E shtunë, 10 Tetor 2015
Në bazën Ushtarake të KFOR-it “Village Italia” në Pejë, në organizim të Kontingjentit të KFOR-it slloven, të premten është mbajtur gara tradicionale ushtarake “SYNCON 31 CHALLENGE”, në të cilën morën pjesë 14 ekipe ushtarake. Shtatë prej tyre ishin nga shtetet anëtare të NATO-s, si: SHBA, Italia, Sllovenia, Polonia, Portugalia, Austria, ekipe nga EULEX-i, kurse FSK-në e përfaqësoi ekipi i Batalionit të Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, me ftesë të KFOR-it slloven.
Qëllimi i mbajtjes së kësaj gare mjaft sfiduese, ishte ngritja e aftësisë profesionale në aspektin individual dhe atë ekipor-kolektiv.
Ekipet pjesëmarrëse në garë është dashtë t’i kalojnë shumë disiplina, si: poligonin luftarak, navigimin, marshimin sfidues, qitje me armë, evakuimi i viktimave dhe tërheqja e automjetit me litar.
“Ekipi i FSK-së, në të gjitha stacionet trajnuese ka treguar rezultate të shkëlqyeshme duke dalë fitues në çdo disiplinë”, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së FSK-së.
Në njoftim theksohet gjithashtu se nga organizatorët është vlerësuar lartë performanca e ekipit të FSK-së, të cilët kanë punuar si trupë e përbashkët dhe falë këtij angazhimi kanë arritur rezultate të larta në të gjitha disiplinat.
Nënkoloneli Boshtjan Moçnik, nga KFOR-i slloven, përgëzoi ekipin e FSK-së për paraqitjen e shkëlqyeshme dhe angazhimin ekipor dhe individual.
Kjo garë organizohet çdo vit dhe ka karakter sfidues.
Etiketa: FSK