Funksionimi i dobët i Kuvendit po ngadalëson hapat drejt Evropës


E shtunë, 9 Qershor 2018

Prishtinë – Institucionet e Kosovës janë duke u vonuar me miratimin e pakos së ligjeve që dalin si nevojë për përmbushjen e kritereve në procesin e integrimeve evropiane, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe ata të shoqërisë civile.

Funksionimi i ngadalshëm i Kuvendit të Kosovës, shihet si një prej pengesave më të mëdha në këtë drejtim.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet po vonojnë me miratimin e ligjeve që ndërlidhen me agjendën për reformë evropiane.

“Ne jemi vonë me agjendën për reformë evropiane, prandaj duhet të procedojmë sa me shpejt me miratimin e këtyre ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Po e shohim një ngecje apo vonesë, që po shkaktohet, e që besoj se ndoshta me një bashkëpunim më të mirë, qoftë të Qeverisë, qoftë Kuvendit, së bashku të gjithë ta gjejmë një formulë që do të funksionojë dhe të shtyhet përpara agjenda e integrimit evropian”, thotë Hoxha.

Ministrja Hoxha pranon se edhe Qeverisë së Kosovës i duhet një dinamikë më e madhe në këtë drejtim:

“Edhe ne, si Qeveri, e kemi një pjesë të fajit, sepse edhe ne duhet të jemi më bashkëpunues me Kuvendin e Kosovës, por besoj se këtu duhet të punojmë që ta gjejmë një formulë që funksionon”.

Kuvendi i Kosovës, aktualisht, ka më shumë se tridhjetë ligje që është duke i shqyrtuar, e të cilat kanë të bëjnë me integrimin evropian. Kuvendi i Kosovës para pak kohe ka miratuar nëntë projektligje që ndërlidhen me agjendën për reformë evropiane.

Pakoja e ligjeve që ndërlidhen me integrimin evropian, është e madhe dhe në të bëjnë pjesë ligje nga sektorë të ndryshëm, si ai për sistemin e drejtësisë, pakoja e ligjeve anti- korrupsion, ajo e reformave në administratën publike, për arsimin e të tjera.

Etiketa: , ,