Fitore e madhe e napolitanëve në ‘Diego Aramando Maradona’


E enjte, 8 Shtator 2022

Napoli e ka shkatërruar Liverpoolin me rezultat 4-1 në kuadër të xhiros së parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Napolitanët e nisën shumë mirë takimin duke rrezikuar me Victor Osimhen, por topi shkoi afër portës.

Në minutën e 5-të, Napoli fitoi penallti, pasi me dorë në zonë luajti James Milner. Nga pika e bardhë ishte i saktë Piotr Zielinski për 1-0.

Por nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe goli i dytë, kësaj radhe pas një aksioni të gjatë, ku Andre Zambo Anguissa doli i vetëm me portier për të shënuar për 2-0.

Osimhen doli nga loja shkaku i një dëmtimi, ndërsa në vend të tij u fut Giovanni Simeone, i cili pas vetëm katër minutash shënoi për 3-0 pas asistimit të Khvicha Kvaratskhelia.

Pjesa e parë e dërgoi Liverpoolin me një deficit të madh në rezultat.

Në anën tjetër Napoli e nisi furishëm edhe pjesën e dytë duke gjetur menjëherë golin.

Zielinski shënoi në minutën e 47-të për 4-0, duke i treguar anglezëve që në këtë ndeshje nuk kanë çfarë të kërkojnë.

Pas dy minutash Liverpooli gjeti golin në këtë ndeshje, me Luiz Diaz që shënoi për 4-1.

Napoli mori tri pikë, sikurse që bëri Ajax, ndërsa Liverpool dhe Rangers janë pa pikë.

Etiketa: , , ,
Të fundit