E enjte, 5 Janar 2017
Paris – Policia franceze ka arrestuar të mërkurën ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, ish-komandant i UÇK-së gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, me një urdhër arrest të lëshuar nga Serbia, bëjnë të ditur burimet pranë policisë franceze dhe Ministrisë së Jashtme të Kosovës, raporton Reuters.
Serbia e konsideron Haradinajn kriminel luftë për rolin e tij në udhëheqjen e luftës në Kosovë, që shpalli pavarësinë me mbështetjen e shteteve perëndimore në vitin 2008, transmeton Telegrafi.
Haradinaj për një kohë të shkurtër ka ushtruar detyrën e kryeministrit të Kosovës gjatë periudhës 2004-2005, derisa Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, para se të gjykohej dhe lirohej dy herë për krime lufte nga një gjykatë e OKB-së në Hagë.
“Ai është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, që për ne është e papranueshme”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
Në deklaratën e kësaj ministrie, gjithashtu thuhet se është duke u bërë gjithçka që të lirohet ai, gjë që edhe pritet të ndodhë.
Policia kufitare franceze e ka arrestuar Haradinajn pas mbërritjes së tij në aeroportin e Basel-Mulhouse në pjesën lindore të Francës, pas një udhëtimi nga Prishtina.
Në qershor të vitit 2015, Haradinaj ishte arrestuar nga policia sllovene, por ishte liruar pas dy ditësh pas presionit diplomatik.
Etiketa: Arrestim, Franca, Ramush Haradinaj