtë ide, thjesht duan të përfitojnë diçka nga ndarja fetare e kombit shqiptar.
Kombet dhe racat Allahu i ka krijuar thjesht për tu dalluar mes vete. Këtë e dëshmon edhe Allahu në Kur’anin fisnik – “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëzit.” Kombet, racat dhe gjuhët e popujve të ndryshëm, janë thjesht dëshmi se Allahu krijon çdo gjë, pa asnjë vështirësi. Kombet, racat dhe gjuhët, janë begati dhe nder që Allahu ua bënë popujve.
Kjo thënie e Pashko Vasës ka luajtur një rol të madh në kohën e saj dhe është keqkuptuar pastaj nga të tjerët. Kjo thënie bënte thirrje për një kohezion të brendshëm politikë dhe nacional, duke shmangur ndarjen fetare të cilën me aq zell e manifestonin armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm të shqiptarëve, në kohën e Rilindjes Kombëtare.
Kombi është: “Bashkësi e qëndrueshme njerëzish e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës”.
Sipas këtij përkufizimi, feja nuk përmendet si një bazë për themelimin e kombit. Feja është pjesë e çdo kombi.
Feja: “besim në qenien e një fuqie të mbinatyrshme që ka krijuar, sundon e drejton gjithësinë; besimi te Zoti a te një perëndi. Në këtë përkufizim thuhet se feja është besimin në Zotin, e nuk thuhet se feja është adhurim i kombësisë.
Në botë nuk gjen një rast, kur nacionalizmi është kthyer në fe. Në botë mund të gjesh raste, kur popujt mund të identifikohen në bazë të fesë, të cilën e kanë kthyer në identitet kombëtar, por jo edhe të kundërtën. P.sh., Vatikani, që është qendra e fesë katolike. Identitet të saj kombëtar e ka fenë katolike. Vatikani udhëhiqet nga priftërinjtë, të cilët normalisht se punojnë në bazë të Biblës. A nuk është kjo një dëshmi, se feja është themeli i kombit? Arabia Saudite, që është qendra e fesë Islame. Identitet të saj kombëtar e ka fenë Islame. Arabia Saudite në flamurin e saj shtetëror e ka Shahadetin, a nuk është kjo një dëshmi, se feja është kthyer në identitet kombëtar? Bazë ligjore të formimit të shtetit dhe funksionit të tij e ka sheriatin. Kjo a nuk është dëshmi? Ose edhe Izraeli i cili identitet të vetin kombëtar e ka hebraizmin. Izraeli në flamurin e vet shtetëror, si simbol mban Yllin e Davudit. Të gjitha këto, janë shembuj, se feja mund të bëhet themel për formimin dhe funksionin e shtetit, por asnjëherë kombi të jetë baza e një feje.
Popujt ekzistojnë para kombeve, ndërsa feja para popujve. Bota ka filluar nga një qift. Kombi nuk është individi. Kombin e përbën kolektivi. Feja është individuale sepse është shpirtërore. Ndërsa kombi nuk mund të qëndroj gjatë pa njerëz të kombësisë përkatëse. Feja është krijuar në qiell, ndërsa kombet janë formuar në tokë.
Po të ndodhte, që kombet të ktheheshin në fe, bota do të kthehej në një kaos të madh. Do të kishim qindra e ndoshta mijëra fe. Dhe kjo do te sillte luftëra të pafundme.
Dhe sipas logjikës së shëndosh, secila fe për të qen e besuar duhet të ketë: libër të shenjt dhe pejgamber. Kombi ka elementet e veta përbërëse siç janë: territori, gjuha, kultura, tradita, historia, flamuri dhe në pjesën dërmuese të kombeve edhe feja është pjesë përbërëse e kombit.
Nuk ka ndonjë vend në botë, që në përshkrimin e tij, të mos e përmend edhe fenë. Feja është pjesë e pandashme e kombit, siç është kombi pjesë e fesë. Nuk ka fe nacionale, por mund të ketë kombe fetare. Zoti adhurohet, kombi dashurohet. Për komb duhet punuar drejt, për ta zhvilluar dhe për ta bërë të denjë për të jetuar populli. Me këtë edhe e adhuron Zotin edhe e dashuron atdheun.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.