Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

FFK përfiton edhe 1 milion euro prej UEFA-s

Prizren Post | 12:15 - 05.04.2017

Në kryeqytetin finlandez të Helsinkit ka filluar kongresi i 41 i Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA).

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do të përfitojë edhe 1 milionë euro në arkën e saj nga UEFA-ja, por edhe Federata e Futbollit të Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur sot kreu i futbollit evropian, Aleksandar Ceferin, i i cili ka thënë se çdo institucion i futbollit në kontinent do të përfitojë nga 1 milionë euro ndihmë financiare.

“Falë suksesit financiar të UEFA-së, jemi të lumtur të lajmërojmë se të gjitha federatat do të përfitojnë nga 1 milionë euro për të përballuar shpenzimet operacionale apo projektet,” ka thënë Ceferin në Kongresin e UEFA-së.

Ndryshe, UEFA pritet që të zgjedh anëtarin e ri të bordit, i cili do të shërben për 55 federatat kombëtare.

E në mesin e të nominuarve dhe një ndër favoritët është edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, i cili është në garë për t’u bërë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. /Telegrafi/


Etiketa:
Arivisti Company