E premte, 6 Korrik 2018
New York – Tarifat amerikane ndaj mallrave kineze me një vlerë mbi 34 miliardë dollarë hynë në fuqi këtë të premte, duke nisur kështu luftën tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Tarifa prej 25% ndaj këtyre mallrave hyri në fuqi në mesnatë më orën e Uashingtonit, ndërsa Pekini u përgjigj në të njëjtën mënyrë, me një tarifë prej po 25% mbi mallrat amerikane me vlerë po 34 miliardë dollarë.
Kina i akuzoi Shtetet e Bashkuara se nisën në këtë mënyrë luftën tregtare më të madhe në ekonomi.
Ministria e Jashtme kineze tha se tarifat kineze hynë në fuqi menjëherë pas atyre amerikane, pasi Pekini kishte premtuar se nuk do ta niste luftën, por do të reagonte ndaj masave amerikane.
Mediet shkruajnë se disa kompani në Shangai kanë raportuar se doganat po vonojnë kalimin e importeve amerikane në kuadër të ndryshimeve.
Tarfiat amerikane janë rezultat i përpjekjes së presidentit Donald Trump për të mbrojtur vendet e punës në SHBA dhe për të ndaluar transferimin e pandershëm të teknologjisë amerikane dhe të të drejtave të autorit në Kinë.
Shtëpia e Bardhë tha se ka nisur konsultimet për tarifa të mëtejshme për mallrat kineze, me një vlerë prej 16 miliardë dollarësh të tjerë, që pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit.
Aktualisht, tarifat kanë pasur efekt të vogël në bursat aziatike, megjithëse ekspertët thonë se, nëse lufta tregtare zgjat, jo vetëm tregjet, por kryesisht konsumatorët në të gjithë botën do ta ndiejnë te xhepat e tyre.
Etiketa: Amerika, Ekonomi, Kina