E hënë, 18 Gusht 2014
Persona të armatosur deri në dhëmbë kanë sulmuar një karvan makinash që i përkisnin princit saudit, duke vjedhur 250 mijë euro dhe një dosje me dokumenta.
Lajmin e ka bërë të ditur policia franceze, sipas të cilës autokolona po udhëtonte drejt veriut të Parisit, për në aeroportin Le Bourget mbrëmjen e së djelës, kur papritur është sulmuar.
Personat e armatosur ndaluan automjetin ku ndodheshin paratë dhe dokumentat dhe më vonë lanë të lirë shoferin dhe dy persona të tjerë, pa plagosur askënd.
Autokolona ishte nisur nga ambasada e Arabisë Saudite. Autorët, të armatosur me Kallashnikov, vunë në shënjestër një minifurgon tip “Mercedes” në rrethrrotullimin verior në Porte de la Chapelle, në rrethinat e Parisit.
Karvani i automjeteve, që i përkisnin princit saudit, u sulmua nga gjithësej 8 persona të ndarë në dy makina të ndryshme, që i drejtuan armët shoferit të minifurgonit, duke e detyruar të ndalonte.
Më pas ata e kanë shkëputur “Mercedesin” nga autokolona, bashkë me shoferin dhe dy persona të tjerë që udhëtonin në të, duke u larguar me shpejtësi.
Mësohet se nga grabitësit nuk u qëllua asnjëherë dhe më pas shoferi dhe dy shoqëruesit e tij u liruan të palënduar. Makina e tyre u gjet më vonë e braktisur, bashkë me një nga ato të grabitësve që u gjet e djegur.
“Në automjet ndodheshin rreth 250 mijë euro para të thata dhe dokumente zyrtare nga ambasada”, sqaroi zëdhënësi i policisë, Rocco Contento për mediat franceze.
Sipas tij, grabitësit ishin të mirëinformuar mbi lëvizjet e autokolonës dhe nisur nga fakti që nuk qëlluan qoftë edhe njëherë dyshohet të kenë qenë profesionistë të rangut të lartë, synimi i vërtetë i të cilëve duhet të kenë qenë dokumentat.